Connect with us

Arrestimi i Tahirit, raporti i plotë i opozitës për votim në Kuvend

Kuriozitete

Arrestimi i Tahirit, raporti i plotë i opozitës për votim në Kuvend

Arrestimi i Tahirit, raporti i plotë i opozitës për votim në Kuvend

Opozita e përfaqësuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, prezantoi sot, raportin ku i kërkohet deputetëve të Parlamentit, që t’i hapet rrugë arrestimit të Saimir Tahirit, ish ministër i Brendshëm, në vijim të kërkesës së Prokurorisë për Krime të Rënda e cila kërkoi nga deputetët që të pranojnë heqjen e imunitetit për kolegun e tyre.

NOA publikon më poshtë të plotë këtë raport.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

KËSHILLI PËR RREGULLOREN, MANDATET DHE IMUNITETIN

RAPORT REKOMANDUES

Për miratimin e kërkesës së Prokurorisë “Për dhënie autorizimi për “Arrestimin ose heqjen e lirisë, si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesave të deputetit Saimir Tahiri” ”

Drejtuar Seancës Plenare të Kuvendit të Shqipërisë

Hartuar nga 5 (pesë) deputetët e poshtëshënuar, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin: Dhurata Çupi, Eduard Halimi, Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Nasip Naço

TIRANË, MË 21/10/2017

I. HYRJE

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 19.10.2017 është vënë në lëvizje nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Kjo e fundit, me shkresën nr. 9906 prot., datë 19.10.2017, ka kërkuar nga Kuvendi, dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z. Saimir Tahiri, si dhe për kontrollin personal dhe të banesës së tij. Kjo kërkesë e prokurorisë shoqërohet nga relacioni përkatës i arsyetuar, si dhe me provat e plota të administruara në seancën publike dhe jo publike të Këshillit, me anë të të cilit parashtrohet se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në datën 17.10.2017 ka regjistruar procedimin penal nr. 313, të vitit 2017 në ngarkim të deputetit Saimir Tahiri për kryerjen e dy veprave penale të mëposhtme:

i. Trafikimi i narkotikëve, të kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal të parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 333/a të K.Penal;

ii. Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Me urdhrin nr. 2, datë 19.10.2017, Kryetari i Kuvendit thirri mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin (këtu e në vijim Këshilli për Imunitetin), duke caktuar datën 20.10.2017, ora 11.00. Këshilli për Imunitetin zhvilloi dy mbledhje në datën 20.10.2017 dhe 21.10.2017.

Në mbledhje u shqyrtua kërkesa dhe relacioni i arsyetuar i prokurorisë, u konsultuan aktet provuese të mbledhura nga organi i prokurorisë, u dëgjuan përgjigjet e pyetjeve drejtuar tre prokurorëve që përfaqësonin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, si dhe u dëgjua deputeti Saimir Tahiri dhe mbrojtësi i zgjedhur prej tij.

Pas shqyrtimit të akteve dhe diskutimit të çështjes sipas dispozitave të Kushtetutës në lidhje edhe me ato të Kodit të Procedurës Penale, 5 (pesë) anëtarë të Këshillit për Imunitetin, konkluduan se Seanca Plenare e Kuvendit, duhet t’i rekomandohet miratimi i dhënies së autorizimit për “Arrestimin ose heqjen e lirisë, si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesave të deputetit Saimir Tahiri”.

II. FAKTET

Nga kërkesa e paraqitur nga organi i Prokurorisë, Relacioni bashkëngjitur saj, provat e plota të administruara në seancën publike dhe jo publike të Këshillit, dhe përgjigjet e prokurorëve në mbledhje të Këshillit për Imunitetin rezulton se autoritetet italiane të drejtësisë në vitin 2013 kanë filluar hetimet për faktin penal të kapjes dhe sekuestrimit të 3.5 lëndë narkotike, të llojit cannabis sativa në Itali.

Në kuadër të këtyre hetimeve, autoritetet italiane në Tetor 2017, kanë arrestuar shtetasin shqiptar Moisi Habilaj dhe disa shtetas të tjerë, të dyshuar për veprën penale të trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal. Shtetasi Moisi Habilaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët ushtrojnë funksione publike në Republikën e Shqipëri, ka arritur të trafikojë ndërkombëtarisht, me destinacion Italinë, sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike.

Me marrjen e njoftimit dhe të akteve nga homologët italianë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në datën 17.10.2017 ka regjistruar procedimin penal nr. 313, të vitit 2017 në ngarkim të deputetit Saimir Tahiri, për kryerjen e dy veprave penale të mëposhtme:

i. Trafikimi i narkotikëve, të kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal të parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 333/a të K.Penal;

ii. Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Procedimi penal nr. 313/2017 është filluar edhe ndaj shtetasve shqiptarë Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Artan Habilaj, Armand Kocerri dhe të tjerë, për veprat penale të trafikimit të narkotikëve, të kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal të parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 333/a të K.Penal dhe të korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë të parashikuar nga neni 245 i K.Penal.

Me përjashtim të deputetit Saimir Tahiri, për shtetasit e tjerë shqiptarë, prokuroria i kishte filluar hetimet për veprat penale të mësipërme, në kuadër të dy procedimeve të tjera penale nr. 134/2016 dhe nr. 164/2017. Pjesë e këtyre dy hetimeve të filluara më parë, është edhe veprimtaria e disa punonjësve të policisë së shtetit. Këta punonjës policie janë hetuar për përfshirjen në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, kryesisht në fshatrat e Vlorës, përmes veprimeve dhe mosveprimeve për sigurimin e kushteve të nevojshme, për të mos u shqetësuar nga policia e shtetit.

Të nesërmen e regjistrimit të procedimit penal nr. 313/2017, Prokuroria ka vendosur bashkimin e të treja procedimeve në një të vetëm, bazuar në nenin 79 të K.Pr.Penale. Ndërkohë, faktet e grumbulluara nga autoritetet italiane u bënë publike nga mediat italiane dhe patën jehonë të gjerë edhe në opinionin publik në Shqipëri. I gjithë opinioni publik, përmes edhe transmetimit mediatik të akteve hetimore italiane, ra në dijeni per nje organizate kriminale me …23 antare, shtetas italiane, shtetas shqiptare mes te cileve dhe familjare Habilaj, qe per te pakten 4 vjet kishin zhvilluar qetesisht trafikun nderkombetar te droges, për bisedat midis familjarëve Habilaj dhe anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, që dëshmonin për kontakte të shpeshta me deputetin Saimir Tahiri dhe për lidhje të ngushta me të, gjer tek dhënia e dhuratave dhe e shpërblimeve të paligjshme, për vehtën, familajrët dhe partinë politike të tij që t’i përdorte për zgjedhje, si pasojë e krijimit prej tij të mbështetjes dhe lehtësimit për trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve.

Organet hetimore kanë zbuluar se shtetasi Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij, apo anëtarë të tjerë të organizatës kriminale, kanë bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë, një prej të cilëve është edhe deputeti Saimir Tahiri, gjatë ushtrimit të funksionit të lartë zyrtar të Ministrit të Brendshëm. Vllezërit Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë patur lidhje të ngushta me deputetin Saimir Tahiri dhe duke përfituar nga këto lidhje të ngushta dhe përmes shpërblimeve, kanë arritur të bëjnë të mundur, krijimin e kushteve për kultivimin në sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike në Shqipëri, transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë shtetit, me skafe, peshkarexha dhe automjete, nder te tjera makina Audi me targe AA003GB. Deputeti Saimir Tahiri, gjatë ushtrimit të funksionit të Ministrit të Brendshëm, dyshohet se ka patur dijeni për këto fakte penale dhe se ka vepruar aktivisht për lehtësimin dhe mbështetjen e këtij aktiviteti të organizuar kriminal.

Deputeti Saimir Tahiri ka siguruar paprekshmërinë e grupit të strukturuar kriminal. E gjithë veprimtaria kriminale mbështetej në bashkëpunimin e grupit të strukturuar kriminal, me strukturat e policisë së shtetit, kryesisht ato të Drejtorisë së Qarkut Vlorë, por jo vetëm. Ky bashkëpunim është realizuar, nisur nga fakti se deputeti Saimir Tahiri, kontrollonte dhe drejtonte shërbimet e policisë së Shtetit, për shkak të funksionit që ushtronte në atë kohë, pikërisht atë të Ministrit të Brendshëm. Për shkak të ushtrimit të kësaj veprimtarie kriminale të trafikimit ndërkombëtarisht të lëndëve narkotike prej familjarëve Habilaj, kombinuar me krijimin e mbështjes dhe lehtësirave ndaj tyre, prej deputeti Saimir Tahiri në funksionin e Ministrit të Brendshëm, deri tek fikja e radarëve të monitorimit të hapësirës detare, përfitime direkte monetare dhe dhurata të kushtueshme shkonin prej familjarëve Habilaj tek deputeti Saimir Tahiri.

Deputeti Saimir Tahiri në datën 05.11.2013, pasi kishte marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm, e ka shitur automjetin e tij të markës Audi, me targa AA 003 GB tek i hetuari Artan Habilaj. Ky automjet rezulton të jetë përdorur disa herë më pas nga anëtarët e grupit të strukturuar kriminal. Kështu, vetëm 10 muaj më vonë, ky automjet rezulton të jetë përdorur 4 herë në muajin Gusht 2014 (në datat 8, 16, 29 dhe 30 gusht 2014) për hyrje-dalje nga territori i Shqipërisë nga Saimir Tahiri. Të dhënat hetimore tregojnë se edhe vetë deputeti Saimir Tahiri, e ka përdorur këtë automjet për të kaluar kufirin e territorit të Shqipërisë, pasi e kishte shitur atë. Është e qartë, që ky automjet ka shërbyer si mjet mbrojtës për grupin e strukturuar kriminal në kryerjen e trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve. Sipas provave te percjella nga prokuroria, prej rreth 1800 faqe, ku jane perkthyer pjese relevante (procesi vazhdon), makina eshte blere me qellim lehtesimin e trafikut te droges dhe armeve pasi ishte ne emer te Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Përgjatë gjithë kohës që deputeti Saimir Tahiri ka ushtruar funksionin e Ministrit të Brendshëm, Policia e Shtetit nuk ka kryer asnjë veprim pengues apo zbulues të veprimtarisë kriminale të familjes Habilaj dhe klanit të tyre – asnjë referim i veprave penale nuk është paraqitur nga policia e shtetit tek prokurori për grupin e strukturuar kriminal të Habilajve, sa kohë Ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri. Policia e Shtetit, jo vetëm që nuk ka vepruar me nismën e saj, por edhe pse ka patur sinjalizime dhe informacione për veprimet hetimore që kryenin autoritetet italiane, si dhe informacione nga agjencitë e tjera ligjzbatuese në Shqipëri. Një prej këtyre informacioneve mbi aktivitetin kriminal të familjes Habilaj dhe klanit të tyre është paraqitur edhe nga SHISH, që sipas ligjit i ka shkuar jo vetëm Policisë së Shtetit, por edhe vetë Ministrit të Brendshëm, në cilësinë e drejtuesit të Shërbimit të Kontrollit të Çështjeve të Brendshme në Ministrinë e Brendshme. Nga ana tjetër, informacion i plotë u dha edhe nga një ish drejtues i Policisë së Shtetit Dritan Zagani, i cili përcolli informacion mbi aktivitetin kriminal të Habilajve, por në vend që të dëgjohej dhe mbështetej nga Ministri i Brendshëm, u largua nga puna dhe u detyruar të kërkojë mbrojtje për jetën e tij jashtë Shqipërisë. Ky mosveprim i Policisë së Shtetit është i qëllimshëm, hierarkikisht i imponuar, e për pasojë është edhe një tregues i qartë i përfshirjes së deputetit Saimir Tahiri në veprimtarinë kriminale të grupit të strukturuar, sic vertetohet edhe nga pjese relevante te dosjes hetimore te perkthyera dhe ato qe jane ne proces.

Në datën 18.10.2017, në kuadër të procedimit penal të filluar, është sekuestruar në Babicë, Vlorë edhe 3 978 kg cannabis sativa.

Me shkresën nr. 9906 prot., datë 19.10.2017, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z. Saimir Tahiri, si dhe për kontrollin personal dhe të banesës së tij, për efekte të procedimit penal nr. 313/2017. Kjo kërkesë e prokurorisë shoqërohej nga relacioni përkatës i arsyetuar, bazuar në nenin 73 pikat 2 dhe 4, si dhe në nenin 288 të K.Pr.Penale.

Nga analiza e fakteve dhe provave rezulton e qartë se veprimtaria kriminale është e shtrirë ne hapesire dhe kohe. Ndryshe ngasa thuhet në alibinë e ngritur nga dyshja Rama-Tahiri, nuk kemi të bëjmë me “nje episod, të dy krimineleve, ne nje nate, qe i mburren njeri tjeterit”. JO. Jane shume episode, nuk jane ne nje nate, por ne disa dite e netë, nuk jane në një javë, ne nje muaj, as ne një vit, por ne të paktën 2-3 vite, nuk jane as midis vetëm dy personave, porn ë episode të ndryshe, mes disa prej anëtarëve të organizatës kriminale. Gjithashtu, ekzistojnë dëshmi të pa kundërshtueshme të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët kanë folur dhe po vijojnë të provojnë lidhjen midis organizatës kriminale dhe mbështetjes shtetërore për veprimtarinë e saj.

Nga të gjitha këto, rezulton nga faktet dhe provat e vëna në dispozicion nga organi i prokurorisë se:

1- veprimtaria kriminale është e shtrire ne hapesire dhe ne kohe;

2- grupi i strukturuar kriminal ka mbështetjen shtetërore të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka siguruar paprekshëmrinë e këtij grupi të strukturuar kriminal (përsa kohë ishte Ministër I Brendshëm ka zero referime nga Policia e Shtetit për veprimtarinë e këtij grupi kriminal, ka zero kontrolle të veprimtarisë së tyre, ka zero ndalime për anëtarët e këtij grupi, ka zero veprim të shtetit për të goditur veprimtarinë e tyre krimianle në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Mbështetje i është dhënë edhe nëpërmjet përdorimit të makinës në emrin e Ministrit të Brendshëm për trafik droge, përdorimit të herëpashershëm të saj nga vetë Ministri në pikat e kalimit të kufirit, edhe pse pretendon se ia kishte shitur disa njerëzve me të cilët nuk kishte asnje njohje, apo fiksjes së radarëve të gjurmimit me qëllim lehtësimin e veprimtarisë kriminale.

3- marrja e shperblimeve e shtrire ne kohe nga organizat kriminale, vellezerit Habilaj dhe antare te tjere te grupit të strukturuar kriminal, të cilët në episode të ndryshme dhe me vullnet të lirë, pohojnë shpërblimet që I japin Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, apo familjarëve të tij. Shperblimet jane dhene ne para, pagesa per veshje kostume, dhe ne diamante e vertetuar te pakten 3 here . (9 mije euro + 9 mije euro + 15 mije euro), me distanacion Tahirin dhe me argument per paprekshmerine dhe perdorimin e e audit AA003GB. Në fakt pohimet e anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, rezultojnë të jenë provuar në praktikë, për shkak se sa kohë Saimir Tahiri ishte Ministër i Brendshëm, grupi i shtrukturuar kriminal, ushtronte veprimtari të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotive dhe armëve, krejtësisht i pashqetësuar nga organet ligjzbatuese shqiptare (Policia e Shtetit).

Edhe pse rasti i veprimtarisë kriminale të këtij grupi kriminal, ishte bërë publike, Ministri i Brendshëm nuk ka urdhëruar kurrë verifikimin e këtyre informacioneve, nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndaj këtij grupi, por përkundrazi publikisht i ka mbrojtur, duke u shprehur se faktet e bëra publike janë të pavërteta, duke përndjekur oficerët e Policisë së Shtetit që pohonin veprimtarinë kriminale të kësaj bande, apo duke akuzuar opozitën se po i sulmon Habiljat sepse ishin kushërinj të Ministrit të Brendshëm. Mirëpo, rezultoi e provuar nga Antimafia Italiane se Habilajt në 4 vitet që Ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri, kanë kryer veprimtari kriminale në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke drejtuar një organizatë të trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëve.

Faktet e mësipërme, rezultojnë më të detajuara, prej akteve provuese, të depozituara nga ana e Prokurorisë, pranë Këshillit të Imuniteteve. Për shkak të mbulimit të tyre prej sekretit hetimor, e në respekt të nenit 103 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale (Ndalimi i publikimit të akteve), është zgjedhur prej nesh, të mos përshkruhen tërësisht në këtë raport, pasi prej prokurorëve, në fillim të seancës së konsultimit të këtyre dokumentave, anëtarë të Këshillit iu bë me dije detyrimi për ndalimin e publikimit të tyre, deri në përfundim të hetimeve paraprake. Këto akte ndodhen të depozituara pranë arkivës së Kuvendit, të lira për konsultim individual, për secilin deputet të Kuvendit.

III. ANALIZA LIGJORE

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2012, që u frymëzuan nga nevoja për të intensifikuar luftën kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë, reformuan thelbësisht konceptin e imunitetit parlamentar. Rregullat e reja kushtetuese kanë tentuar të afrojnë zyrtarin e lartë shtetëror me qytetarin e zakonshëm në raport me përgjegjësinë penale dhe përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit. Një ndryshim i tillë, erdhi si nevojë, jo vetëm e një orientimi politik qeverisës në vitin 2012, por edhe si një detyrim për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, mes të cilave spikat “Konventa penale kundër korrupsionit” e GRECO-s.

Sipas rregullimeve normative, aktualisht deputeti ka vetëm 2 lloj imunitetesh në nivel kushtetues. Së pari, deputeti ka imunitet substancial dhe është i mbrojtur nga përgjegjësia “për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit”. Ky lloj imuniteti nuk ekziston për rastin e shpifjes.

Së dyti, deputeti ka imunitet procedural për lirinë e lëvizjes dhe për privacinë, që nënkupton se nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria, pa autorizimin e Kuvendit. Ndaj tij nuk mund të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit. Për kryerjen e këtyre veprimeve procedurale nevojitet autorizim i Kuvendit. Është ky shkaku për të cilin, nga ana e Prokurorisë është paraqitur edhe kërkesa konkrete e marrë në shqyrtim nga Këshilli i Imuniteteve.

Imuniteti procedural përfaqëson një lloj pengese procedurale, që i shfaqet sipas rastit prokurorisë apo gjykatës, për të kryer veprime hetimore të lidhura me lirinë e lëvizjes dhe privatësinë e deputetit. Në njëfarë mënyre, imuniteti procedural mbron dinjitetin e deputetit, që atij të mos i cenohet liria dhe jeta private në mënyrë abuzive, pa patur një shkak të ligjshëm nga organet ligjzbatuese. Premisa bazë, që ligjëron heqjen e imunitetit procedural është ekzistenca e procedimit penal të regjistruar sipas ligjit ndaj deputetit, që duhet të verifikohet nga Kuvendi. Në këtë pikëpamje, Kuvendi verifikon vetëm procedurën që është zhvilluar, pa i hyrë cilësisë dhe vlerës së provave në drejtim të faktit penal dhe të autorësisë. Imuniteti procedural nuk mundet dhe nuk duhet që në asnjë rrethanë të shndërrohet në një mburojë nga pandëshkueshmëria apo si pengesë për drejtësinë. Nëse pranohet e kundërta, atëherë çdo akt i prodhuar është absolutisht i pavlefshëm, sepse në mënyrë të dukshme Kuvendi tejkalon kompetencën e tij dhe merr kompetencë për ushtrim të paligjshëm të ndjekjes penale, pra uzurpon kompetenca gjyqësore. Nëse Kuvendi shqyrton prova dhe vlerëson besueshmërinë e tyre, atëherë demokracia përballet me një rrezik flagrant: rrënohet parimi i ndarjes së pushteteve i sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës! Jo vetëm kaq, por situata shthuret dhe passjell një tërësi pasojash, që dëmtojnë pa kthim parimet e drejtësisë dhe të shtetit, ku sundon ligji. Për ilustrim, nëse Kuvendi vlerëson provat, cilësinë e provave dhe shkallën e besueshmërisë së tyre, atëherë nuk ka bërë gjë tjetër veçse vlerëson mbi fajësinë ose pafajësinë e personit në hetim/gjykim, duke vendosur respektivisht prokurorinë dhe gjykatën përpara gjykimit të kryer, duke i shndërruar ato thjesht në noterë të vlerësimit të bërë nga Kuvendi. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse shkatërrim i parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë, ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë dhe paanësisë së sistemit gjyqësor.

Në këtë terren kushtetues, në rastin konkret, është detyrë e Kuvendit të verifikojë nëse ekzistojnë të gjitha kushtet për dhënien e autorizimit, që kërkohet nga prokuroria për arrestimin e deputetit dhe për kontrollin e banesës së tij. Sipas nenit 288 të K.Pr.Penale, kërkesa për dhënien e autorizimit (për arrest, heqje lirie e çfarëdolloj forme, kontroll personal apo kontroll banese), paraqitet nga prokurori. Kërkesa për autorizim duhet të tregojë veprimin që kërkohet autorizimi (pra nëse do bëhet arrest, heqje lirie e çfarëdolloj forme, kontroll personal apo kontroll banese) dhe të tregojë se përmbushen kërkesat e Kodit për kryerjen e veprimit. Kërkesa për autorizim shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën e tij. Ligji nuk kërkon që Kuvendi në procedurën e dhënies së autorizimit të vlerësojë cilësinë e provave apo shkallën e besueshmërisë së tyre. Kuvendi nuk mundet dhe nuk duhet të kryejë një proces të administrimit të provave të procedimit penal sepse ia ndalon këtë parimi i ndarjes së pushteteve, i sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës. Është pushtet ekskluziv, vetëm i prokurorisë dhe i gjykatës, marrja, administrimi dhe vlerësimi i provave, për të krijuar bindjen nëse duhet ngritur akuzë dhe nëse i pandehuri duhet deklaruar fajtor dhe dënuar. Kuvendi, sipas Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale nuk ka të drejtë dhe nuk i është njohur kompetenca të verifikojë, ai vetë, provat e një procedimi penal, të vlerësojë besueshmërinë e tyre dhe të deklarojë nëse provohet fakti penal dhe autorësia e të dyshuarve.

Një qëndrim i tillë i tillë i Kuvendit, mbështetet dhe nga aktet ndërkombëtare, të dedikuara ndaj kësaj veprimtarie parlamentare, më i spikaturi prej të cilave është dokumenti i Komisionit të Venecias, “Raporti mbi qëllimin e lënies së imunitetit parlamentar” CDL-AD(2014)011, i cili në paragrafin 168 përshkruan se:

“168. Komisioni i Venecias për më tepër vlerëson se organi parlamentar që shqyrton një kërkesë për heqjen e imunitetit nuk duhet të bëjë një shqyrtim ligjor të çështjes. Në veçanti ai nuk duhet në asnjë rrethanë, të deklarojë vetë mbi fajësinë ose jo të deputetit në fjalë, ose nëse ndjekja penale është e bazuar. Vendimi duhet të bazohet mbi faktet dhe meritat e çështjes siç i parashtrojnë autoritetet dhe deputeti në fjalë dhe jo mbi konsiderata të tjera politike apo të jashtme. …”

Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, në këtë lloj procedure ka vetëm një detyrë: të sigurojë që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partiak për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare.

Një qëndrim i tillë i tillë i Kuvendit, mbështetet nga dokumenati i mësipërm i Komisionit të Venecias i cili në paragrafin 162 përshkruan se:

162. Komisioni i Venecias, në përgjithësi, konsideron se duhet të ketë një prezumim bazik që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet në të cilat nuk ka arsye të besohet se akuzat kundër deputetit në fjalë janë të motivuara politikisht. Imuniteti duhet të zbatohet vetëm në rastet kur ka arsye të dyshohet për një element politiko-partiak në vendimin për të ndjekur penalisht parlamentarin në fjalë. …”

Në funksion të këtij qëllimi, Kuvendi, në këtë lloj procedure verifikon:

Së pari, ekzistencën e një procedimi penal të ligjshëm;

Së dyti, ekzistenca e kushteve ligjore për arrestin dhe kontrollin.

Së treti, në vlerësimin e këtyre kushteve, Kuvendi, duhet të vlerësojë nga ana përmbajtësore disa kritere të listuara saktësisht nga dokumenti i mësipërm i Komisionit të Venecias, në paragrafët 188 dhe 189 si më poshtë:

“188. Kur vendos nëse imuniteti parlamentar duhet të hiqet apo jo në një rast konkret duhet të merren në konsideratë kriteret e mëposhtme:

Kritere për mbajtjen e imunitetit:

– kur pretendimet janë qartazi dhe haptazi të pabazuara

– kur shkelja e pretenduar është një pasojë e paparashikuar e një veprimi politik

– kur pretendimet janë paraqitur qartësisht për motive politiko-partiake (fumus persecutionis) me qëllim shqetësimin ose intimidimin e deputetit ose ndikimin tek mandati i tij

– kur procedurat ligjore mund të rrezikojnë seriozisht funksionet demokratike të parlamentit ose të drejtat themelore të një deputeti ose grup deputetësh

189. Kriteret për heqjen e imunitetit:

– kur kërkesa bazohet në shkaqe të drejta të rëndësishme dhe të sinqerta

– kur shkelja e pretenduar është e një natyre veçanrisht të rëndë

– kur kërkesa lidhet me sjellje kriminale që nuk lidhet ngushtësisht me përmbushjen e funksioneve parlamentare por lidhet me akte të tjera të kryera në funksione të tjera personale ose profesionale

– kur procedurat duhet të lejohen me qëllim që të mos pengohet drejtësia

– kur procedurat duhet të lejohen me qëllim garantimin e autoritetit dhe legjitimitetit të parlamentit.”

Nga analizimi i këtyre kushteve dhe kritereve, të aplikuara në rastin e kërkesës konkrete të paraqitur nga ana e organit të Prokurorisë rezulton se:

1. Ekzistenca e një procedimi penal të ligjshëm

Ky kusht kërkon që Kuvendi të verifikojë se ndaj deputetit Saimir Tahiri ka një procedim penal, që procedimi penal të jetë filluar për vepra penale që ligji i parashikon si të tilla dhe që organi i cili po procedon të ketë kompetencën e dhënë nga ligji për procedimin e veprave penale të tilla.

Nga analiza e kërkesës së prokurorisë, relacionit shoqërues të prokurorisë, përgjigjeve të prokurorëve në mbledhje të Këshillit për Imunitetit konstatohet pa asnjë dyshim ekzistenca e procedimit penal ndaj deputetit Saimir Tahiri. Ky procedim është regjistruar në datën 17.10.2017, me numër 313 në Prokurorinë pranë Gjykatës për Krime të Rënda. Veprat penale të trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe të korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë përcaktohen si të tilla nga ligji – konkretisht nga nenet 283/a/2, 333/a dhe 260 të K.Penal. Këto vepra penale janë parashikuar nga ligji si të dënueshme penalisht dhe kanë qenë në fuqi edhe në kohën, kur dyshohet të ketë filluar kryerja e veprës penale – Tetor 2013, gjer aktualisht. Për këtë procedim është duke vepruar Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, e cila sipas neneve 135 pika 2 dhe 148 të Kushtetutës dhe sipas neneve 75/a dhe 285 pika 4 të K.Pr.Penale është kompetente nga pikëpamja lëndore. Rrjedhimisht, nxirret përfundimi se plotësohet kushti ligjor se ndaj deputetit Saimir Tahiri ekziston një procedim penal i rregullt nga pikëpamja e parimit të ligjshmërisë.

2. Ekzistenca e kushteve ligjore për arrestin dhe kontrollin

Ky kusht kërkon që Kuvendi të verifikojë nëse kërkesa dhe relacioni i Prokurorisë për Krime të Rënda tregojnë qartë se ekzistojnë kushtet ligjore për arrestin dhe kontrollin personal e të banesës së deputetit Saimir Tahiri.

Nga analiza e kërkesës së prokurorisë, relacionit shoqërues të prokurorisë, përgjigjeve të prokurorëve në mbledhje të Këshillit për Imunitetin konstatohet pa asnjë dyshim se kërkesa e prokurorisë tregon qartë kushtet ligjore për veprimet e arrestit dhe të kontrollit, në përputhje me nenin 288 të K.Pr.Penale.

Më konkretisht, në kërkesën e prokurorisë evidentohen qartazi kushtet e neneve 228, 229 dhe 230 të K.Pr.Procedurës Penale, të paraqitura në mënyrë të përmbledhur si më poshtë:

a) Dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova

Ndaj deputetit Saimir Tahiri ekzistojnë dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve, të kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal” të parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 333/a të K.Penal dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Një paraqitje e përmbledhur e fakteve penale në themel të këtyre veprave penale, sipas akteve të prokurorisë, jepet në rubrikën “III. Faktet” të këtij Raporti. Prokuroria, në faqet 3-4 të relacionit, tregon në mënyrë të qartë se këto dyshime të arsyeshme bazohen në një set provash si më poshtë:

– Provë materiale “3.5 ton lëndë narkotike e llojit cannabis sativa”, e sekuestruar nga autoritetet italiane, që dyshohet se është trafikuar nga grupi i strukturuar kriminal

– Provë materiale “3978 kg lëndë narkotike e llojit cannabis sativa”, e sekuestruar nga autoritetet shqiptare në datën 18.10.2017 në banesën e bashkëpunëtorit të grupit të strukturuar kriminal A.Koçerri në Vlorë;

– Të dhëna të marra nën formën e përgjimeve (1800 fletë në total transkripte) nga ku rezulton përfshirja e deputetit Saimir Tahiri në kryerjen e veprave penale, duke përfshirë edhe marrjen e shpërblimeve të paligjshme, të përftuara nga përgjimet e komunikimeve telefonike dhe ambientale të të hetuarve Moisi Habilaj etj;

– Dokumentet e shitjes së automjetit me targa AA 003 GB nga deputeti Saimir Tahiri tek Artan Habilaj, një prej anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, në datën 15.11.2013;

– Dokumentet për përdorimin e automjetit AA 003 GB nga deputeti Saimir Tahiri, pas shitjes së tij, si dhe për udhëtimin e deputetit Saimir Tahiri me këtë automjet me Artan Habilaj, një prej anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal.

b) Rreziku për procedimin

Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit, si dhe në përgjigje të pyetjeve përpara Këshillit për Imunitetin, treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputeti Saimir Tahiri. Pozicioni i tij si deputet i mazhorancës, pas një përvoje prej më shumë se 3 vjet në detyrën e Ministrit të Brendshëm është një tregues i qartë i lidhjeve dhe aftësisë së tij për të ndikuar në cilësinë e provave të procedimit penal.

c) Papërshtatshmëria e masave të tjera

Prokuroria, në kërkesën e saj (shih faqe 5) dhe në përgjigjet e dhëna përpara Këshillit për Imunitetin, treguan qartë se çdo masë tjetër, veç asaj të arrestit, është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprave penale për të cilat po procedohet dhe për shkak të pozicionit të deputetit Saimir Tahiri. Në këtë drejtim, prokuroria evidenton se rasti konkret paraqet rrezikshmëri të shtuar, pasi ka cenuar drejtpërdrejt imazhin e institucioneve shqiptare në sytë e opinionit publik, por edhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Së fundmi, duhet evidentuar se prokuroria, në kërkesën e saj ka treguar qartë se përmbushen edhe kushtet ligjore për të autorizuar kontrollin personal dhe atë të banesës së deputetit Saimir Tahiri. Siç ajo parashtron, në rastin konkret ka arsye të bazuara për të menduar se në banesën e deputetit Saimir Tahiri fshihen prova materiale të veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale.

3. Vlerësimi i kritereve për lënien ose mbajtjen e imunitetin (kriteret e Komisionit të Venecias):

Në vlerësimin në themel të çështjes për mbajtjen ose jo të imunitetit në këtë rast, duke u bazuar në rrethanat e faktit të përshkruara në materialet e paraqitura nga ana e prokurorisë, lehtësisht vërehen plotësimet e kritereve, në favor të dhënies së autorizimit (heqjes së imunitetit) duke arritur në konkluzionet për secilin kriter si më poshtë:

· pretendimet e prokurorisë nuk janë as haptazi dhe as qartazi të pabazuara. Ajo ka shoqëruar kërkesën e vetë më relacionin përkatës dhe më një numër të lartë provash në kuptim të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale.

· Akuzat e ngritura nga ana e prokurorisë dhe kërkesa e saj për dhënie autorizimi (heqjen e imunitetit) nuk bazohen në ndonjë veprimtari poltike të deputetit.

· Shkeljet penale që deputetit i atribuohen, në mënyrë të qartë nuk janë të bazuara në motive politiko-partiake dhe as kanë për qëllim shqetësimin apo intimidimin e deputetit apo ndikimin e mandatit të tij. Nga vetë deputeti as nuk u pretendua një motiv i tillë politik.

· Heqja e mandatit të deputetit, nuk e vë në rrezik serioz funksionin demokratik të parlamentit as edhe të drejtat themelore të vetë deputetit apo ndonjë grupi parlamentar.

· Vetë kërkesa për dhenie autorizimi (heqje imuniteti) është përshkruar në aktet e prokurorisë se bazohet në shkaqe të drejta, të rëndësishme dhe të sinqerta. Ato kanë lidhje me procedimin penal, bëhen në funksion të tij, si nevoja të domosdoshme për t’u kryer.

· Shkelja e pretenduar nga ana e prokurorisë (akuzat) janë veçanërisht të rënda

· Shkelja që i atribuohet deputetit e për të cilat kërkohet heqj e imunitetit, nuk është pasojë e veprimtarisë së tij si parlamentar (ka qenë në funksion e ministrit)

· Dhënia e autorizimit (heqja e imunitetit) është një barrierë e vërtetë e cila nëse nuk realizohet, atëherë verifikohet një pengim real i drejtësisë

· Mosdhënia e autorizimit, është një akt i cili kompromenton tërësisht autoritetin dhe legjitimitetin e parlamentit në sytë e publikut dhe në marrëdhëniet institucionale me organet e tjera.

Veçanërisht, në arritjen e këtij konkluzioni, arritëm edhe duke qenë të ndërgjegjshëm për impaktin që do të kishte mosdhënia eventuale e autorizimit sipas kërkesës së prokurorisë.

Në një version të tillë, do të rezultonte se mbajtja apo ruajtja e një imuniteti të tillë në vetvete është një cenim i parimit kushtetues të barazisë para ligjit, i cili është thelbi i vetë Shteti të së Drejtës. Maksima “Sado lart që ti të jesh, ligji është gjithnjë mbi ty” përmbyset duke u shndërruar në “nëse je anëtar i Parlamentit, ligji nuk mund të të prekë”. Ky do të ishte sinjali më i gabuar që Parlamenti kurrsesi nuk duhet ta emetojë ndaj publikut të tij.

Së dyti, vetë rregullat e imunitetit, në thelbin e tyre kanë potencialin e madh që të keqpërdoren nga deputetët, dhe të shndërrohen prej tyre në një strehë të ngrohtë për t’u mbrojtur nga shkeljet e ligjit prej tyre. Një vendimmarrje e tillë do të shërbente si një incentiv për të tërhequr në strehën e parlamentit njerëz më rekorde kriminale, plagë e madhe kjo dhe shume e freskët dhe aktuale e politikës aktuale shqiptare.

Së treti, rregullat e imunitetit në vetvete, dhe për më shumë akoma një vendimmarrje për mbajtjen e imunitetit në rastin konkret do të minonte besimin e publikut te Parlamenti si institucion dhe do të krijonte përçmim për politikën, politikanët dhe vetë sistemin politik. Kuvendi, pa asnjë dilemë, duhet të miratojë dhënien e autorizimit sepse vetëm në këtë mënyrë, secili prej deputetëve veçmas, por edhe Kuvendi si një i tërë tregon standardin më të lartë të sjelljes etike dhe bëhet model për të tërhequr në mjedisin politik njerëz të rinj dhe me vlera.

Së katërti, vetë procedura e heqjes së imunitetit, mbart me vete probleme parimore kushtetuese për disa arsye:

i. nuk është e lejueshme prej Kushtetutës, që anëtarët e Parlamentit të shqyrtojnë brendinë e informacionit të mbledhur nga prokuroria dhe ta vlerësojnë atë, pasi atyre nuk iu lejohet të njihen më të dhëna private për deputetin në fjalë.

ii. deputetëve nuk iu lejohet të shqyrtojnë themelin e fajësisë apo pafajësisë, cilësinë e provave, bazueshmërinë në to, sepse kështu do të cënohej parimi i prezumimit të pafajësisë ashtu sic e kërkon edhe Konventa Europiane te Drejtave të Njeriut. Në këtë rast Kuvendi vetë të cënonte procesin hetimor dhe gjyqësor eventual që Prokuroria ka ndërmarrë duke shkelur parimin e procesit të rregullt ligjor, e kështu kjo do të ishte njolla e zezë më e madhe për Parlamentin e një vendi, vështirësisht e shlyeshme.

iii. po ashtu, do të cënohej edhe parimi i ndarjes së pushteteve nëse deputetët do të shqyrtonin themelin e fajësisë apo pafajësisë.

Së pesti, nëse Kuvendi voton për mbajtjen e imunitetit dhe për pengimin e drejtësisë, ky veprim do të ishte goditja më energjike ndaj shpresës së publikut dhe aksionit politik brenda dhe jashtë vendit për Reformën në Drejtësi.

Së gjashti, mbajtja e imunitetit nga Kuvendi në rastin konkret tregon haptazi mungesë vullneti politik për të luftuar krimin e organizuar dhe rrjedhimisht, përbën një hap pas në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, Kuvendi do të godasë fort pritshmëritë dhe përpjekjet e shoqërisë shqiptare për t’iu bashkuar familjes evropiane, e cila na ka vënë ndër të tjera edhe kushtin për luftën kundër krimit të organizuar.

Në sintezë të të gjithë analizës ligjore, dëshirojmë të evidentojmë se në nxjerrjen e rekomandimit u mbështetëm pikë së pari, në ruajtjen e interesit publik, në mbrojtjen e imazhit të politikës, në mospengimin e drejtësisë, në mosndërhyrjen e kompetencave të sistemit të drejtësisë dhe në dhënien e mundësisë vetë deputetit të cilit i kërkohet heqja e imunitetit, që të pastrojë figurën e vetë politike, në mënyrë të padyshimtë, nga një autoritet i pavarur dhe i paanshëm siç është sistemi i drejtësisë.

IV. KONKLUZIONE

Përfundimisht, 5 deputetët e Këshillit për Imunitetin, i rekomandojnë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin e dhënies së autorizimit, të kërkuar me kërkesën nr. 9906 prot., datë 19.10.2017 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda “Për dhënien e autorizimit për arrestimin, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së deputetit Saimir Tahiri”, me qëllim për t’i hapur rrugë hetimit të plotë dhe të gjithanshëm në kuadër të procedimit penal nr. 313, të vitit 2017 për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe të korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë të parashikuara nga nenet 283/a/2, 333/a dhe 260 të Kodit Penal.

Tahiri nuk është nje ish minister apo deputet i opozites. Ai eshte ish minister i qeverise, deputet i Edi Rames, mik i ngushte i kryministrit. Ai si ish minister jo vetem qe dyshohet se ka ndihmuar organizaten kriminale dhe ka marre shperblime personale, por duke i vene strukturen e shtetit ne sherbim te organizates kriminale ai ka sigura PARA PER ZGJEDHJET. Arsyeja pse duhet arresti nuk ehste vetem analiza e nenit 288 te KPP, sic per nje qytetar te zakonshem, por se behet fjale per mikun e kryeministrit dhe ministrit te brendeshem aktual. Keta dy te fundit kane nen mbikqryje provat dhe duke mbajtur Tahirin jashte dhe duke e mbajtur nën mbrojtje, provat mund te demtohen, radaret, deshmitaret qe shohin Ramen ne krah te Tahirit heshtin, bashkepuntoret e drejtesise, brenda dhe jashte Sqhiperise. Pra ka nje rrezik real qe behet me qellim per ti sherbyer Tahirit dhe bandes kriminale qe eshte ne hetim ne Shqiperi dhe Itali. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të bëhet kurrë streh e krimit apo mbështetësve direkt të tij.

DEPUTETËT:

DHURATA ÇUPI EDUARD HALIMI GENT STRAZIMIRI

ENKELEJD ALIBEAJ NASIP NAÇO

ANEKS

BAZA LIGJORE

KUSHTETUTA

Neni 73

1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.

3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Prokurori i Përgjithshëm ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur.

RREGULLORJA E KUVENDIT

Neni 13

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin

1. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin përbëhet nga 10 deputetë, të emëruar nga Kryetari i Kuvendi, pasi ka marrë mendimin e kryetarëve të grupeve parlamentare, në mënyrë që të sigurojnë përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës parlamentare. Këshilli kryesohet nga Kryetari i Kuvendit.

2. Këshilli studion propozimet për ndryshimin e Rregullores, jep mendime për çështje të interpretimit të Rregullores, sipas nenit 116 të kësaj Rregulloreje, si dhe për konfliktet në lidhje me kompetencat ndërmjet komisioneve të Kuvendit.

3. Me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit, Këshilli shqyrton kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti, në përputhje me nenin 118 dhe nëse ka vend për procedim ndaj deputetit të ndaluar ose të arrestuar, sipas nenit 119 të kësaj Rregulloreje.

4. Këshilli shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me mandatin e deputetit dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare.

5. Këshilli verifikon mandatin e deputetit, i cili zgjidhet gjatë legjislaturës dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare brenda 30 ditëve.

6. Këshilli mblidhet në mënyrën e parashikuar nga kjo Rregullore për komisionet e përhershme.

Neni 118

Heqja e imunitetit të deputetit

1/1. Heqja e imunitetit bëhet nëpërmjet kufizimit të tij për vepra penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv, sipas Kodit Penal, në përputhje me vendimin përkatës të Kuvendit ose nëpërmjet heqjes së tij (autorizim për fillimin e ndjekjes penale), sipas kushteve dhe procedurave në këtë nen për të gjitha veprat penale. Vendimi i Kuvendit për kufizimin e imunitetit është pjesë përbërëse e Rregullores si aneksi 1 i saj.

1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

2. Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes.

3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

4. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

5. Procedura e parashikuar në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni zbatohet edhe në rastin kur kërkohet autorizimi për arrestimin e një deputeti.

6. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

7. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose për dhënien e autorizimit për arrestimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave.

Kodi i Procedurës Penale

Neni 202

Kushtet për kryerjen e kontrolleve

1. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se dikush fsheh në personin e tij prova materiale të veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale gjykata merr vendim për kontrollin personal. Kur këto sende ndodhen në një vend të caktuar, vendoset kontrolli i vendit ose banesës.

2. Gjykata që ka nxjerrë vendimin mund të veprojë vetë ose të urdhërojë që veprimi të kryhet nga oficerët e policisë gjyqësore, të caktuar në vendimin e kontrollit.

3. Në rast flagrance ose në rast ndjekje të personit që është duke ikur, që nuk lejojnë nxjerrjen e një vendimi kontroll, oficerët e policisë gjyqësore kryejnë kontrollin e personit ose të vendit, duke zbatuar rregullat e caktuara në nenin 298.

Neni 202/a

Vendimi për lejimin e kontrollit

1. Vendimi për lejimin e kontrollit duhet të tregojë llojin e kontrollit, personin që kontrollohet dhe gjeneralitetet e tij, vendin apo banesën objekt kontrolli, provat materiale apo sendet që kërkohen, arsyet që lejojnë kontrollin, si edhe autoritetin që do të kryejë atë.

2. Kur ka arsye të bazuara se të dhënat, informacionet, programet informatike ose gjurmë të tyre, gjenden në një sistem informatik ose telematik, edhe kur ky është i mbrojtur me masa sigurie, gjykata merr vendim për kontrollin, duke urdhëruar masa teknike të përshtatshme, të cilat sigurojnë ruajtjen e të dhënave origjinale dhe nuk lejojnë ndryshimin e tyre. Vendimi i kontrollit duhet të përcaktojë llojin e informacionit që kërkohet dhe mënyrën e marrjes së tij.

3. Gjykata merr vendim të arsyetuar në dhomë këshillimi, brenda 24 orëve nga kërkesa e prokurorit. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për kontroll mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit brenda 24 orëve. Gjykata e apelit shqyrton ankimin brenda 48 orëve nga marrja e akteve.

4. Kontrolli duhet të përfundojë brenda 72 orëve nga momenti i marrjes së vendimit për kryerjen e tij.

Neni 228

Kushtet për caktimin e masave të sigurimit personal

1. Askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova.

2. Asnjë masë nuk mund të zbatohet kur ka shkaqe padënueshmërie të shuarjes së veprës penale ose dënimit.

3. Masat e sigurimit personal vendosen:

a) kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, bazuar në rrethana fakti që duhet të tregohen posaçërisht në arsyetimin e vendimit;

b) kur i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që ai të largohet;

c) kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.

Neni 229

Kriteret për caktimin e masave të sigurimit personal

1. Në caktimin e masave të sigurimit gjykata mban parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret.

2. Çdo masë duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe me sanksionin që parashikohet për veprën penale konkrete. Mbahen parasysh edhe vazhdimësia, përsëritja, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parashikuara nga Kodi Penal. 3. Kur i pandehuri është i mitur gjykata mban parasysh interesin e tij më të lartë dhe kërkesën për të mos ndërprerë proceset edukative konkrete.

Neni 230

Kriteret e veçanta për caktimin e masës së arrestit në burg

1. Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit.

2. Nuk mund të vendoset arresti në burg ndaj një gruaje që është shtatzënë ose me fëmijë nën moshën 3 vjeç dhe që jeton me të, ndaj një personi që ndodhet në gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë ose që ka kaluar moshën shtatëdhjetë vjeç ose një personi toksikoman apo të alkoolizuar, për të cilin zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm.

3. Në rastet e parashikuara në pikën 2 arresti në burg mund të vendoset vetëm kur ka shkaqe të një rëndësie të veçantë për krimet që dënohen jo më pak në maksimum se dhjetë vjet burgim.

4. Të miturit nuk mund të arrestohen kur akuzohen për kundërvajtje penale.

Neni 288

1. Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet masa e sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqja e lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrolli personal ose i banesës, prokurori kërkon autorizim nga Kuvendi.

2. Kërkesa për autorizim paraqitet kur plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në këtë Kod për kryerjen e veprimeve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni. Ajo shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën e tij.

3. Kur deputeti është arrestuar në flagrancë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme njofton menjëherë Kuvendin. Kur Kuvendi vendos heqjen e masës së arrestit në flagrancë, deputeti lirohet menjëherë.

www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top