Flasin Elshani e Batatina: Këto mund të jenë pasojat që mund të sjellë anulimi i kampionatit

Për shkak të pandemisë COVID-19 e njohur ndryshe si koronavirus, Federata e Futbollit të Belgjikës vendosi ta anulojë edicionin aktual. Një gjë e tillë është përfolur se mund të ndodhë edhe në Kosovë. Megjithatë, njohësit e futbollit në Kosovë nuk mendojnë se kjo do të ishte gjë e duhur. Ekrem Elshani, ish-president i Feronikelit dhe donatori i Llapit, Tahir Batatina për Zëri.info kanë thënë se anulimi i garave nuk do të ishte vendim i drejtë

Kanë kaluar disa javë që prej edicioni aktual në Superligën e Kosovës në futboll është pezulluar deri në njoftimin e radhës, për shkak të pandemisë COVID-19, që ka kapluar botën.

Deri tash, në Kosovë janë infektuar mbi 140 persona, teksa tre kanë ndërruar jetë, dhe Qeveria e Kosovës tashmë ka marrë masa izolimi për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Në mesin e këtyre masave është edhe pezullimi i ngjarjeve sportive, ku përfshihet edhe futbolli.

Futbolli kosovar, përkatësisht Superliga e Kosovës, ishte në një fazë tejet interesante ku skuadrat si Ballkani, Drita, Gjilani dhe FC Prishtina ishin duke luftuar me ‘mish e me shpirt’ për titullin e kampionat.

Si këto katër klube, ashtu edhe klubet tjera që garojnë në elitë kanë shpenzuar shuma marramendëse për t’u përforcuar, gjë e cila rezultoi me një ngritje të cilësisë në kampionatin tonë.

Për shkak të pandemisë COVID-19, e njohur ndryshe si koronavirus, është përmendur edhe mundësia e anulimit të këtij edicioni, ashtu siç bëri Belgjika, por që pasojat te ne mund të jenë tejet të mëdha.

Njohës të futbollit kosovar mendojnë se në rast se ndodhë një gjë e tillë, atëherë të gjitha investimet e bëra nga klubet kosovare, do të shkonin ‘huç’.

Për ta diskutuar këtë çështje, zeri ka biseduar me ish-presidentin e Feronikelit, Ekrem Elshani, i cili kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm te drenicasit, si dhe me trajnerin dhe donatorin e Llapit, Tahir Batatina.

Elshani: Anulimi i edicionit, i padrejtë

Ish-presidenti i Feronikelit, Ekrem Elshani njihet si njëri prej njerëzve që ka kontribuar mjaft shumë në futbollin kosovar.

Elshani kishte bërë mrekulli te Feronikeli, duke arritur që ta shndërrojë në kampion të Kosovës në futboll.

Duke folur për zhvillimet e fundit në futbollin kosovar, Elshani tha se anulimi i këtij edicioni nuk do të ishte gjë e duhur.

“Anulimi i edicionit në këtë formë do të ishte i padrejtë për shumë arsye duke u nisur nga humbjet financiare, por edhe për arsye morale, ku kemi shumë xhiro në fund për t’u përmbyllur. Në këtë edicion, lufta për titull ka qenë e hapur, për vendin e dytë si dhe për mbijetesë”, ka thënë Elshani.

“Duke e ditur situatën me pandemi, jo vetëm ne, por edhe ligat tjera në botë do të kenë probleme t’i rinisin garat dhe ta mbarojnë edicionin. Mendoj se në rend të parë është shëndeti i futbollistëve dhe stafit. Federatat së bashku me klubet duhet të gjejnë bashkë një zgjidhje ose të shikojmë se si veprojnë Federatat tjera në Evropë”, tregon më tej ai.

‘Federata së bashku me MKRS-në duhet t’i ndihmojnë klubet’

Tutje, Elshani ka thënë se shpreson të rinisë kampionati sa më shpejt, pasi sipas tij nëse nuk nis në muajin maj, ka gjasa të anulohet.

“Do të ishte padrejtësi që edicioni të mbyllet me këtë renditje, por nëse nuk rinis në maj, atëherë mendoj se duhet të anulohet. Skuadrat duhet të mendojnë për edicionin e ri, ndërsa dëmet e shkaktuara nga pendemia, Federata, MKRS-ja dhe UEFA duhet t’i ndihmojnë klubet për ta kaluar këtë problem”, vlerësoi Ekrem Elshani, duke përmendur edhe Kupën e Kosovës:

“Këtu është edhe një problem tjetër – përfundimi i Kupës së Kosovës. Është problem të vendoset pasi skuadra fituese merr pjesë në Ligën e Evropës”.

Batatina: Dëm i madh nëse anulohet edicioni

Se do t’i shkaktohej një dëm i madh klubeve kosovare anulimi eventual i këtij edicioni, mendon edhe trajneri dhe donatori i Llapit, Tahir Batatina.

Batatina mendon se nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë duke marrë parasysh investimet e bëra.

“Mendoj se do të ishte një dëm i madh dhe një humbje e madhe, por më gëzon fakti se ka filluar të stabilizohet situata dhe nuk po ndodhë që skuadrat tona të mos përfaqësohen në Evropë duke ditur investimet tona”, ka thënë Batatina.

“Nëse Federata së bashku me MKRS-në e komunat nuk i ndihmojnë klubet, do të bie niveli i ligës pasi skuadrat nuk do të munden t’i përballojnë shpenzimet. Futbolli do të ketë rënie në cilësi dhe në ngritje. Ishim duke ecur në rrugë të mirë”, përfundoi ai.

Tahir Batatina