I mbyllur në Shqipëri: Ish sulmuesi i Dritës, zbulon lojtarin e preferuar

Ish-sulmuesi amerikan i Dritës, Kyrian Nwabueze, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës së Laçit nga Shqipëria ishte i ftuar sot në emisionin “FanZone” në SuperSport, ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në panel.

Ambientimi në Shqipëri… – Sigurisht Amerika është shumë e madhe dhe këtu një vend i vogël, por gjithsesi kaloj mirë. Më pëlqen jetesa këtu.

Situata e krijuar nga Covid – 19… U kontaktova nga Ambasada Amerikane për të ikur, por nuk arrita dot afatin dhe mbeta këtu. Megjithatë po kaloj mirë dhe për fat të mirë këtu rreziku është më i vogël, për shkak edhe të izolimit që është bërë.

Stërvitja… – Brenda në shtëpi nuk ke shumë mundësi të stërvitesh, por gjithsesi po ushtrohemi sa të mundemi për të mbajtur trupin në formë.

Raporti mes golave dhe asisteve… – Sulmuesi është për të shënuar gola, por unë e di që kam dobësi në asistim dhe po punoj për t’u përmirësuar edhe në këtë drejtim.

Skuadrat më të mira në Shqipëri… – Partizani ka lojtarë që vendosen shumë mirë taktikisht, ndërsa edhe Tirana ka një skuadër mjaft të mirë. Do të zgjidhja këto të dyja.

Ëndrrat për të ardhmen… – Unë dua të ngjis hapat një nga një dhe të shoh përpara. Do të doja që në fund të sezonit të ndërroj ligë dhe të luaj në një kampionat më të fortë, por për t’ia dalë, duhet të bëj detyrën time te Laçi.

Idhujt në futboll… – Ronaldinho për nivelin shumë të lartë teknik dhe gjithë aftësitë e tij në kontrollin e topit, dhe Samuel Eto’o që është një kampion i lindur, që ka fituar kudo ku ka luajtur.