Incidenti i Grezdës me një futbollist kroat, reagojnë edhe mediat serbe

Eros Grezda është bërë lajmi i ditës në Kroaci.

Futbollisti i Kombëtares shqiptare dhe Osijekut, është rrahur me lojtarin kundërshtar të Rijekës, Anonio Mirko Çolak.

Incidenti ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë, ku Rijeka fitoi 3:2, shkruan Gazeta Olle.

Pas ndeshjes, derisa të dy lojtarët ndodheshin në parkingun e stadiumit, Grezda ka goditur me dorë kundërshtarin, shkruajnë mediat kroate.

“Më vjen shumë keq që u gjenda në qendër të vëmendjes së medieve, sidomos për kontekstin e çdo gjëje që ka ndodhur përpara dhe gjatë ndeshjes me Rijekën. Të gjithë ne ishim të zhgënjyer nga fakti se si sportistë u dëmtuam gjatë takimit dhe na u mohua fitorja, të cilës i ishim pranë. Nuk është e lehtë për ne të durojmë padrejtësinë në fushë dhe të qëndrojmë të qetë, sidomos kur dikush na fyen”, u shpreh Grezda.

“Kur vjen puna te fyerjet e rënda në aspekt personal dhe kombëtar, qoftë si njeri, qoftë si sportist, jam shumë i ndjeshëm. E gjitha kjo ndodhi jo vetëm gjatë ndeshjes, por dhe pas saj. Unë po qëndroja përpara autobusit të skuadrës sime dhe sulmuesi rival Colak po kalonte para meje në mënyrë provokuese. Jam përballur me provokimet e tij gjatë gjithë ndeshjes. Jetoj për shumë vite në Kroaci. I përmbush detyrimet e mia si qytetar dhe i paguaj taksat, nuk e meritoj që dikush të më fyejë për ndjenja kombëtare. Do të marr të gjithë hapat ligjorë për të mbrojtur veten dhe nderin tim”, tha reprezentuesi i Shqipërisë pas ngjarjes së ndodhur.

Lidhur me këtë kanë reaguar edhe mediat në Serbi, ku mediumi “Telegraf.rs” në hyrje të artikullit për futbollistit shqiptar nga Kosova shkruan:

“Një shqiptar nga Kosova që rrahu një futbollist kroat tha: ‘Më ofendoi në baza kombëtare”.