Kapiteni i Bosnjë-Hercegovinës i izoluar në Kosovë: Për mua kjo është shumë e vështirë

Kapiteni i Bosnjë-Hercegovinës në hendboll, Nikola Prce ditët e izolimit për shkak të koronavirusit po i kalon në Kosovë.

Prce 39-vjeçar luan për kampionen e Kosovës, Besa Famgas, ndërsa po qëndron në Pejë në pritje të vazhdimit të Superligës së Kosovës në hendboll.

Prce, që në janar udhëhoqi Bosnjën në Evropianin e hendbollit, ka dhënë një intervistë të hënën për gazetën boshnjake Dnevni List.

“Është dashur që më 14 shkurt të fillojmë fazën finale të kampionatit, por një ditë më parë u paraqit rasti i parë me koronavirus në Kosovë dhe menjëherë çdo gjë u anulua dhe u mbyll. Na kanë mbetur 10 ndeshje, por pasi barten pikët nga pjesa e parë, praktikisht na ka mbetur një punë rutinë deri te titulli”, ka thënë Prce.

Ai ka theksuar se po pritet vendimi i Federatës për hapat e ardhshëm. Hendbollisti me karrierë të gjatë e të suksesshme ka thënë se nëse gjërat qetësohen së shpejti, është e mundur që të gjitha ndeshjet të luhen brenda një muaji.

“Për këtë arsye nuk ka pasur kuptim që të kthehem në shtëpi dhe të rri 14 ditë në karantinë, e më pas të udhëtoj sërish për në Kosovë dhe të qëndroj në karantinë edhe 14 ditë të tjera”.

Për mediumin boshnjak, Prce ka treguar për masat që janë marrë në Kosovë për të luftuar përhapjen e pandemisë. Ai ka thënë se nuk po mund të mbajë formën duke vrapuar, por po mundohet të ushtrojë në shtëpi. Në Pejë është së bashku me familjen.

“Po shikoj incizime të ndeshjeve të kaluara. Po ushtroj në shtëpi, aq sa është e mundur kjo. Por hendboll nuk ka në shtëpi. Pas kësaj të gjithë neve do të na duhet një periudhë e përgatitjeve”, ka theksuar beku i majtë.

Prce ka thënë se nuk është e drejtë që të prognozohet se kur do të vazhdojnë garat. Ai ka thënë se nuk mund të ndryshohet asgjë, pos të qëndrohet në shtëpi.

“Rrini në shtëpi aq sa mundeni. Për mua kjo është shumë e vështirë ta bëjë, por ndonjëherë nuk dal gjithë ditën. E di që është e vështirë për njerëzit, por duhet t’iu përmbahemi këshillave. Besoj se kjo shpejtë do të kalojë”, ka thënë Nikola Prce.