“Lejen për pallatin ma dha Rama e Basha”. Kryemadhi përplaset me Lubonjën –

Monika Kryemadhi dhe analisti Fatos Lubonja janë përplasur në “Real Story”. Kryemadhi, përmendi fëmijët e saj që studiojnë në Londër. Sipas saj, në Shqipëri vajza e saj nuk do mund të shkollohej. Ndërkohë, në këtë moment ndërhyri analisti Lubonja, i cili u shpreh se kalasa politike ka ndjekur logjikën për “t`i çuar fëmijët në Londër, ndërsa të tjerë të rrijnë këtu”.

Debati:

Lubonja: Logjika që na çoi këtu ishte që “ne t’i çojmë fëmijët jashtë dhe këta të rrinë këtu”.

Kryemadhi: Fakti që i fusim të gjithë në një kazan, normal që njerëzit nuk dinë të dallojnë pastaj. Partitë politike kanë faj, edhe krerët e partive, edhe mediet, të gjithë kanë faj. Njerëzit duhet të dinë sa para janë shpenzuar nga ky vit, në këtë vit. Nuk ndjehem keq pse vajza ime shkollohet për matematikë në Londër, se kush do ma shkollonte këtu.

Lubonja: Po ç’lidhje ka kjo tani. Pse bën këtë lëmsh, po flasim për gjithë klasën politike.

Kryemadhi: Unë e kam shansin për fëmijën tim, një tjetër nuk e ka shansin. Siç ke ndërtuar ti pallatin te vila jote, kam ndërtuar edhe unë pallatin te shtëpia ime, me lejen e Edi Ramës dhe me lejen e Lulzim Bashës.

Lubonja: Edhe unë nëse kam ndërtuar pallat, gabim.

Kryemadhi: Po jo pse kemi bërë gabim ne, pse kemi zhvilluar pronën tonë? Jo Lubonja e ke gabim, ne kemi zhvilluar pronën. Unë e kisha mundësinë që ma dhanë prindërit atë mundësi, për fat të mirë të babait tim, kam një pallat, 16 mijë metra katrorë, në të cilën shkolloj fëmijët e mij.

Lubonja: Atëherë mos u anko me Edi Ramën fare…

Kryemadhi: Jo, Edi Rama ma dha lejen mua dhe Lulzim Basha…Makineria e propagandës është shumë e madhe, sa të mbyt. Unë nuk jam si Edi Rama, kam kontribuuar më shumë se ai, se kam qenë e sulmuar si bashkëshortja e Ilir Metës. Ndërsa Edi Rama ka kaq shumë vite në pushtet dhe askush nuk flet për koncesionet e tij.

Lubonja: Po pse tani u bënë ato, po kur ishe ti në pushtet.

Kryemadhi: Nga 2013-2015 qeverisja ka funksionuar në mënyrë perfekte.