Mirko Çolak: Pasi më sulmoi, tani edhe gënjen

Eros Grezda është bërë lajmi i ditës në Kroaci.

Futbollisti i Kombëtares shqiptare dhe Osijekut, është rrahur me lojtarin kundërshtar të Rijekës, Anonio Mirko Çolak.

Incidenti ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë, ku Rijeka fitoi 3:2, shkruan Gazeta Olle.

Pas ndeshjes, derisa të dy lojtarët ndodheshin në parkingun e stadiumit, Grezda ka goditur me dorë kundërshtarin, shkruajnë mediat kroate.

Për këtë incident ka reaguar Grezda i cili ka thënë se është provokuar nga kundërshtari.

“Kur vjen puna te fyerjet e rënda në aspekt personal dhe kombëtar, qoftë si njeri, qoftë si sportist, jam shumë i ndjeshëm. E gjitha kjo ndodhi jo vetëm gjatë ndeshjes, por dhe pas saj. Unë po qëndroja përpara autobusit të skuadrës sime dhe sulmuesi rival Colak po kalonte para meje në mënyrë provokuese”, u shpreh Grezda.

Ndërsa, pas këtij reagimi të Grezdës, ka reaguar edhe sulmuesi kroat i cili i ka quajtur gënjeshtra deklaratat e gjakovarit.

“Mua më vjen keq që ka ndodhur ai incidenti sepse nuk kam pasur probleme as me Grezdën dhe as me lojtarët e Osijek, brenda dhe jashtë fushe. Emocionet janë në fushë, por jashtë saj ne i zgjasim dorën njëri-tjetrit dhe jemi miq të sportit. Kur mendova se sulmi fizik që më bëri Grezda ishte gjëja më e keqe që ndodhi, lexova edhe ato gënjeshtrat që ka thënë sot në deklaratën e tij, që unë paskam fyer atë në bazën kombëtare”.

“Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka të bëj fare me të vërtetën. Shpresoj se do të marrë ekspertët dhe ta ndihmojnë sepse më kanë thënë se ky nuk është incidenti i tij i parë i kësaj natyre. Qendrova i qetë sepse nuk dua të jap leksione të dhunës dhe është mesazh i gabuar për të rinjtë, sepse ne duhet të jemi modelet e tyre”, ka thënë Çolak.

Kurse, më poshtë mund ta shikoni videon e sulmit të Grezdës ndaj Çolak./Gazeta OLLE