Connect with us

“Mos ma prek Valbonën”, Rama i kthen përgjigje vajzës që shkruajti letrën

Kuriozitete

“Mos ma prek Valbonën”, Rama i kthen përgjigje vajzës që shkruajti letrën

“Mos ma prek Valbonën”, Rama i kthen përgjigje vajzës që shkruajti letrën

Kryeministri Edi Rama i kthen përgjigjen vajzës nga Tropoja që niste një letër nën titullin: “Mos ma prek Valbonën”.

Në letër Rama i shkruante kryeministrit që të anulojë ndërtimin e HEC-eve.

Në përgjigjen e tij Rama i shkruan vajzës se “Valbona nuk do të shkatërrohet nga ndërtimi i atyre dy HEC-eve! Thjesht nuk do të jetë më virgjëresha që ishte, por jini e bindur, do të mbetet një shtojzovalle e mrekullueshme me dy nishane të pakuptueshëm në trupin e saj”.

Përgjigja e kryeministrit Edi Rama:

LETËR NJË VAJZE NGA TROPOJA

E dashur vajzë nga Tropoja,

mora prej jush nga zyra ime e shtypit një letër të hapur në media (pa emër) të cilën ju e nisni kështu:

“Po ju drejtohem me një letër të hapur ju, kryeministër i vendit! Po ju drejtohem, me shpresën se nga ju do marr një përgjigje edhe pse e di që ajo përgjigje nuk do vijë, ndoshta kurrë”!

Nuk po ju pyes ku e dini ju që përgjigja ime nuk do t’Ju vijë, me siguri keni arsyet tuaja për ta thënë këtë me kaq forcë. Por dua ta mësoni, ndoshta për habinë tuaj më të madhe, se unë i’u përgjigjem të gjitha letrave që më vijnë.

Mbase s’do të keni më ndonjëherë frymëzimin a nevojën të më drejtoheni, po nëse do t’ju duhet të më shkruani, jo vetëm mua po edhe çdo anëtari të qeverisë, mjafton ta bëni këtë përmes platformës online shqiperiaqeduam.al dhe përgjigja nuk do të vonojë fare t’ju vijë! Për këtë herë, meqë ma keni dërguar letrën tuaj si ato shishet në det qëmoti, kështu po jua kthej dhe përgjigjen, me shpresën se shishja ime do t’u mbërrijë përmes detit të mediave online nëse nuk jeni pjesë e rrjetit këtu.

I kam ndarë të dyja në pjesë, edhe tuajën edhe timen, për lehtësinë e lexuesve që mund të mos e kenë lexuar tuajën e kësisoj mund të mos e ndiqnin dot timen.

“Sot po bie ndesh me të gjitha parimet e mia, me të gjithë ata kufinjtë që i kam vendosur vetes përgjatë këtyre viteve, sot po shemb gjithë ato kulte me të cilat jam rritur, dhe po i përgjerohem dikujt, po i lutem dikujt, në këtë rast ju. Zotëri! Të ju pyes diçka?

Keni dëgjuar ndonjëherë për nje vend alpin, të vogël të quajtur Tropojë?”, vijon letra juaj.

Natyrisht që ju e dini që unë kam dëgjuar për Tropojën dhe e kuptoj pozimin vetëviktimizues të pyetjes suaj, sinqerisht. Por më vjen mirë t’ju them me këtë rast se jo vetëm kam dëgjuar, po edhe e kam vizituar Tropojën, këtu e thuajse 30 vjet më parë si student i arteve, për një praktikë njëmujore, gjatë së cilës jam përpjekur t’ia pikturoj mrekullitë e kam pasur fatin të njihem me disa njerëz mbresëlënës, si edhe të dëgjoj për dervishin e famshëm të Luzhës. Pastaj, vite më vonë, jeta politike më solli përsëri në atë zonë që më pikëlloi me shëmbëlltyrën e papikturueshme të zymtisë prej paslufte që e kishte pllakosur dhe vënë përfund. Dhe së fundmi më risolli detyra si kryeministër, për të ndjekur projektet e Rilindjes Urbane që u financuan nga qeveria ime, duke çelur një kapitull të ri, shumë më të gjatë se sa faqja e çelur me ato projekte, të cilat sipas meje kanë sjellë ca dritë kundër zymtisë së trashëguar me vite të tëra… Apo ju nuk mendoni kështu ndoshta? Nuk e di, po kur e vizitova herën e fundit, gjatë fushatës elektorale, ndjeva përsëri dëshirën për ta pikturuar, mes rrezes së dritës së rikthyer në zemrën e Bajram Currit dhe zymtisë që ende mbretëron mbi ngrehinat në brendësi të trupit të qytetit, në pritje të investimeve të tjera për më shumë dritë.

Më pyesni pastaj, “Po ç’ju lidh ju ose mua me Valbonën?!”, dhe vijoni, “S’ma do mendja të mos keni qënë të paktën një herë në Valbonën alpine, ose të paktën një herë të mos jetë hapur një bisedë mes miqsh ku është përmendur emri i saj, ose, ose në takime zyrtare dhe konferenca ndërkombëtare kur u keni treguar të tjerëve për bukuritë e vendit tonë, s’ma merr mendja që s’e keni përmendur dhe Valbonën. Pastaj kur keni bërë mbledhje dhe keni diskutuar për buxhet, për fonde, për statistika, për turistë, besoj e keni dëgjuar dhe këtu emrin e Valbonës, kur ju kanë thënë që është rritur numri i turistëve në Shqipëri dhe një ndër vendet më të vizituara ka qënë Valbona”.

E vërtetë në fakt, kam qenë në Valbonën alpine dhe jam larë në ujin akull qelibar të asaj rrjedhe përrallore, asokohe kur ju tregova se e vizitova për herë të parë Tropojën. Edhe kur shumë më vonë kam diskutuar për buxhet e për fonde, e kam pasur parasysh Valbonën dhe kam kërkuar të financohet rruga e re e saj. E cila pat nisur nën qeverinë e mëparshme, po si të tëra rrugët e këtij vendi pat mbetur edhe ajo rrugëve, ndërkohë që tanimë është prej kohësh e përfunduar, në shërbim të banorëve dhe turistëve. Këta të fundit parashoh se do të shtohen, për çdo vit e më shumë, edhe falë këtyre e të tjera investimeve që do të bëjmë me patjetër për Tropojën (jo vetëm në qytet). Prandaj edhe po përpiqem të nxis investitorë për të ndërtuar hotele të klasit të parë në atë zonë të bekuar nga Zoti e të harruar nga robi për çerekshekulli liri-demokraci!

Këtu mbaron edhe pjesa që i përket pozimit vetëviktimizues të parashtresës suaj dhe më pas ju ekspozoni motivin e saj, “Dje ndodhi diçka që nuk duhej të ndodhte, ose ndoshta ishte e kushtëzuar që të ndodhte në mënyrë që unë t’u shkruaja ju. Dje morën një vendim zotëri, e dëgjuat?”.

Besoj e keni fjalën për vendimin e gjykatës lidhur me dy HEC-et që po ndërtohen në Valbonë apo jo?

“Dje vendosën “përfundimisht” ta shuanin Valbonën dhe lumin e saj. Nuk dua të them përfundimisht, prandaj dhe po e vendos në thonjëza, sepse nuk dua dhe as nuk do e besoj që nuk do ta dëgjoj më këngën e atij lumi. Ju, keni në dorë timonin apo jo?”.

Timoni që unë kam në dorë nuk drejton gjykatat, e dashur vajzë nga Tropoja! Sepse gjykatat janë një pushtet tjetër, i pavarur siç i përcakton kushtetuta dhe i korruptuar siç i përcakton populli; opinion që unë e ndaj plotësisht. Timoni që unë kam në dorë drejton thjesht dhe vetëm shumicën qeverisëse. E cila po ju mësoj nëse s’e dini apo nëse e keni harruar, ka ndërmarrë me kurajo e vendosmëri reformën në drejtësi dhe ka mundësuar Vetingun, të vetmet gjëra që mund të bënte pas çerekshekulli kalbëzim të drejtësisë, një shumicë qeverisëse e përgjegjshme për rolin e saj, në shërbim të drejtësisë që duan e që meritojnë njerëzit e këtij vendi. Por ju mbase e ligështuar prej vendimit të gjykatës, nuk doni ta dëgjoni këtë arsyetim, sepse përndryshe nuk do të ma kërkonit mua që me timonin tim të kthej nga rruga makinën e gjykatës!

“Prandaj bëni diçka se timoni po ju ikën nga duart! Bëni diçka ju lutem që të mos jeni as ju as ne humbës!” vazhdoni ju.

Në fakt unë e kam bërë detyrën time, domethënë gjithçka që mund të bëja, për një projekt që të miratuar më parë nga dikush që fjalën Tropojë e ka dëgjuar shumë dekada para meje dhe Valbonën e ka shijuar mijëra e mijëra herë më shumë se sa unë. Në projektin e miratuar prej tij nuk ishin dy, sa janë sot, po katër HEC-e dhe plus një varg të tjerësh me radhë, bash 13 HEC-e(!) përgjatë Valbonës! Dhe këta katër, që kishin kry punë me shtetin me të gjitha letrat, ishte qeveria ime që i frenoi për t’i rishikuar, duke i reduktuar në dy në numër dhe transformuar në formë e përmbajtje; ndërkohe që vargut të 9 të tjerave nuk u janë dhënë letrat e fundit që u mungonin.

Do të më vinte keq nëse do ta merrnit këtë shpjegim si fajësim të atij që i’a bëri peshqesh Tropojës e Valbonës këtë zhvillim të paarsyeshëm, sepse në fakt çka dua të bëj është vetëm t’ju tregoj se e kam bërë gjithçka ka qenë e mundur me timonin tim, që dy HEC-et e dala nga rishikimi të bëheshin miqësore me mjedisin. Dhe më besoni, janë shumë më të pranueshme se ç’ishin, edhe pse unë ato leje s’do t’i kisha dhënë kurrë (por as nuk i anulloja dot, sepse janë dhënë nga qeveria shqiptare e kjo, ligjërisht do të mjaftonte që në rast anullimi, HEC-et të bëheshin prapëseprapë – jo 2 po 13 – edhe shteti të merrte penalitet financiar, për mohimin po nga qeveria shqiptare të një të drejte të dhënë më parë).

“Po ju lutem, po ju përgjërohem ashtu siç nuk i jam lutur as përgjëruar askujt më përpara! Po ju lutem të vini dorën në zemër, po ju lutem me lot në sy! Po ju përgjërohem sepse vetëm ju mund të bëni diçka ! Ju lutem zotëri! Mos i lini të na e shkatërrojnë Valbonën! Do jem në pritje të një përgjigje nga ju, një përgjigje që uroj të vijë para se të jetë shumë vonë…”, përfundon letra juaj.

Përgjigjja ime siç e shihni erdhi shumë shpejt, edhe pse jo ashtu siç do ta donit ju përmbajtjen e saj! Sepse timoni që unë kam, nuk është çudibërës dhe makina që unë drejtoj as nuk i neutralizon dot të gjitha minat e vëna në të shkuarën në rrugën tonë, as nuk hyn dot në korsinë e pavarur të makinës së pushtetit gjyqësor. Të cilën vetëm zbatimi i reformës në drejtësi dhe Vetingut, mund ta çojë për skrap që, pastaj të futet në atë korsi një makinë e re me shoferë që nuk grabisin pasagjerët e tyre.

Por sidoqoftë, në mbyllje, për aq sa mund të vlejë kjo që po ju them, mos u ligështoni më shumë se sa ç’duhet, sepse Valbona nuk do të shkatërrohet nga ndërtimi i atyre dy HEC-eve! Thjesht nuk do të jetë më virgjëresha që ishte, por jini e bindur, do të mbetet një shtojzovalle e mrekullueshme me dy nishane të pakuptueshëm në trupin e saj.

www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top