Ndërron jetë gazetarja e RTK-së, Ardita Sylejmani –Bllaca

Gazetarja e RTK-së, Ardita Sylejmani, ka ndërruar jetë në Budapest të Hungarisë. Gazetarja me prejardhje nga Gjilani dyshohet se ka humbur jetën gjatë procesit të lindjes.

Dyshimet e para janë se ajo ka pasur komplikime shëndetësore, ndërsa përkundër përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur të mbijetojë.

Gazetarja Sylejmani është bashkëshorte e Shpend Bllacës, të punësuarit në stafin diplomatik të Republikës së Kosovës në kryeqytetin hungarez.

Ajo ka lënë pas vetes tre fëmijë, përfshirë edhe vajzën e sapolindur.

Me këtë rast drejtori Gjeneral i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, e ka lëshuar një telegram ngushëllimi, në të cilin thuhet:

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të koleges, gazetares së dhomës së lajmeve Ardita Sylejmani – Bllaca.

Ardita dha një kontribut të madh në RTK gjatë tërë kohës sa ka punuar në dhomën e lajmeve. Prandaj, humbja e saj është humbje e madhe për Radio Televizionin e Kosovës.

Përkushtimi në punë në secilën detyrë që iu është besuar, si dhe dashuria për profesionin, bëjnë që Ardita Sylejmani – Bllaca të mbetet në kujtesën e familjarëve, miqve dhe kolegëve.

Familja Sylejmani, familja Bllaca si dhe kolege te RTK-se dhe me gjere pranoni ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e saj nga jeta”.