Plas sherri pas emisionit, burri i ministres Shahini përleshet fizikisht me kandidatin e Vetëvendosjes

Një debat me tone të ashpra ka ndodhur në emisionin “Pressing” në T7 në Kosovë, ku është përfshirë edhe Dardan Molliqaj, bashkëshorti i ministres së Arsimit, Besa Shahini.

Pas debatit në studion e emisionit, Molliqaj që vjen nga koalicioni PSD-AAK dhe Haki Abazi, kandidat për deputet i Vetëvendosjes, janë përleshur fizikisht.

Lajmi është bërë i ditur nga mediat kosovare, të cilat shkruajnë se mes dy politikanëve fillimisht ka pasur debate, më pas ata kanë ofenduar njëri-tjetrit, dhe në fund përplasja degjeneroi në përleshje fizike.

Drejtuesi i emisionit, Leonard Kërquki tha se kandidati i Vetëvendosjes, Haki Abazi i tha se Molliqaj dhe shoqëruesi i tij e kanë sulmuar.

Megjithatë, Molliqaj e ka mohuar një gjë të tillë, duke theksuar se i pari që sulmoi ishte Abazi.

Sipas mediave kosovare, Haki Abazi është shoqëruar në polici.