Connect with us

I rrita vëllezërit e më kthyen shpinën!

Kuriozitete

I rrita vëllezërit e më kthyen shpinën!

E dini që dashuria jo gjithnjë sjell dhimbje? A e dini se ka nga ato dashuri triumfuese të cilat shumë njerëz i kanë zili? Unë e përjetova një të tillë, por Zoti nuk donte që lumturia ime të vazhdonte më tej dhe tani të kisha në krah njeriun që e ndryshoi jetën time përgjithmonë. Unë jam Bora nga Pogradeci, 36 vjeçe, prej 6 vjetësh e ve dhe me një djalë që e kam engjëllin tim. Jeta më ka përballur gjithnjë me fatkeqësi dhe vuajtjet që kam kaluar kanë qenë të mëdha, madje ato vazhdojnë të mos më ndahen edhe sot e kësaj dite… Këto dhimbje kanë filluar që në moshë të vogël, kur të dy prindërit e mi vdiqën në një aksident rrugor i cili ua mori jetën në rini, kur ishin vetëm 42 vjeçarë. Në atë kohë unë isha adoleshente dhe dhimbja që kam kaluar nuk mund të përshkruhet me fjalë. Pas kësaj, jetova me gjyshërit e mi të cilët vdiqën duke u përkujdesur për mua dhe vëllezërit e mi që, pas disa kohësh, për shkak të gjendjes së rëndë financiare (jetonim vetëm me pensionin e gjyshes) u detyruan të emigronin në Greqi. Për disa kohë, i humbëm plotësisht kontaktet me ta, pasi në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë ilegale u kapën nga policia greke dhe për disa kohë qëndruan në burg. Gjatë kësaj periudhe, u mundova të futesha në punë në një lokal aty në lagje, si e si të ndihmoja gjyshërit e mi të cilët po sfiliteshin për të na rritur. E merrni me mend vetë si mund të jetë puna e një femre si unë në atë lokal ku përgjithësisht mblidheshin vetëm burra pijanecë nga të cilët do dëgjoje vetëm ofendime dhe tentativa ngacmimi. Sikur të mos mjaftonte kjo, pronari i lokalit më kërkonte gjithnjë punë plus, duke më sjellë një lodhje rraskapitëse të cilën e shfaqja në shkollë. Shkollës nuk i kushtoja fare rëndësi, shkoja sa për të kaluar radhën dhe mësuesit, duke e ditur historinë time, më kalonin gjithnjë, pasi i dinin mirë mundësitë e mia për të mësuar dhe, falë Zotit, më mbështetën. Gjithë dita më kalonte sa në shkollë, sa duke u marrë me punët e shtëpisë, pasi gjyshja ishte e sëmurë dhe nuk kishte mundësi, kurse pjesën tjetër të kohës e kaloja në punë. Për mua, gjithçka ishte gri, nuk kisha njohur ditë të bardha në jetën time, por vetëm vuajtje pa fund. Pasi vëllezërit e mi u kthyen nga Greqia, u bëmë më shumë vetë në shtëpi dhe, për pasojë, u detyrova të lija shkollën e të filloja një punë tjetër në mënyrë që të siguroja më shumë të ardhura. Për vëllezërit u përpoqa pasi doja që ata të vazhdonin shkollën e të mësonin dhe jo si unë. U bëra mamaja e tyre, pasi po i rrisja vetë, po i mësoja dhe po i edukoja. Pas disa vitesh, gjyshi im na la dhe u bashkua me engjëjt në qiell. Që aty fillova të dobësohesha dhe për disa kohë, u sëmura. Gjyshi ishte pika ime e dobët, ai gjithmonë më kishte mbrojtur nga çdo e keqe e mundshme dhe më kishte qëndruar pranë pa asnjë kusht. Nuk e dija se ç’do më ndodhte që këtej e tutje dhe kisha një frikë të paimagjinueshme për të ardhmen time. Ditët kalonin njëra pas tjetrës dhe unë nuk e kuptoja që me kalimin e kohës, po rritesha më shumë dhe po bëhesha një grua e madhe… edhe pse jeta më kishte rritur vetë para kohe. Vëllezërit më ndalonin për shumë gjëra, pasi ishin fanatikë dhe shpesh, e gjeja veten të kufizuar. Shumicën e kohës më shoqëronin te të dyja punët dhe rrinin jashtë pasi mendonin se mos unë kisha të dashur, apo qoftë edhe nga frika se mos më ngacmonin. Unë isha motra e tyre e vetme dhe më mbronin me një fanatizëm të shenjtë. Puna e dytë që fillova, ishte në një supermarket aty afër në lagjen time. Pas ardhjes së vëllezërve nga Greqia, gjyshja i kërkoi një shoqes së vet (shumë në gjendje) të më gjente një punë dhe ajo më futi në dyqanin e djalit të vet. Nuk mund të refuzoja. Gjithçka varej nga unë që nga ai moment. Unë isha gruaja dhe burri i shtëpisë, babai dhe nëna, duhet të mbaja gjyshen e sëmurë dhe të “rrisja” vëllezërit e mi jetimë. U mundova shumë për të tre vëllezërit, që t’i shkolloja dhe të mos i bëja si veten… injorantë! Shpesh më thonin se donin të fillonin punë njësoj si unë, por unë u premtova se ata do shkolloheshin, do bëheshin dikush në jetë, ashtu siç u kisha premtuar prindërve të mi. Pavarësisht të gjithave, do të mundohesha dyfish, do të mundohesha edhe për ta, do të punoja edhe në 3 punë, po të mundesha. Çdo vit, me një supermundim qoftë nga unë, qoftë nga ana e gjyshes së sëmurë, u blinim librat, i çonim në shkollë, u blinim veshjet, u paguanim çdo detyrim nga shkolla dhe i ushqenim, ndërsa ata ma shpërblyen në një mënyrë tjetër.

Gjithsesi, rrjedha e ngjarjeve vazhdonte të ishte si mos më keq. Puna në supermarket paradite me sfiliste për vdekje, madje edhe moralisht, pasi përballë supermarketit ku punoja unë ishte një gjimnaz dhe kur shihja gjithë bashkëmoshatarët e mi të cilët vazhdonin jetën e tyre normalisht, kishin gjithçka dhe qaheshin se nuk kishin asgjë, më vinte të plasja. Po unë, ç’duhet të thoja?! Mbasditja ishte po ashtu, e lodhshme. Kisha kohë sa të shkoja në shtëpi dhe të haja. Direkt duhet të shkoja në punën te lokali. Aty fillonte rutina e përditshme e sharjeve të pafundme, e njerëzve që mendonin se me alkool do shëronin dhimbjet e jetës, e njerëzve po aq të trishtuar sa unë. Lodhje, dhimbje, lot. Nuk e di a kishte njeri më fatkeq se unë. E vetmja gjë për të cilën falënderoja Zotin, ishte se isha gjallë, por me gjithë ato mundime që kisha, nuk e di nëse dëshiroja më të jetoja apo jo… Gjithë kjo rëndesë e madhe psikologjike ndikoi keq tek unë pasi jo pak herë tentova vetëvrasjen… E provoja me çdo gjë dhe jo pak herë kam përfunduar në spital, me gjyshen e cila sa herë që unë veproja në mënyrë të tillë, shkatërrohej nga pak dhe vdiste përbrenda. Për këtë, më ndihmoi një grua e cila kishte qenë shoqe e mamit tim. Ajo ishte psikologe dhe më ndihmoi ta kaloja këtë gjendje të vështirë. Disa kohë qëndrova në shtëpi pasi nuk mund të bëja asgjë, as për vete, as për vëllezërit e gjyshen, por pushimi imi zgjati shumë pak pasi gjyshja u sëmur rëndë, i ra paralizë cerebrale. Kjo ishte një goditje e tmerrshme për mua! Përpos të gjitha mundimeve që kisha, tani më duhej të kujdesesha edhe për gjyshen. Fillimisht, lajmëruam hallën time të vogël e cila jetonte në Itali, të kujdesej ajo për njëfarë periudhe pasi unë nuk mund të bëja më shumë. Veten e kisha harruar plotësisht, isha dobësuar e isha kthyer në një tjetër njeri, por edhe për të dashurit e mi më shumë se aq nuk mund të bëja, pavarësisht dëshirës sime të mirë. Pasi erdhi halla ime Mirjeta, në Shqipëri, gjithçka u bë më e lehtë për mua. Ajo më ndihmoi jo vetëm me gjyshen, por edhe me shtëpinë e me vëllezërit, kujdesej për ta. Por halla nuk do qëndronte përjetësisht në Shqipëri, pasi kishte një burrë dhe dy vajza të vogla në Itali të cilat kërkonin kujdes. Pas ndonjë muaji, halla u nis për në Itali dhe gjithë barra sërish më ngeli mua. Vëllezërve më të vegjël nuk u ngarkoja asgjë, pavarësisht se ata insistonin të futeshin në punë pasi e shihnin që pas gjendjes që po kalonte gjyshja, gjithçka ishte bërë më keq… Por, koha tregoi që gjërat mund të shkonin edhe më keq se aq, pasi pas disa muajsh gjyshja na la dhe u bashkua me gjyshin në qiell. Nuk dija ç’të ndjeja më parë, dhimbje apo lehtësim? Tashmë, edhe ajo që unë e quaja nënë të dytë, iku dhe më la vetëm… Nuk mund as të tregoja dobësi, pasi unë duhet të isha “shtylla” e shtëpisë tani, ajo ku do mbështeteshin të gjithë. Të gjithë… Nuk ishin shumë. Kisha mbetur e vetme me tre vëllezërit e mi të vegjël, që tashmë nuk ishin edhe aq të vegjël. Pas vdekjes se gjyshes, shumë të afërm erdhën për disa kohë dhe ndenjën me ne, por mua gjithçka më dukej e shtirur. Nëse ata do kishin dashuri të vërtetë për ne, do ta tregonin më parë, që në momentin që na vdiqën prindërit dhe do kujdeseshin për ne, por ata as që e morën ndonjëherë mundimin të na telefononin e jo më gjëra të tjera më të mëdha! Halla që u përkujdes për gjyshen një periudhë dhe e pa se si po jetonim ne, propozoi që unë të shkoja me të në Itali! Kjo më erdhi aq papritur, po nuk u mendova dy herë dhe menjëherë thashë “jo”. Po vëllezërit?! Kush do kujdesej për ta?! Ata ishin në gjimnaz, ende nuk e kishin mbaruar shkollën dhe nuk mund të punonin pasi nuk do t’u dedikoheshin plotësisht mësimeve. Halla u përpoq më shumë të më mbushte mendjen për po, pasi ajo jetoi me ne ca kohë dhe e pa se si mundohesha e robtohesha unë dita-ditës dhe humbisja veten. Gjërat në Shqipëri ishin edhe më të vështira, ndaj e mira e të mirave do të ishte ta provoja një herë. Pastaj, atje do të kisha edhe një mbështetje, nuk do të isha vetëm. Kur ua tregova vëllezërve këtë propozim, më thanë “jo”. Ata, ca ishin fanatikë dhe kjo ishte disi e tepërt për ta, por halla, insistoi. Në fund të fundit, duhet të vendosja unë për veten time. Vëllezërit menduam t’i linim të shtëpia e xhaxhait, i cili ka pasur një marrëdhënie vetëm formale me ne, asnjëherë nuk na ka dashur me atë dashurinë që të gjithë ne duam të afërmit tanë. U detyrua, nga halli, t’i mbante nipërit e tij për disa kohë në shtëpi, sa të kthehesha unë ose sa ata të mbaronin shkollën. Që pas marrjes së atij vendimi, marrëdhënia ime me vëllezërit ndryshoi. Ata filluan të më mbanin inat, jo vetëm për faktin që unë po i lija vetëm dhe po largohesha nga ata (edhe pse për të mirën e tyre), por edhe pse po i lija në shtëpinë e një njeriu gati-gati të huaj për ta, por unë nuk mund ta duroja më atë situatë. Do çmendesha nëse nuk provoja diçka tjetër, diçka të re. Kështu, pas katër ditësh, u nisa më hallën time për në qytetin ku ajo jetonte, në Palermo. Gjatë gjithë udhëtimit vetëm qaja, ndërsa halla mundohej të më qetësonte. Pasi shkova në shtëpinë e saj, më erdhi një ndjesi e afërt me lumturinë… Nuk e di, por pavarësisht të gjithave, po mendoja se edhe vetja ime ishte e rëndësishme, jo vetëm të tjerët. Vajzat e hallës të cilat kishin krejt mentalitet tjetër, më ndihmuan shumë. Nuk doja të filloja shkollën, pasi më dukej e tepërt. Halla më futi në një kurs parukerie te disa shoqet e veta dhe unë fillova t’i jepja një drejtim të ri jetës sime. Me gjuhën nuk kisha shumë probleme, u mësova shpejt. Shumica e njerëzve që njihte halla ishin shqiptarë dhe ata më shumë flisnin shqip se italisht, por unë gjithsesi e mësova shpejt gjuhën. Ditët e para ishin të vështira, por jo aq sa në Shqipëri. Mundohesha të kontaktoja më vëllezërit e mi, por ata nuk ma ngrinin telefonin. Më vonë, mësova se xhaxhai i kishte vënë kundra meje, ua kishte helmuar mendimet me 1000 e 1 gënjeshtra nga më të ndryshmet që as mund t’i imagjinoja. Ata nuk donin as të më flisnin, as të më shihnin më. Po rriteshin vetë tanimë dhe e kishin harruar motrën e tyre që u kujdes për ta më shumë sesa për veten. Edhe sot e kësaj dite, ne nuk flasim, pasi ata janë mbushur me një urrejtje që shkatërroi gjithçka. Kalova një periudhë të keqe, por tashmë kisha mësuar gjëra të reja, isha rritur, kisha njerëz të cilët interesoheshin vërtet për mua. Më në fund, edhe unë po ndjeja dashurinë e njerëzve që më rrethonin, e njerëzve jo paragjykues, e njerëzve të cilëve nuk u interesonte e shkuara ime dhe çfarë kisha… Një ndër ta ishte edhe bashkëshorti im i ardhshëm, Pepe. Pepe ishte një mrekulli në jetën time, ndoshta dhe më shumë se kaq, nuk e di se ç’emër mund t’i vë! Ne u njohëm nëpërmjet kushërirave të mia, që e kishin shok të mirë dhe ma prezantuan. Tërheqja jonë ndodhi që në momentin e parë që u pamë. Ai u kishte rrëfyer kushërirave të mia që më kishte pëlqyer shumë dhe unë u rrëfeva atyre po të njëjtat gjëra. Ato u bënë ura jonë lidhëse. Pavarësisht se halla nuk ishte fare paragjykuese, ne donim që disa gjëra t’i mbulonim. Vajzat e hallës u bënë si motrat e mia. Nuk e di se si, por u buronte një dashuri e pastër nga shpirti, të cilën ma jepnin përditë. Takimet me Pepen shtoheshin; telefonatat, lulet, mesazhet… Ai djalë ishte një njeri shenjt, perfekt. Me sa dukej, Zoti solli diçka të mirë në rrugën time, pas gjithë atyre që kisha kaluar. Fejesa jonë erdhi vetvetiu dhe pas saj, erdhi edhe bashkëjetesa. Në shtëpinë e tij ose më saktë, të prindërve të tij, filluam të formonim jetën tonë. Ai punonte në një kompani mobiljesh si menaxher, ndërsa unë fillova punë si ndihmësparukiere dhe gjithçka po shkonte mirë. Lumturia shtohej dita-ditës, prindërit e tij ishin shumë të sjellshëm dhe kisha marrëdhënie të përkryera me ta. Lumturia jonë arriti kulmin kur morëm vesh që unë kisha një engjëll të vogël në barkun tim. Ndjesia e mëmësisë është e papërsëritshme dhe pak mund të më kuptojnë. Një mrekulli e vërtetë! Por, dukej se Zoti kishte plane të tjera për atë fëmijë; Ai donte ta linte jetim! Një ndër gjërat më të këqia që më kanë ndodhur në jetë është vdekja e Pepes. Ajo ndodhi aq papritur, sa ende nuk e besoj se ka ndodhur vërtet… Bashkë më të, vdiqa edhe unë. Tani jetoj vetëm për Anxhelon, djalin tim tashmë 6 vjeç, i cili më pyet shpesh se ku është babi i tij. Nuk dua ta marr më veten, jam e lodhur tashmë. Kam vendosur të jetoj për inerci… Unë vazhdoj të jetoj në Itali, bashkë me prindërit e Pepes, për të cilët edhe kujdesem. Anxhelo është kthyer tashmë në birin e tyre të vetëm dhe unë kurrsesi nuk i ndaloj të kenë afrimitet, përkundrazi. Pepe, jam e sigurtë që na sheh nga lart dhe është krenar për ne që po ia dalim t’i mposhtim ditët një nga një, por duket se vuajtjet dhe surprizat e jetës janë të pafundme. Gjithë çfarë dua t’ju them është të qëndroni të përgatitur!

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top