Shpërthen 26 vjeçari: Nusja ime duhet të jetë …, dhe jo siç e kërkon mami apo tezja e halla

Ndërhyrjet e familjes në jetën private të një djali nga Tepelena e kanë bërë këtë të fundit të kalojë momente tensioni me veten.

“Jam një djalë 26 vjeç.

Jetoj në emigracion dhe si gjithë nënat shqiptare që vdesin të na martojnë me vajza shqiptare, edhe mami im nuk bën përjashtim. Mami im dëshiron që unë të martohem me një vajzë që ajo e ka zgjedhur të jetë nusja ime e ardhshme.

Nuk kam asgjë kundër asaj vajze, por mesa kam folur me të ajo është fiks nuse për mamin tim, por jo për mua.

Jam rritur në një vend europian, më saktë e tërë adoleshenca më ka shkuar këtej dhe kam kuptuar diçka nga lidhjet:

Femrën e dua për vete, jo për prindërit. Prindërit duhet të m’i respektojë aq sa i takon, ama mua dua të më bëjë qejfin e të jetë me mua e lumtur.

Kam shumë shokë këtej që kanë marrë vajza nga Shqipëria, shumë të mira në disa raste, ama nuk janë të lumtur sepse nuk e kanë zgjedhur me dëshirën e tyre, por me lavdërimet e mamit apo tezes e hallës.

Pastaj vuajnë gjithë jetën ose përfundojnë nëpër divorce. Ama mua më ka zënë pika e hallit tani, sepse mami im është mërzitur shumë me mua që e kam refuzuar atë vajzë.

Mami më thotë që nuse e huaj nuk shkel në shtëpinë tonë. Unë nuk po them që do e marr patjetër të huaj, ama do e zgjedh vetë personin që dua të kaloj jetën.

Nuk di si ta bëj mamin të reflektojë sepse ka tre javë që nuk më del në skype. Unë e dua nënën time dhe do jepja jetën për të, ama jetën time nuk do ta djeg me martesa me mblesëri”- shkruan ai.