Connect with us

Si e zhvati Enertila drejtorin e postës, zbulohen milionat e harxhuara për dhuratat luksoze

Showbiz

Si e zhvati Enertila drejtorin e postës, zbulohen milionat e harxhuara për dhuratat luksoze

Prokuroria ka regjistruar procedimin e mësipërm penal pasi nga materialet e referuara nga Policia e Shtetit,ka rezultuar se në 22 gusht 2017 është paraqitur përpara oficerëve të policisë gjyqësore, shtetasi Barush Ahmati, punonjës i Postës Shqiptare Manzë, i cili kallëzon se për një periudhë dyvjeçare ka komunikuar me një shtetase që përdorte numrin celular 0665528XXX dhe 0688434XXX si dhe një adresë në facebook me emrin “Elona Gjoka”, e cila pretendonte se do të lidheshin dhe më pas do të martoheshin së bashku. Kjo shtetase, në bashkëpunim me të tjerë, i kanë kërkuar dhe marrë me anën e mashtrimit dhe të kërcënimit, në kohë të ndryshme, shuma të ndryshme parash, sende me vlerë, pajisje shtëpiake, elektro-shtëpiake etj, të cilat kapin një dëm prej rreth 6.000.000 lekësh”.

I mobiloi shtëpinë e i bleu unaza 2 mln lekë

“Në muajin mars të vitit 2015, e ka marrë në telefon një numër privat ku i ka dalë një zë femre që i ka thënë se “…të njoh ty, që punon ke posta e Manzës…”. Pas dy ditësh i kishte bërë ftesë një adresë në facebook-un e tij me emrin Elona Gjoka. Ai e ka pranuar këtë adresë dhe ka vazhduar të komunikonte me të, ku ajo i ka thënë se ishte nga Manza dhe që jetonte në Itali me familjen e saj, por kishte ardhur me pushime në Manzë. Ajo e ka marrë në telefon me numrin 0665528XXX dhe 0688434XXX.

Nga muaji shtator i vitit 2015, ajo i ka kërkuar një ndihmë që t’i blinte një palë divanë familjes së Myrteza Beqjas nga Manza dhe kallëzuesi i ka blerë në shumën 55.000 lekë dhe ia ka dërguar familjes së Myrteza Beqjas. Në muajin nëntor të vitit 2015, ajo i ka kërkuar që t’i blinte tri dyer druri për familjen e Myrteza Beqjas dhe ai ka shkuar dhe i ka blerë te “Megatek”, në shumën 34.000 lekë dhe i ka dërguar në shtëpi.

Pas disa kohësh ajo i ka thënë për disa bizhuteri floriri për t’ia blerë me pretendimin se do të bënin fejesën rreth Vitit të Ri 2016 dhe ai i ka blerë dy unaza floriri në shumën rreth 30.000 lekë të reja dhe orë, varëse, vëthë floriri në shumën rreth 80.000 lekë të reja,të cilat i ka dërguar te shtëpia e Myrteza Beqjas.

Gjatë komunikimeve nga muaji mars i vitit 2016, ajo i ka kërkuar që t’i blinte unaza floriri për familjen e tyre, Myrteza, Emine dhe Enertila Beqja. Ai ka shkuar në Durrës, pranë argjendari “Kapedani”, ku ka blerë dy unaza floriri, dy varëse dhe një orë në shumën rreth 200.000 lekë dhe ia ka dërguar te shtëpia e Myrteza Beqjas.

Po gjatë kësaj periudhe, ajo i ka kërkuar që të blinte dhe gjëra të tjera si pllaka shtrimi, minibar, kundërbufe, perde, dhomë gjumi, tapete, tavolinë kuzhine së bashku me gjashtë karrige, dy krevate druri të vegjël, dyshekë “Dormeo”, televizor i markës “Sony” dhe dy të markës “LG”, aparat digitalb “HD”, lavatriçe, frigorifer, një pistë vrapimi, 36 m2 parket laminat për shtresë dhe t’ia kompletonte të gjithë shtëpinë. Ai ka rënë dakord të shkonte në dyqane dhe në bazë të fotografive që ky ia ka dërguar në facebook, ato që i kanë pëlqyer i ka blerë dhe ia ka dërguar. Të gjithë artikujt kanë qenë në vlerën rreth 400.000 lekë të reja.

I bleu dhe tre qen kanarina e papagaj

Po kështu ka blerë dhe ka dërguar te banesa e Myrteza Beqjas  edhe tre qen, disa zogj kanarina dhe Papagaj, së bashku me kafazet, si dhe dy qengja, një këndore me kolltukë, një kolltuk tek, një tavolinë së bashku me karrige plastike që rrinë jashtë në verandë.

Marrja e shumës prej 10 mijë euro

Gjatë vitit 2016 shtetasja e paraqitur me emrin Elona i ka kërkuar shuma të ndryshme nga 200 deri në 1.000 euro, të cilat kallëzuesi Barush Ahmati ia ka dërguar te shtëpia e Myrteza Beqjas, shuma të cilat shkojnë rreth 10.000 euro. Më pas i ka kërkuar që t’i blinte sende shtëpiake të ndryshme si sobë drush, tuba shkarkimi, katër topa katroma për izolimin e shtëpisë, 30 metra linearë tub për kanalet e ujërave të zeza etj., të cilat ky i ka blerë dhe vlera e tyre ishte rreth 80.000 lekë dhe ia ka dërguar në shtëpinë e Myrteza Beqjas.

Dy milionë lekë për djalin e sëmurë

Më pas shtetasja e prezantuar me emrin Elona i ka kërkuar ndihmë për djalin e sëmurë të vëllait dhe kallëzuesi i ka dërguar rreth 200.000 lekë. Elona i ka kërkuar që t’i blinte dy aparate telefoni Samsung dhe dy aparate telefoni “Iphone-6” dhe “Iphone-7+”, si dhuratë për fejesë. Ky i ka blerë telefonat me një vlerë që shkonte rreth 360.000 lekë. Elona i ka kërkuar disa pajisje shtëpiake si enë kuzhine, lavastovilje, frigorifer, televizor si dhe disa pajisje për kozmetikë, ku vlera e tyre arrinte rreth 500.000 lekë dhe të gjitha këto i ka dërguar te shtëpia e Myrteza Beqjas.

Dhënia e 6 mijë eurove

Në muajin korrik të vitit 2017, me të dëmtuarin Bajrush ka komunikuar një bashkëpunëtor i shtetases së prezantuar me emrin Elona (që prezantohej si i ati), i cili i ka kërkuar një shumë prej 5.000 eurosh dhe ky ia ka dërguar te shtëpia e Myrteza Beqjas dhe pas disa ditësh ai i ka kërkuar edhe 1.000 euro të tjera, të cilat ia ka dërguar po te kjo shtëpi. Gjatë korrikut të vitit 2017, ata i kanë kërkuar që të blinte një qen, një “Iphon 7+”, disa kanarina, si dhe ushqim për to, një palë divane të tjera si dhe një motor për Myrteza Beqjan, për të cilin i ka dërguar edhe kopjen e kartës së identitetit. Të gjitha këto i ka blerë në shumën rreth 300.000 lekë të reja dhe ia ka dërguar te shtëpia e Myrteza Beqjas. 

Kthimi mbrapsht i 10 mln lekëve e kërcënimi me vrasje

Gjatë muajit gusht 2017, ai ka kuptuar që shtetasja e prezantuar me emrin “Elona”, e kishte mashtruar dhe ai i ka thënë asaj që kishte një problem te puna dhe i duheshin 100.000 lekë të reja. Nga ana e saj ajo i ka thënë që të shkonte e t’i merrte te shtëpia e Myrteza Beqjas. Ai ka shkuar te shtëpia e tij, pasi i ka rënë ziles ka dalë Emine Beqja me një zarf në dorë dhe brenda tij ishin 100.000 lekë të reja.

Të nesërmen ai ka komunikuar me të, ku i ka thënë se i duheshin 5.000 euro se kishte probleme te puna. Ajo i ka thënë se nuk kishte ku t’i merrte dhe se do t’ia niste për një mikun e tij ditën e shtunë, para dy javësh. Ka shkuar herë pas here te shtëpia e Myrteza Beqjas duke i pyetur se mos kishte ardhur një porosi. I është përgjigjur Emine Beqja që nuk kishte ardhur gjë dhe i ka thënë që të mos shkonte më te shtëpia se do ta vriste dhe duke i thënë gjithashtu se ajo nuk e dinte se kush e kishte mashtruar me këto muhabete. Ka shkuar përsëri ditën e shtunë, në datën 12 gusht 2017 te shtëpia e Myrteza Beqjas, për të kërkuar sërish se mos kishte ardhur një porosi.I është përgjigjur Myrteza Beqja se nuk kishte ardhur gjë.

Kërcënimi, “…do të shihemi ndryshe bashkë…”

Ditën e hënë, në datën 14 gusht 2017 në mëngjes ka takuar Myrteza Beqjan, të cilin e ka marrë në makinë dhe e ka pyetur se kush është personi që e ka porositur për të sjellë gjërat te shtëpia e tij. Ai është përgjigjur se nuk dinte gjë se kush është ai person që e kishte mashtruar. Ai më pas ka zbritur nga makina dhe i ka thënë se “…do të shihemi ndryshe bashkë…” në formë kërcënimi.

I dëmtuari Barush Ahmati, ka deklaruar se shumicën e këtyre sendeve deri ditën e fundit kur ka shkuar te banesa e Myrteza Beqjas i ka parë të vendosura aty si dhe që përdoren nga familja e tij. Ai deklaron se për shumicën e sendeve të blera disponon faturat e blerjes dhe është në gjendje t’i njohë sendet që ka blerë po t’i paraqiten për njohje.

Kontrolli i shtëpisë

Në datën 20 shtator 2017 gjykata e Durrësit ka vendosur të autorizojë kontrollin e vendeve (banesës) së shtetasit Myrteza Besim Beqja, banues në fshatin Manëz, Durrës, për gjetjen dhe marrjen e provave materiale që lidhen me veprën penale objekt hetimi.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Myrteza Beqja, i cili jetonte së bashku me të bijën Enertila Beqja, u gjetën dhe u sekuestruan një pjesë e mirë e provave materiale të cituara më lart,të tilla si: lavastovilje, frigorifer, televizor, motoçikletë, kolltukë, tavolinë, si dhe dy aparate celulare “IPhone” që i dispononte Enertila Beqja, të cilat janë njohur nga i dëmtuari Bajrush Ahmati. Nga aktet e hetimeve paraprake rezulton se shtetasja Enertila Beqja, duhet të merret në përgjegjësi penale për veprën penale “Mashtrim”./panorama

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Showbiz

To Top