Connect with us

U largua nga DWM, Fiori Dardha reagon për herë të parë pas debatit me Robert Aliaj

Kuriozitete

U largua nga DWM, Fiori Dardha reagon për herë të parë pas debatit me Robert Aliaj

U largua nga DWM, Fiori Dardha reagon për herë të parë pas debatit me Robert Aliaj

Fiori Dardha la spektaklin DWM pas një debati me Robert Aliajn, por duket se komentet në internet nuk e lanë të qetë atë. Edhe pse ka kaluar më shumë sesa një javë dhe u duk sikur Fiori nuk do të fliste më për atë ndodhi, sot ajo ka shkruar një status të gjatë sepse me sa duket nuk ka mundur të mbajë për vete ndjesinë që krijojnë disa "ekspertë online". Fiori ka vendosur të flasë për shkak të komenteve fyese të atij publiku që pret rastin e ngjarjeve të tilla, apo që pa asnjë shkas, fyen e sulmon në internet sepse…kështu i pëlqen.

"E njoh mirë koston e të qenit person publik! Kam kohë që e paguaj këtë çmim, thuajse çdo ditë nga një këst, si të kisha marrë një kredi që nuk ka fund kurrë. E di mirë që nuk të kursejnë dhe që të gjithë janë të gatshëm të të hedhin si nje copë mish për hijenat online. "asnjeherë nuk do mbërrish në destinacion, nëse kthen kokën pas çdo qeni që leh" – ka thënë (pak a shumë) një njeri i mençur! Ka pasur të drejtë shumë!".

Disa vite më parë, kur fitova audicionin për të prezantuar "Fiks Fare", jam përballur me sulmin e parë të komunitetit online. Fyerje, sharje, vrer i derdhur nëpër komente, tituj helmues portalesh që më nguleshin pa mëshirë si thika çdo ditë. Muajin e parë që prezantova "Fiks Fare" m'u kthyen rrjetet sociale në makth. Çdo mbrëmje betohesha se nuk do të shkelja më në studio dhe në mëngjes i jepja kurajo vetes për të dhënë maksimumin në ekran. Njerëz me emër e mbiemër, (nga adoleshente e deri te mosha e prindërve të mi) dhe plot të tjerë anonime me profile false që nuk kurseheshin me fyerje nëpër komente. Pse?! Sepse kisha fituar me konkurs të drejtën për të prezantuar një nga emisionet me popullore në Shqipëri.

Vendosa t'i shpërfillja portalet dhe sidomos komentet poshtë lajmeve që sajoheshin aty për aty. Vetëm atëherë nisa të shijoj të qenit në ekran dhe t'i gëzohem punës sime. Një punë që nuk ma kishte falur askush, por që e fitova me meritë të plotë! Vetëm 2-3 muaj më vonë, të njëjtët portale që më kishin hedhur si një copë mish për të uriturit komentues online, nisën të shkruanin pozitivisht e harruan ç'kishin thënë disa kohë më parë. Për 3 vite në Fiks Fare, askush nuk mendoi për dëmin psikologjik që më kishte shkaktuar, askush nuk kërkoi falje për shqetësimin që i krijuan padrejtësisht familjes sime.

Sulmi i fundit ka nisur këto ditë! Pse?! Sepse reagova ashtu siç une e gjykova të drejtë në një spektakël. Edhe sikur ta kem gabim, kam të drejtën time të shprehem siç unë e mendoj. Ata, "ekspertët" online, nëse duan të kundërshtojnë, le ta bëjnë me argumenta, pa fyer, pa qenë nevoja të sillen si shpellarë. Nuk jam nga ato që nuk i pranoj kritikat, madje edhe reflektoj e reagoj kur ato qëndrojnë, por neveris tallagjarët që nuk lënë ofezë pa shkruar online. Jam mësuar të them përherë atë që mendoj, madje me zë të lartë. Kam disa parime që nuk i shkel dot, sepse në jetë kam gjëra më të shtrenjta se ekrani.

Kam marrë gjithmonë përsipër edhe riskun e gjykimit dhe krijimit të antipatisë tek ajo pjesë e publikut që pëlqen të shohë vetëm kukulla të bukura pa gojë në ekran. (Do të doja shumë që ky publik të njihte dhe të shihte qoftë edhe për 1 ditë të vetme në jetën reale ATO që serviren në ekran si shenjtore, të embla, syqeshura e gojësheqerka.) Gjithsesi, mua as këto nuk më shqetësojnë. Ka vend për të gjithë. E për ta mbyllur: Kam krijuar imunitet ndaj atyre që nxjerrin dufin online.

Ndonjëherë më ndodh t'i shoh profilin dikujt që ka derdhur vrer për mua dhe atëherë më kap e qeshura e them me vete "Si mund të merzitem me këtë. Ia vlen ta konsiderosh këtë 'gjënë'?" Po të jap një shembull, ju them se nuk do ta harroj kurrë një zonjë (ndonëse nuk e meriton ta quaj kështu), në moshën e mamasë sime, gjyshe, që nuk lë rast pa më fyer me një fjalor skandaloz sa herë sheh foton time ose lexon emrin tim diku. E kam "studiuar" rastin e saj, madje edhe kam reaguar një herë në nje prej komenteve të saj dhe zbulova që nuk i pëlqeja kur dilja në ekran.

Kaq mjaftonte që ajo të leshonte lumenj fyerjesh kudo ndaj meje. E vetmja gjë që më shqetëson në këto raste është familja ime. Tmerrohem kur mendoj lotët e nënës sime. Përpiqem t'i shpjegoj se njerëzit nuk duan t'ia dijnë dhe të sterrosin edhe kur nuk u shkakton asnjë dëm. Sa për kolegët e portaleve që nuk të kursejnë, u them që mos ta bëjnë pis shpirtin e profesionin e tyre, duke ua lëshuar si copë mishi jetën e tjetrit hijenave online", mbyll deklaratën e saj të gjatë Fiori. /b.l/noa.al/

www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top