Kuriozitete
Nuk pinte ilaçet e veta për të shpëtuar të birin e sëmurë, mesazhi i tij e bën të shpërthejë në lot
Në “Ka një mesazh për ty”, këtë radhë erdhi historia prekëse e Edonit, i cili kishte ftuar mamanë e tij Memduhanë, për t’i shprehur mirënjohjen për gjithçka që ajo ka bërë për të.
Ajo si të gjitha nënat, mendon më shumë për fëmijët e saj se sa për veten dhe kështu neglizhon ilaçet që i nevojiten për shkak se gjendja e tyre ekonomike nuk është shumë e mirë.
Edoni 20-vjeçar rrëfen vështirësinë e jetesës së nënës së tij në Milot, që prej martesës me të atin e tij, i cili për të siguruar para emigroi në Greqi, duke e lënë Memduhanë të rrisë 3 fëmijët e vetme.
Por si të mos mjaftonte kjo, Edoni në moshën 11-vjeçare shfaqi probleme shëndetësore. Fillimisht në Lezhë u dyshua për mish të huaj në hundë, por në Tiranë u zbulua se ai vuante nga “hardhuca kockore”, sëmundje shumë e rrallë.
Ai ishte personi i dytë në botë që vuante nga kjo sëmundje, e cila zhvillohej nga një lloj qelize që shfaqej në pjesë të ndryshme të trupit.
Ai tregon se e ëma i ka qëndruar gjithmonë pranë dhe kurrë nuk e ka lënë vetëm, duke harruar kështu veten dhe pjesën tjetër të familjes. Pasi u shërua dhe gjithçka dukej se ishte kthyer në normalitet, ai shfaqi sërish probleme shëndetësore 3 vite më parë dhe nuk mund të lëvizte, gjë që e lëndonte shumë të ëmën e tij, pasi Edoni nuk shkonte dot as në shkollë.
Kur erdhëm në Tiranë ishte shumë e dhimbshme. Unë kisha temperaturën 40-41, ajo edhe pse binte shi më mbulonte, më mbante në krahë gjithë kohës, edhe pse bënte vapë, edhe pse ishte sëmurë, pasi ka kaluar dy infarkte, ajo përsëri harronte veten e vet dhe vetëm më mbante mua në krahë e më çonte sa te një doktor te doktori tjetër. Ajo e ndjente, ajo e vuante edhe më shumë se unë.
Që atë moment unë i vura synim vetes, thashë që duhet të bëhesha i fortë dhe të vazhdoja përpara. Kur flas për mamin, të gjithë ata që më njohin e dinë që po flas për gjysmën time më të mirë!,-u shpreh Edoni.
Gjithmonë që mua më ikën fryma, kur më shkon në mendje se kam një djalë, më kthehet shpirti prapë. Ky më jep frymë, ky më jep jetë! Këta mi ka lënë babai të vegjël dhe i kam rritur me një sakrificë shumë të madhe, por nuk jam dorëzuar asnjëherë!,- tha ajo.
Sot duhet të qeshësh! Ta fillojmë që këtu duke qeshur,- i tha i biri.
Edoni përqafon të ëmën, duke na treguar kështu se sakrificat e nënave shpërblehen dhe fëmijët do t’u jenë përherë mirënjohës!