Kuriozitete
Më vraftë Zoti nëse dikë tjetër dua si ty!
Vjeshtë. Ditë me diell. Bien gjethet e vyshkura mbi tokë.
Do kalben e bëhen tokë. I shoh gjethet tek bien, kurse mendjen e kam te ti. Ka ditë që nuk të shoh, ka ditë që pres të ta prek dorën. Ka ditë që ndjej si më ka humbur qetësia dhe malin e kam shërimin më të mirë. Nuk i dua njerëzit, nuk i dua fjalët, nuk i dua shikimet, nuk i dua hapat e askujt, nuk e dua as veten… E dua malin shumëngjyrësh dhe dua të ec nëpër të, dua të flas me të dhe t’i tregoj sa shumë të dua. Dua t’i them se dukesh e bukur dhe e heshtur, e buzëqeshur… Vetëm mali më kupton, sepse jam lodhur nga bota njerëzore. Po ndjej se më duhet një botë tjetër…
Oh, më vraftë Zoti nëse unë nuk të dua! Më kupto, jam njeriu që flas gjuhën më të bukur me zogjtë, me kanarinat. Shoh si më ndjejnë, si flasin me mua…
Të kujtoj ty, e ti je kënga e himnit të gjithësisë. Hej, e dashur, e di ç’është himni i gjithësisë? Ti je ajo, ti je më e bukur se gjithë bota…
Sa herë që nuk të shoh, dije se jam i plagosur, se plumbi yt qëllon zemrën time dhe bie mbi tokë mu si gjethet me ngjyra magjepse.
Po, kujt t’i them se të dua? Kujt t’ia shpalos zjarrin?
Ditët ikin njëra pas tjetrës… E, unë dua të të dua përjetë, dua ta dish se të dua. Më vraftë Zoti nëse këto fjalë një ditë nuk bëhen elegji që të m’i recitosh kur të jem në gjumë të thellë, aty ku fle shpirti im, ku mbi të do del bari, do dalin lulet, e mbi to fluturat që i deshe.
Më vraftë Zoti nëse dikë tjetër e dua si ty!