Connect with us

Fëmijët e lindur në dimër kanë mushkëri më të ndjeshme

Shëndetësi

Fëmijët e lindur në dimër kanë mushkëri më të ndjeshme

Profesoresha Cecilie Svanes në Departamentin e Shëndetit Publik Global dhe Kujdesit Parësor në Universitetin e Bergen (UiB) i ka zbuluar së fundi tre faktorët e zhvillimit që ndikojnë në plakjen e mushkërive.

“Pasoja e një nëne e cila ka pirë duhan kur ishte shtatzënë me juve do të ndikojë në mushkëritë tuaja negativisht. E njëjta gjë ndodh nëse keni lindur gjatë muajve të dimrit, ose në qoftë se e keni përjetuar ndonjë infeksion të rëndë të frymëmarrjes në një moshë shumë të re”, shpjegon Cecilie Svanes.

Faktorët në jetën e hershme ndikojnë në mushkëri

Hulumtimi paraprak i Svanes ka treguar se faktorët në jetën e hershme ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e mushkërive. Në hulumtimin e vet të fundit, ajo i ka studiuar personat e moshës mes 40 dhe 70 vjeç, ku zbuloi se sëmundjet në jetën e hershme ndikojnë edhe në plakjen e mushkërive, transmeton koha.net.

“Është e logjikshme që zhvillimi i hershëm në jetë gjithashtu ndikon në sistemet që e mirëmbajnë trupin tonë dhe i riparojnë dëmet. Nëse është kështu, kjo mund të shpjegojë se pse disa persona nuk e tolerojnë ekspozimin ndaj helmeve të caktuara në jetën e mëvonshme. Dhe kjo është në fakt ajo që e kemi zbuluar”, thotë ajo.

Zbulimi është publikuar në revistën shkencore PlosONE dhe është një nga gjetjet e bëra në fazat përgatitore të projektit Aging Lungs in European Cohorts (alec), i cili është pjesërisht i financuar nga programi i EU Horizon 2020.

Pirja e duhanit ndikon në mënyra të ndryshme

Njerëzit të cilët janë ekspozuar ndaj faktorëve të lartpërmendur e kanë një rënie më të shpejtë në funksionin e mushkërive, që praktikisht do të thotë një proces më të shpejtë të plakjes. Megjithatë, kjo bëhet e dukshme vetëm nëse ata vetë fillojnë me pirjen e duhanit ose faktorë të tjerë të rrezikut kanë qenë pjesë e jetës së tyre të hershme.

“Mund ta themi kështu: Pirja e duhanit është e rrezikshme për të gjithë, por këta njerëz janë shumë më të ndjeshëm ndaj efekteve të saj. Ne mund ta imagjinojmë gjithashtu se ata do të jenë veçanërisht të ndjeshëm edhe ndaj faktorëve të tjerë, siç janë ndotja e ajrit”, thotë Svanes.

Rezultatet e reja përputhen me hulumtimet e mëparshme të Svanes, duke treguar se personat me zhvillim më të pafavorshëm herët në jetë janë më pak tolerantë ndaj, për shembull, detergjenteve kur punojnë si pastrues.

Ndihma e më të rrezikuarve

Svanes beson se zbulimi që disa persona janë më të rrezikuar se të tjerët mund të përdoret në një mënyrë pozitive në kujdesin shëndetësor parandalues.

“Në këtë mënyrë mund t’i përqendrojmë përpjekjet në ata që janë më të rrezikuar. Ne kemi burime të kufizuara për parandalimin, kështu që është e rëndësishme që paratë të shpenzohen në ata me rrezik më të lartë të perceptuar”, thotë Svanes.

Ajo beson se masat e tilla mund të ndihmojnë për t’i eliminuar dallimet në mesin e popullatës. Sidomos kryesisht në shumicën e pjesëve më të varfra të botës mund të jetë veçanërisht e dobishme të zbulohet se ku do të ishte më efikase të merren masa për përmirësimin e shëndetit publik.

“Nëse mund ta bindni një 50-vjeçar që ta lërë duhanin, kjo do të ishte e dobishme. Nëse e bindni atë që ta lërë duhanin si adoleshent, kjo është edhe më mirë. Por nëse nëna nuk pi duhan para se ai/ajo të ngjizet, kjo mund ta luajë një rol edhe më të madh për shëndetin e përgjithshëm në të ardhmen”, përfundon Cecilie Svanes.

Svanes tani dëshiron ta zbulojë se pse ndodh kështu.

“Ne gjithashtu duam të shikojmë në prapavijë të këtyre mekanizmave dhe t’i ekzaminojmë ata në një mostër më të madhe të popullsisë”.

 

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Shëndetësi

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top