Kuriozitete
Masakroi qenin në Kuçovë, flet 14-vjeçari: Ja pse e bëra dhe kush e hodhi videon në internet
Ngjarja e rëndë që ndodhi në qytetin e Kuçovës, ku disa djem të rinj masakruan një qen dhe xhiruan gjithë skenën e më pas e publikuan në rrjetet sociale, ka krijuar reagime të shumta, pjesa më e madhe e së cilave janë negative.
“Pasdite në TCH” ka arritur të marrë një intervistë me nënë e këtij fëmije, vetëm 14-vjeç si dhe me të miturin.
Mamaja e 14-vjeçarit më shumë shprehet e shqetësuar për pasojat ligjore që do të ketë veprimi i të birit, se sa për anën psikologjike.
Gazetarja që ka arritur të shkojë deri në Kuçovë, në shtëpinë e djaloshit, na rrëfen një anë tjetër të panjohur të nënës dhe të djalit. Gruaja është ndarë nga bashkëshorti dhe me të birin, të dy jetojnë në kushte shumë të vështira.
Ja ç’tregon gazetarja:
Ai djalë disa herë u përpoq të fshihej. Ishte e pamundur ta intervistonim. Realiteti në atë vend ishte ndryshe nga ai në Tiranë. Mamanë e djalit, zonjën Qamile, e takova disa herë deri sa ishte e pranishme kur fola me djalin. I kishte duart plotë kallo. I pashë në duar dy monedha 100 lekëshe dhe një 50 lekëshe. Ishte e lumtur që me 250 lekë të reja do të grumbullonte disa para dhe do të blinte thesin e miellit”.
Për 14-vjeçarin gazetarja shprehet se deri në një farë pike ishte burrëruar para kohe dhe se i duhej t’i dilte në krah të ëmës për të përballuar bashkë mjerimin në të cilin ishin zhytur.
Gazetarja tregon:
Duart e tij ishin të nxira nga grasoja. Ai ishte burrëruar para kohe dhe sillej sikur i kishte rënë e gjithë pesha për të mbajtur familjen. Për Qamilen ishte luks më vete të mendonte për gjendjen psikologjike të të birit. Për të është e pamundur të kuptonte situatën që ne po përjetojmë.
Familjarët e ish-burrit jo vetëm që nuk e ndihmonin, por para disa ditësh kishte tentuar të mbillte tokën tek vendi ku rrinte qeni dhe ish-vjehrri i ishte kthyer kundër me pretendimin se shtëpia dhe toka nuk ishte e tyrja.
Në një intervistë, djali që masakroi në mënyrë mizore qenin tregon se si ndodhi gjithçka. Ndër të tjera ai tregon se videon në rrjetet sociale e hodhi një mësues i shkollës.
Qeni herë pas here turrej, hante bukën, hante dhe pulat. Qeni ishte i sëmurë. E xhiroi një shok, e dija që po e xhironte, por jo që do ta publikonte. Një profesori jonë e mori videon dhe e hodhi, e shpërndau. U zura, i thashë ndoshta ajo fshihej, por nuk e fshiu. Jam penduar për atë që kam bërë me qenin. Ndihem keq ngaqë e masakrova qenin dhe ngaqë videoja u pa gjithandej”.