Kuriozitete
Meta mbledh ambasadorët: Të përmirësojmë klimën e biznesit, BE e Shengen po na monitorojnë
Meta mbledh ambasadorët: Të përmirësojmë klimën e biznesit, BE e Shengen po na monitorojnë
Presidenti i vendit Ilir Meta ka mbledhur sot ambasadorët tanë nëpër botë, duke u ndalur gjerësisht te diplomacia, përfshirë atë kulturore, ekonomike dhe politike. Ai është shprehur në fjalën e tij se duhet përmirësuar klima e biznesit dhe të rritet interesi i investitorëve të huaj.
“Duhet të përmirësojmë klimën e biznesit, do të bëni gjithçka për të promovuar turizmin produktet e vendit tonë dhe për të rritur interesin e investitorëve të ndryshëm drejt Shqipërisë, shqiptarët jashtë janë një potencial shumë më i madh se shqiptarët brenda, për arsye se për fat të keq, një nga pjesët më vilate të shoqërisë sonë dhe më të kualifikuar ndodhet jashtë vendit, është problem, por është edhe avantazh duke pasur parasysh që shumë prej tyre janë mjaft të suksesshëm dhe kanë ndikim në vendet ku sot jetojnë” tha Meta.
Më tej Presidenti Meta theksoi se Shqipëria është nën monitorimin e vendeve të BE-së dhe të zonës Shengen për çështjen e liberalizimit të vizave. Në fjalën e tij kreu i shtetit tha se nëse Shqipëria do të ndërmerrte çdo veprim emocional, përfshi dhe asaj të pajisjes së shqiptarëve nga Kosova me pasaporta të Republikës së Shqipërisë, jo vetëm nuk do të zgjidhte problemin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve të Kosovës, por do të bllokonte lëvizjen e lirë të qytetarëve të Shqipërisë.
“Besoj se dhe ju ndjeni atë presion që ndjejmë ne këtu, me dëshirën për ta tejkaluar këtë pengesë apo izolim, përmes marrjes së shtetësisë shqiptare nga qytetarët e Kosovës, gjë që nuk është zgjidhje, jo për shkak të mungesës tonë të dëshirës por për faktin se ne vetë jemi në monitorim për çështjen e liberalizimit të vizave nga vendet e BE-së dhe të zonës Shengen.
Çdo veprim emocional nuk do të zgjidhte problemin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve të Kosovës por do të bllokonte lëvizjen e lirë të qytetarëve të Shqipërisë. Ndërsa në një plan më afatgjatë kjo nuk do të thoshte asgjë për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, përkundrazi do i vinte ato në një pozitë edhe më të vështirë.
Ndaj unë shpresoj që pas raundit të dytë të zgjedhjeve që po bëhen atje edhe politika e Kosovës të bëjë përpjekje më të mëdha për të kapërcyer këtë moment sepse zgjidhja e këtij problemi do ta përqendronte akoma më mirë Kosovën në problemet më të mëdha që ajo ka për ta çuar përpara dialogun me Serbinë por mbi të gjitha do t'i jepte fund një frustrimi të jashtëzakonshëm që me të drejtë e kanë qytetarët e Kosovës, si të vetmit në rajon që po përjetojnë një izolim të padrejtë e të pamerituar”, tha Meta.
Duke u ndalur edhe te viti që vjen si Viti i Skënderbeut, Meta dha edhe një mesazh të rëndësishëm: “Nuk e kemi të vështirë të ndahemi për fat të keq, shpresoj që viti i Skënderbeut të na bashkojë të gjithëve se është figurë përbashkuese për kombin, dhe është moment për ti bashkuar shqiptarët dhe për të ngritur më lart vlerat e kombit tonë, por edhe për të dhenë mesazh bashkimi jo për një ditë, por plan afatgjatë”. /b.l/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.