Video
Këshilla kundër dhimbjes së shpinës
Dhimbjet e shpinës sot nuk janë vetëm problem i njerëzve të moshuar, por nga ato vuajnë edhe njerëzit në të njëzetat apo tridhjetat. Ekzistojnë mënyra për ta larguar dhimbjen, ose të paktën për ta lehtësuar atë.
Vendosni jastëkët siç duhet
Pozita në të cilën flini është shumë e rëndësishme. Nëse flini në shpinë, atëherë vendosni jastëkun nën gjunjë. Nëse flini anash, jastëkun vendosni në mes të gjunjëve, ndërsa këmbët tërhiqni drejt gjoksit. Nëse flini në bark, vendosni një jastëk më të vogël nën bark, për ta mbrojtur pjesën e poshtme të shtyllës kurrizore.
Kini kujdes gjatë ushtrimit
Gjatë ngritjes së peshave mbi kokë, shtrëngoni muskujt e vitheve. Kjo do ta detyrojë trupin tuaj në një pozicion i cili automatikisht e stabilizon shpinën tuaj, duke reduktuar rrezikun nga lëndimi në pjesën e prapme të ulët.
Ndryshoni shpesh pozicionin e trupit
Ndryshimet e shpeshta të pozicionit të trupit e parandalojnë përqendrimin e presionit në pjesë të caktuara të trupit. Megjithatë, gjatë ndryshimit të pozicionit, kujdesuni që ta ruani harkun natyror të shpinës.
Merrni vitamina D
Mungesa e vitaminës D rrit rrezikun e zhvillimit të osteoporozës. Sipas sondazheve të fundit, rreth 80 për qind e njerëzve që vuajnë nga dhimbjet e shpinës kanë edhe mungesë të vitaminës D. Në diell kaloni të paktën 10 minuta çdo ditë.
Rregullojeni ulësen në makinë
Mos e lëshoni ulësen, sepse nëse e lakoni qafën për ta parë më mirë rrugën, në këtë rast bëni presion në pjesën e poshtme të qafës. Është e rëndësishme ta rregulloni ulësen në makinë që të keni shikueshmëri të plotë dhe që koka juaj të jetë e mbështetur në mbështetëse.
Uluni në topin mjekësor
Ulja në topin mjekësor çdo ditë për një periudhë prej 15 deri 20 minutash do t’i forcojë muskujt tuaj të shtyllës kurrizore dhe do t’i lehtësojë dhimbjet e shkaktuara për shkak të qëndrimit të tepruar në pozitë të ulur.
Bëni ushtrime barku
Ushtrimet e barkut mund t’i zvogëlojnë dhimbjet e shpinës për 75 për qind. Kur muskujt e barkut janë të dobët, muskujt e vitheve dhe të pjesës së ulët të shpinës duhet të punojnë më shumë për ta mbajtur një shpinë stabile. /Telegrafi/