Connect with us

Ku janë sot 15 kriminelët që vranë gratë dhe të dashurat e tyre

Kuriozitete

Ku janë sot 15 kriminelët që vranë gratë dhe të dashurat e tyre

Në 20 vitet e fundit në Shqipëri, por edhe mes shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, janë regjistruar disa prej krimeve më monstruoze ndaj grave.

Të vrara kryesisht për shkaqe xhelozie, dhjetra gra humbin jetën çdo vit si pasojë e partnerëve ose përndjekësve të tyre dhe disa prej rasteve më të bujshme i gjeni të renditura më poshtë. Ja çfarë ka ndodhur me autorët e krimeve tronditëse.

Fadil Kasa

Në shtator të vitit 2017, mbarë opinioni publik u trondit nga vrasja e gjykatëses Fildes Hafizi, e cila u ekzekutua në mes të ditës në ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi, i cili e kishte dhunuar prej vitesh dhe pasi ata ishin divorcuar, Kasemi kishte tentuar edhe njëherë tjetër që ta vriste. Sot Fadil Kasemi ndodhet në paraburgim dhe pret të gjykohet për tre vepra penale, “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “rrëmbim personi” dhe “armëmbajtje pa leje”, pasi ekspertiza përcaktoi se ai ishte i aftë mendërisht në momentin e krimit.

Sadetin Sulaj

Gati dy vjet pas vrasjes së 45-vjeçares së Suela Sulaj në Shkodër, është vënë në pranga autori i vërtetë i vrasjes, i cili e mbyti atë me urdhër të bashkëshortit të Suelës. Fatjon Karmeshtna është identifikuar si personi që e mbyti me duar 45-vjeçaren në ambientet e mobilierisë së çiftit Sulaj. Sadetin Sulaj, i cili ishte urdhëruesi i vrasjes, nuk e ka pranuar kurrë krimin. Ai dhe Karmeshtna janë në pritje të vendimit të gjykatës për dënimin e tyre.

Sokrat Shani

Në gusht të 2016-ës, 65-vjeçari Sokrat Shani masakroi të dashurën e tij 27-vjeçare Jonida Çanaku, pasi nuk pranonte lidhjen e saj me një djalë tjetër. Ndonëse i martuar, Shani vijonte lidhjen me Çanakun dhe pasi vrau atë, u kthye në shtëpinë e tij dhe vrau edhe veten. Trupi i 27-vjeçares u gjet nga policia në një apartament në Golem, pasi Shani kishte lënë një letër në shtëpinë e tij në Lushnje ku sqaronte ç’kishte ndodhur.

Ferdinand Ruko

Ferdinand Ruko vrau në mënyrë makabre bashkëshorten e tij Liljana Ruko në dhjetor të 2016-ës, duke e zhveshur dhe hedhur atë nga dritarja pas një sherri për motive të dobëta. Ferdinand Ruko u dënua me 35 vite burg pasi pranoi krimin.

Viktor Rozani

Një krim i trefishtë tronditi Korçën më 1 tetor të 2012-ës, ku Viktor Rozani, ekzekutoi me armë zjarri të dashurën e tij Eliverta Çoçka dhe shtetasin Feridon Bollguri, pasi i kapi ata të dy në flagrancë. Pasi vrau ata të dy, Rozani qëlloi edhe veten. Të tre ata ishin të martuar dhe kishin fëmijë me partnerët e tyre.

Dritan Sulollari

Në nëntor të 2017-ës, jo vetëm shqiptarët por edhe populli italian u trondit nga vdekja e 30-vjeçares Migena Këllezi, e cila u masakrua në sy të djlait 8-vjeçar nga bashkëshorti Dritan Sulollari për motive xhelozie, pasi ata ishin në prag të ndarjes. Sulorllari ndodhet në burg në Itali, ndërsa nuk bëhet ende  e ditur nëse gjakata ka dhënë vendimin për dënimine  tij.

Gaqo Dumka

Më pak se një vit pas krimit që tronditi Shqipërinë, 84-vjeçari Gaqo Dumka ndërroi jetë në spitalin e burgut të Tiranës. Në vitin 2011, Dumka masakroi në mënyrë barbare të dashurën e tij 42-vjeçare Liljana Arapi. Trupi me kokë, krahë e duar të prera i një Liljanës u gjet në vendgrumbullimin e mbeturinave. Policia e Korçës arriti të gjejë të gjitha pjesët e trupit të viktimës të mbështjella në qese plastmasi, përveç pjesës së kokës, e cila nuk u gjet asnjëherë e plotë.

Marjan Rroku

Ndonëse krimi ka ndodhur që në vitin 2001, historia e Marjan Rrokut është risjellë në vëmendje në vitin 2016, pasi ish-oficeri i SHIK, i cili vuan dënimin për vrasjen e të dashurës Alda Canaj dhe nënës së saj Mbarime Canaj, u shfaq në emisionin “E diela shqiptare”. Rroku pretendonte se ishte kërcënuar e ofenduar nga familja Canaj dhe gjatë emisionit, e shfaqi veten si viktimë në të gjithë këtë histori, ndonëse pranoi autorësinë e krimit duke u shprehur se në ato momente i ishin errur sytë. Pasi u ekstradua nga SHB-të në Shqipëri, Rroku u dënua me burgim të përjetshëm dhe kërkesat e tij të vazhdueshme për rigjykim janë refuzuar nga gjykata.

Endrit Llambaj

Qyteti i Elbasanit është tronditur në maj të 2010-ës pasi në ambientet e gjimnazit “Mahir Domi”, 19-vjeçari Endrit Llambaj ekzekutoi në mes të klasës 20-vjeçaren Greta Baja. Shkak për krimin e rëndë dyshohet të ketë qenë refuzimi i vajzës për të pasur një lidhje me të. Pasi kreu vrasjen, 19-vjeçari u arratis dhe më pas u rrethua nga policia. Gjatë rrethimit, ai ka shtënë me armë drejt unifromave blu e më pas ka vrarë veten.

Shaban Norja

I quajtur ‘Monstra i Shijakut’, Shaban Norja tronditi Shqipërinë pasi vrau duke i prerë kokën 18-vjeçares Aishe Vata, e cila ishte shtatzënë me fëmijën e tij. Në dëshminë e tij 81-vjeçari u shpreh se e vrau vajzën pasi ajo nuk pranonte të abortonte fëmijën. Ai u dënua me 25 vite burg nga Gjykata e Durrësit në 2013-ën.

Shkëlqim Çeliku

Më 10 dhjetor të 2012-ës, një ngjarje makabër ka pushtuar mediat shqiptare pasi në Orikum, 35-vjeçari Shkëlqim Çeliku kishte vrarë gruan e tij shtatzënë, Manushaqe Çeliku. Për dy ditë me radhë ai kishte ushtruar dhunë sistematike ndaj gruas duke përdorur djegie me prush në pjesë të trupit, ndërkohë që goditja fatale, që i mori dhe jetën, është bërë me sqepar. Autori, ka fjetur për dy netë me trupin e viktimës në krevat, ndërsa në shtëpi kanë qenë edhe dy fëmijët e tjerë të çiftit. Çeliku ndodhet në burg dhe nuk është bërë e ditur me sa vite është dënuar.

Alfred Nikolli

Pas disa vitesh në një lidhje jashtëmartesore me të, Etleva Nodka u vra nga i dashuri Alfred Nikolli në dyert e parukierisë së saj. Nikolli, për shkaqe xhelozie, hapi zjarr ndaj 28-vjeçares nënë e një djali 3-vjeçarm, duke i marrë asaj jetën me dy plumba. Ai u dënua me 27 vite burg.

Aziz Kelmendi

Elsina Hidersha, këngëtarja e famshme 22-vjeçare e njohur me emrin e artit Emmy, është ndarë nga jeta më 28 shkurt 2011, pasi i dashuri i saj, biznesmeni kosovar Aziz Kelmendi e tërhoqi atë për disa metra zvarrë me makinë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Mësohet se 44-vjeçari dhe këngëtarja kishin debatuar pak minuta më parë. Kelmendi, pasi ka ecur disa metra ngadalë, më pas ka rritur shpejtësinë dhe ka frenuar. Në atë moment, Emmy është shkëputur nga dritarja duke u rrëzuar në asfalt, ku ka pësuar dëmtime të rënda në kokë. Ajo u nda nga jeta disa orë më pas në spital ndërsa gjyqi ndaj Kelmendit ka tërhequr jo pak vëmendje. Ai fillimisht u dënua për “vrasje nga pakujdesia” dhe më pas u la i lirë. Por çështja ndaj tij u rihap dhe Kelmendi u dënua me 2 vjet e 10 muaj burg. Ai u shpall në kërkim nga Interpoli dhe në 2014-ës, u vetëdorëzua në polici për të shlyer vetëm 10 muaj dënim. Kelmendi tashmë ëshët i lirë.

Klaus Sakolli

Një dashuri e njëanshme i ka marrë jetën një 22-vjeçareje nga Kuçova në vitin 2015 pasi Klaus Sakolli, me të cilin Denisa Demaj komunikonte në telefon,  pas një debati me vajzën dhe pas refuzimit të bërë nga familja e saj, i vajti 22-vjeçares në shtëpi dhe qëlloi me automatik atë dhe të vëllanë. Denisa Demaj humbi jetën ndërsa vëllai i saj, mbeti i plagosur. Sakolli ndodhet në burg por nuk bëhet e ditur me sa vite është dënuar.

Aldison Belulaj

Vetëm pak ditë më parë, studenti i Infermierisë Aldison Belulaj ekzekuton me armë zjarri ish të dashurën e tij, 21-vjeçaren Ariela Murati, pasi Belulaj nuk arrinte të pranonte ndarjen prej saj dhe një lidhje të mundshme që ajo mund të kishte krijuar me një djalë tjetër. Pasi ekzekutoi vajzën, Aldisoni ka qëlluar veten me plumb në gojë dhe vijon të ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital.

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i materialit.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top