Video
Kur mjerimi feston sot pavarësinë, shteti feston mjerimin
Kur mjerimi feston sot pavarësinë, shteti feston mjeriminS. Shtjefni
Vec-e-jona
Sot është 105 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, dita ku plot 105 vite më parë, i madh e i vogël punuan dhe dhanë gjakun për t'i dhuruar lirinë e merituar, popullit të vet. Popull që në të gjithë historinë e tij, s'ka njohur gjë tjetër veçse shtypje, vuajtje dhe copëtime.
Vitet kaluan, u pushtuam sërish, fituam edhe çlirimin e vendit për tu vetëburgosur më pas me vullnet në një sistem diktatorial. Gjithsesi nuk duhet akuzuar askush tjetër për çfarë pasoi pas diktaturës. Jemi ne ata që i dhamë dorën kriminelëve, hajdutëve, mashtruesave dhe të gjithë sojit të tyre, të cilët dorën që i dhamë, na e shtypën. Edhe sot ende kanë lënë dhe po lënë gjurmë si plagë të pashterueshme në identitetin dhe trupin tonë të vrarë nga koha dhe maskarallëku partiak.
Dëshironim komunizëm, e jetuam për plot 45 vite si diktaturë. Dëshironim demokraci, kemi plot 27 vite që gjoja po e jetojmë një të tillë. Nëse demokraci do të thotë të braktisësh dhe lëndosh popullin tënd, atëherë nuk dua të jem më pjesë e saj.
Jo nëse ata njerëz të vrarë nga sistemi i vjetër që u la plagë në jetët e tyre, t'i vrasë edhe ky sistem gjoja demokratik, i cili mbyll veshët kur flitet për vuajtje, mbyll sytë kur shfaqen provat duke akuzuar se janë shpifje, por ama e hap dhe e shqyen gojën për të na shitur një realitet i cili vetëm real nuk është.
Ndaj është për tu vënë në dyshim se a jemi vërtetë në demokraci apo është thjeshtë një fasadë për të mbuluar pafytyrësinë dhe paaftësinë e klasës politike për të bërë një SHTET me gërma kapitale. Ah, po harrova, jemi në tranzicion…
Pikërisht sot në këtë datë të shënuar, një person ka dërguar në redaksinë tonë një video, e cila tregon qartë mjerimin e një zotërie të vrarë nga jeta dhe të braktisur nga njerëzit, por i fortë në shpirt e në zemër saqë edhe pse i braktisur totalisht nga politikat e mirëqënies, ai sot ngre flamurin kombëtar në shenjë respekti dhe dashurie për atdheun.
Është një zotëri në moshë, i cili jeton pranë shkollës Bajram Curri në Tiranë, i pyetur nga qytetari pse e ke ngritur flamurin, ai shprehet se sot është festë, sot e nesër është festë.
Ai thotë me aq krenari sa i ka mbet:
Nuk tradhëtohet vendi jot!"
Pasi e dëgjova çfarë tha në video, po më duket vetja "tradhëtar" pasi unë jo flamur që nuk kam ngritur sot, por as nuk e ndjej si festë apo arsye për t'u ndjerë krenar kur kudo që të hedh sytë shoh që jo vetëm se plagët e vjetra nuk janë shëruar, por po hapen shumë të reja.
Ta gëzojmë 105 vjetorin e Pavarësisë. Urojmë që të na gjejë të pavarur në një të ardhme, qoftë e afërt dhe pa vuajtje shumë.
JOQ.al