Shëndetësi
Vajrat eterike kundër ftohjes dhe gripit
Bimët dhe vajrat shëruese janë disa nga ilaçet më të vjetra. Rigoni, limoni, kanella, temjani, peperminti dhe eukalipti njihen mirë dhe janë efikase kundër ftohjes dhe gripit.
Esencat bimore nga bimët dhe farat janë ilaçe të stërgjyshërve tanë. Në botën moderne shpesh u kthehemi përsëri ilaçeve natyrore të cilat ndonjëherë janë më efikase sesa ilaçet dhe antibiotikët, transmeton Koha.net. Kur është në pyetje ftohja dhe gripi mund të ndihmojnë vajrat eterike siç janë rigoni, temjani, kanella, limoni, eukalipti dhe peperminti.
Vajrat eterike përmbajnë qindra molekula që veprojnë së bashku për të mbytur viruset dhe bakteret. Viruset nuk zhvillojnë rezistencë ndaj vajrave eterike, sepse çdo seri e vajrave është unike, varësisht nga sezoni, temperatura, era, shiu, koha e korrjes dhe shumë faktorë tjerë. Për këtë arsye, vajrat mund të jenë më efikase në luftën kundër ftohjes dhe gripit.
Tek ftohja dhe gripi përdorni vajrat herët dhe shpesh! Është lehtë të shmangni ftohjen me pak vaj eterik të kanellës ose rigonit nëse filloni mjaft herët, kur fillojnë kolla ose dhimbja e fytit, por para se të sëmureni krejtësisht.
Rigoni
Është një nga vajrat eterike më të popullarizuara për shërimin e problemeve si ftohja ose gripi. Rigoni konsiderohet vaj i nxehtë, prandaj duhet ta përdorni me kujdes. Mos e aplikoni në fytyrë dhe qafë pa e holluar më parë me vaj të pastër ulliri ose me vajra tjera yndyrore. Nëse ju bie në fytyrë, hollojeni me gjalpë ose vaj, kurrsesi me ujë! Rigonin është më së miri ta aplikoni në supe, shpatulla dhe këmbë.
Limoni
Limoni është i shkëlqyer për forcimin e sistemit të imunitetit përbrenda. Shtojani nga një ose dy pika çdo gote uji gjatë ditës, ose përdoreni në formë të kapsulave. Limoni nuk guxon të aplikohet në lëkurë.
Kanella
Edhe një vaj i nxehtë. Kanella është e shkëlqyer për forcimin e sistemit të imunitetit, pankreasit dhe sistemit tretës (në mjekësinë kineze pankreasi/shpretka kanë të bëjnë me sistemin e imunitetit). Aplikojeni në këmbë ose thitheni (inhalojeni).
Temjani
Një nga vajrat më të fuqishme për forcimin e imunitetit. Përndryshe është i shtrenjtë, por ia vlen çdo cent që e jepni për të. Temjani është çudibërës për lëkurë dhe mund të aplikohet kudo.
Peperminti dhe eukalipti
Këto vajra janë të ftohta dhe relaksuese, pastrojnë sistemin e frymëmarrjes dhe lehtësojnë frymëmarrjen. Mund të aplikohen drejt në fyt, qafë, kraharor dhe shpinë, ose të thithen.
Vajrat e njëjta eterike që përdoren për shërimin e ftohjes dhe gripit mund të përdoren edhe për parandalimin e këtyre sëmundjeve. Nëse vendi juaj i punës është i kontaminuar apo ndonjëri nga anëtarët e familjes është i sëmurë, atëherë është koha më e mirë të filloni t’i përdorni vajrat eterike, transmeton Koha.net. Mund t’i aplikoni më rrallë por në mënyrën e njëjtë siç do t’i kishit aplikuar në qoftë se do të ishit të sëmurë.
Sigurisht që para çfarëdo preventive është e nevojshme të flisni me mjekun tuaj që të vlerësojë nëse ekzistojnë probleme shëndetësore që mund të jenë pengesë për përdorimin e vajrave eterike.