Shëndetësi
Ky ilaç mund ta ulë rrezikun e sulmeve në zemër dhe tru
Ilaçet anti-inflamatore mund ta ulin rrezikun e sulmeve në zemër dhe tru, sipas një studimi me 10.000 pacientë.
Një eksperiment i ilaçit “canakinumab” mund ta pasqyrojë zbulimin më të madh në trajtimin e këtyre sëmundjeve që prej ardhjes se ilaçeve “statin” për uljen e kolesterolit, thonë autorët e studimit, përcjell Express.
Sipas studimit, ilaçi i ri e ka ulur për 15% rrezikun për përsëritjen e sulmit në zemër te pacientët – por ka pasur të tjerë që e kanë vënë në pyetje efektshmerinë, efektet anësore dhe çmimin e këtij ilaçi.
Po ashtu, te pacientët që e kanë marrë këtë ilaç është rritur rreziku për infeksion të mundshëm fatal.
Pacientët që kanë pësuar sulm në zemër marrin në mënyrë rutinore statins për uljen e kolesterolit dhe ilaçe për tëhollimin e gjakut në mënyrë që të ulet rreziku për përsëritjen e sulmeve.
Në këtë studim, 10.000 pacientë të cilët kishin pasur më parë sulm në zemër u trajtuan me ilaçin anti-inflamator një herë në tre muaj.
Studimi, i mbajtur në gati 40 vende, i ka monitoruar individët për katër vite.