Lajme
KEDS-i bashkë me KFOR-in drejt zbulimit të vjedhjes së energjisë elektrike
Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesit e ushtrisë amerikane të KFOR-it, në bashkëpunim me KEDS po ndihmojnë në rritjen e efikasitetit dhe profesionalizmit në zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me vjedhjen e energjisë elektrike.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Departamentit të Drejtёsisё sё SHBA-sё, Zyra e Zhvillimit, Ndihmёs dhe Trajnimit tё Prokurorëve (OPDAT) në Prishtinë, me mbështetjen e avokatëve të Ushtrisë Amerikane në KFOR, kanë inicuar dhe po e mbështesin një projekt i cili ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet KEDS, Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatave për të përmirësuar efikasitetin dhe proceset e ndjekjes së veprave penale që lidhen me vjedhjen e energjisë elektrike.
Në një takim të përbashkët të mbajtur në Hotel Dukagjini në Pejë më 21 shtator 2017 palët ranë dakord që të inicojnë procese për të avancuar përgatitjen e rasteve dhe përpjekjet për të zgjidhur rastet me marrëveshje të pranimit të fajësisë pa shkuar në gjykim. Të dy këto masa pritet të shkurtojnë kohën e përpunimit të lëndëve penale, në mënyrë që prokurorët dhe gjyqtarët të mund të shfrytëzojnë kohën e tyre në mënyrë më efektive.
KEDS e ka mirëpritur këtë iniciativë. Që nga themelimi i KEDS, katër vjet më parë, ka pasur mijëra raste të vjedhjes së energjisë elektrike të dërguara në zyrat e prokurorive dhe të gjykuara nga gjyqësori.
“Kjo do të ndihmojë të gjitha palët, duke përfshirë KEDS-in, prokurorinë, gjykatat dhe konsumatorët e afektuar nga kjo dukuri. Kjo iniciativë, ku proceset avancohen përmes dialogut të drejtpërdrejtë, është për t’u përshëndetur. Kjo do ta lehtësojë shumë punën tonë “, tha Bujar Jupaj, drejtor i Departamentit për Matjen dhe Kontrollin e Humbjeve në KEDS. Gjatë takimit ai bëri një prezantim të hollësishëm para prokurorëve dhe gjyqtarëve, përmes përshkrimeve dhe fotografive të metodave të ndryshme të vjedhjes së energjisë elektrike dhe metodat e KEDS-it për dokumentimin dhe trajtimin e vjedhjeve.
Ky pilot projekt fillimisht do të fokusohet në rajonin e Pejës dhe gradualisht do të zgjerohet për të përfshirë Prishtinën dhe pastaj pjesë të tjera të Kosovës.