Lajme
Kanadaja pret 300 mijë emigrantë gjatë 2017, ja si të aplikoni dhe kush ka prioritet
Kanadaja ka hapur dyert për 300 mijë emigrantë nga vende të ndryshme, të cilët do të pranohen gjatë vitit 2017, për gjithë ata që dëshirojnë një jetë më të mirë në këtë shtet. Por për të aplikuar janë vendosur një sërë kriteresh dhe filtrash, të cilat i gjeni në udhëzimin për emigrimin në Kanada. Profesionet më të kërkuara dhe që kanë prioritet janë kuzhinierë, menaxherë restorantesh, infermierë, arkitektë, mjekë, dentistë, biologë, mjekë familjeje, farmacist, psikolog, asistentë socialë, elektricistë, hidraulikë dhe ndërtues.
Sipas një njoftimi të zyrës kanadeze të Emigracionit, thuhet se baza e pranimeve do të jetë fillimisht për 300 mijë, si banorë të përhershëm dhe shumica e tyre që do të përzgjidhen do të jenë emigrantë ekonomikë. Kanadaja ka një popullsi prej 35 milionë banorësh, por shumica në plakje, çka përbën një sfidë për rritjen ekonomike. Referuar rregullores që ka përcaktuar qeveria kanadeze, aplikimi kalon në disa faza, por më e rëndësishmja është intervista, në të cilën merret vendimi për kualifikimin apo jo të kërkesës së aplikantit.
Intervista sipas udhëzimit, do të zhvillohet në Konsullatën Kanadeze midis një oficeri të imigracionit kanadez dhe aplikantit. Aplikanti nëse e përfundon me sukses, duhet të kryejë një kontroll mjekësor nga një mjek i njohur prej Qeverisë Kanadeze. Ky kontroll duhet të bindë ambasadën se personi në fjalë dhe anëtarët e familjes së tij nuk paraqesin problem për shëndetin publik kanadez me gjendjen e tyre shëndetësore. Që ambasada të marrë vendimin përfundimtar, lëshimin e vizës, duhet që edhe Ministria e Brendshme Kanadeze të japë miratimin e saj pas shqyrtimit që ajo i bën të dhënave personale të aplikantit.