Lajme
Kanë 17 fëmijë, shpesh ua ngatërrojnë emrat, ndërsa në ditë blejnë 50 bukë! (FOTO)
Abdulkadir dhe Raziye Gungor, çift i martuar nga qyteti juglindor turk Gaziantep, në martesën e tyre 34 vjeçare, 21 herë kanë përjetuar gëzimin e të pasurit fëmijë. Katër nga fëmijët e tyre vdiqën nga sëmundje të ndryshme, dhe sot ata kanë 17 fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).
Abdulkadir (55) dhe Raziye (51) u martuan në vitin 1981 dhe që atëherë jetojnë në një fshat të vogël Shahinbey, pranë qytetit Gaziantep. Prindërit kanë 17 fëmijë, nëntë djem dhe tetë vajza. Fëmijët e tyre janë në mes një dhe 33 vjeç.
Përveç kësaj, nëna Raziye kishte shtatë aborte. Tetë fëmijët e çiftit Gungor janë martuar, kështu që ata tani kanë 24 nipër e mbesa.
Babai Abdulkadir Gungor tha se ai dhe familja e tij jetojnë një jetë të lumtur, dhe se fëmijët e tyre i shohin si një bekim. Ai thotë se numri i fëmijëve nuk paraqet ndonjë problem, përveç se ndonjëherë përballet me disa, siç tha ai, “probleme administrative”.
“Kur lindi djali im më i ri Hilmi shkova për ta paraqitur. Por, rojet që punonin atje nuk më besonin se kam 20 fëmijë. Ata erdhën në shtëpi dhe pasi kontrolluan se Hilmi është biri im miratuan dhënien e letërnjoftimit”, tha Gungor.
Familja Gungor merret dhe jeton nga bujqësisë, si dhe shumica e banorëve të këtij fshati të vogël. Abdulkadir shton se nganjëherë mund të ndodhë t’ua ngatërrojë emrat fëmijëve të tij.
“Kjo ndodh ndonjëherë, kur të gjithë tubohemi, dhe kur vijnë nipërit dhe mbesat ua ngatërroj emrat atyre. Por, edhe ata janë mësuar në këtë kështu që nuk ka asnjë problem”, ka thënë Gungor.
Nëna Raziye thotë se në moshën 17 vjeçare ka marrë foshnjën e parë në krahët e saj, dhe se 28 herë ka ngelur shtatzënë, por që tani ka 17 fëmijë.
“Rritja e fëmijëve nuk ishte aq e vështirë. Nganjëherë kemi patur vështirësi financiare. Çdo kujt i rekomandojmë që të lind fëmijë, sepse nga fëmijët nuk ka dëm. Unë personalisht, po të kisha përkrahje materiale, do të lindja më shumë fëmijë”, thotë krenare nëna Raziye.
Vajza Songul, fëmija i tretë më i vjetër në familjen Gungor, është martuar dhjetë vjet më parë. Duke patur parasysh se tashmë ka katër fëmijë, është mase e qartë se dashurinë për fëmijët e ka trashëguar nga prindërit e saj.
Ajo thotë se është e lumtur për shkak se ka shumë vëllezër e motra, dhe shton se për familjen e saj në ditë janë të nevojshme rreth 50 bukë.
“Unë gjithashtu kam katër fëmijë dhe shumë i dua ata. Ende dëshiroj të lind, por jo sa nëna ime, sepse koha, kushtet dhe standardi i jetesës megjithatë kanë ndryshuar”, ka thënë Songul.