Shëndetësi
‘Kripa e detit e përzierë me plastikë’
Kripa e detit në të gjithë botën është kontaminuar nga ndotja plastike, duke shtuar frikën e ekspertëve se elementët mikroplastikë po shfaqen gjithandej në mjedis duke e gjetur rrugën në zinxhirin ushqimor përmes kripës në ushqimet tona.
Pas zbulimeve të kësaj jave të gazetës britanike The Guardian rreth niveleve të kontaminimit plastik në ujin e rubinetit, studime të reja kanë treguar se grimcat e vogla janë gjetur në kripën e detit në Britani të Madhe, Francë dhe Spanjë, si dhe Kinë e tashmë në SHBA.
Studiuesit besojnë se pjesa më e madhe e ndotjes vjen nga mikrofibrat e plastikes dhe përdorimi i shisheve të ujit, artikujt që përbëjnë shumicën e mbeturinave plastike.
Deri në 12.7 milion ton plastike hyn në oqeanet e botës çdo vit, ekuivalent me hedhjen e një kamioni mbetjesh plastike çdo minutë në oqeanet e botës, sipas Kombeve të Bashkuara.
“Jo vetëm që plastika është e përhapur në shoqërinë tonë sa i përket përdorimit të përditshëm, por ato janë të përhapura në mjedis”, tha Sherri Mason, profesor në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut i cili drejtoi hulumtimet më të fundit mbi ndotjen plastike në kripë.
“Plastika është e kudogjendur, në ajër, ujë, ushqim etj”.
Hulumtimi i The Guardian tregon pranin e plastikes në 12 lloje të kripës duke përfshirë 10 lloje produktesh te kripës të blerë nga dyqanet ushqimore të SHBA.