Shëndetësi
Mendohuni dy herë para se të blini qershi, luleshtrydhe dhe pjepër, ja pse
Çmimet e prodhimeve të stinës mbeten të larta dhe të papërballueshme për konsumatorët. Qershia, luleshtrydhja, apo edhe shumë prodhime të tjera të stinës së pranverës tregtohen nga 200 lekë deri në 400/500 lekë për kg, ndërsa specat, patellxhanet, speci i kuq, ende nuk janë ulur dhe kanë çmime po aq të larta, sa edhe gjatë muajve të dimrit.
ÇMIMET
Konsumatorët që mezi presin ardhjen e sezonit për t’i konsumuar kanë një arsye më shumë për t’u menduar dy herë, para se t’i blejnë. Çmimin.
Mesatarisht 1 kilogram qershi tregtohet nga 300- 400 lekë/kg, ndërsa një kuti me luleshtrydhe tregtohet nga 170 lekë deri në 200 lekë, ndërsa pjepri me çmim deri në 250 lekë/kg.
Ndërkaq, në tregjet e Tiranës domatet variojnë nga 60 lekë/kg deri në 140 lekë/kg, specat 100 – 150 lekë/kg dhe trangujt nga 40 lekë/kg, kivi deri në 160 lekë/kg.
Sipas tregtarëve, çmimet mbeten të njëjta me çmimet e një viti më parë, por për shkak të prodhimit të paktë dhe kërkesës së ulët, edhe çmimi mbetet i lartë.
Fuqia blerëse në rënie dhe pamundësia për të konsumuar e qytetarëve, sipas tyre, është një faktor kryesor.
INSTAT
Instituti i Statistikave konfirmon shtrenjtimin e çmimeve të ushqimeve që vijojnë prej muajit nëntor-dhjetor 2016. Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 9,8%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 6,8%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 4,6%, “peshk” me 4,5%, “qumësht, djath e vezë” me 4%.
Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 2,4% dhe “mish” me 0,7%. Sipas, INSTAT-it, krahasuar me muajin prill 2016, “rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 4,5 %, pasuar nga grupet “Transporti” me 4,3%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1%”.
Në muajin Prill 2017 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1,9%, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 0,3%.
Aktualisht në tregje, kryesojnë më tepër produktet e vendit. Nga 46 produkte, 26 prej tyre janë produkte vendi dhe 20 importi.