Shëndetësi
Përse disa nëna nuk mund t’u japin gji foshnjave, ja arsyeja
Ka shumë gra të cilat dëshirojnë t’i japin gji bebes, por nuk kanë mundësi. Disa sosh nuk kanë qumësht të mjaftueshëm, mendojnë se bebes qumështi nuk i bën mirë apo gjatë rritjes bebja nuk do të ketë qumësht të mjaftueshëm.
Kryesisht e gratë e dinë se qumështi i nënës është ushqimi i pazëvendësueshëm për bebet e tyre, andaj edhe dëshirojnë t’u japin gji. Kjo gjë te shumica syresh nuk ka sukses, për shkak se që në fillim dekurajohen, mungon stimulimi i mjaftueshëm i sisës ose shumë herët i japin bebes ushqim artificial.
Ekzistojnë vështirësi objektive gjatë ushqimit me qumësht të nënës, si p.sh. dhembja dhe pëlcitja e thimthave, thimtha të rrafshët dhe të futura brenda, inflamacioni i gjinjve, të cilat nënat e reja nuk dinë si t’i kapërcejnë dhe ia ndërpresin bebes gjirin.
Te ne është krijuar mendimi se nëna e cila ushqen fëmijën me gji bën një gjë të pazakonshme dhe të vështirë. Harrohet se ushqimi i foshnjës me gji është gjëja më e natyrshme në botë. Prandaj shumë nëna, të pasigurta në vetveten, gjurmojnë shenjat e mossuksesit. Krahas kësaj, nëse ekziston moskuptimi i të afërmve dhe mungon përkrahja, shanset për ushqimin e bebes me gji janë të vogla.
Suksesi i ushqimit të bebes me gji është edhe më i madh nëse dhënia e gjirit fillon sapo bebja të jetë e gatshme, në qoftë se nëna dhe bebja janë në një dhomë dhe nëse bebes i lejohet që vetë të kapë gjirin. Në qoftë se bebja pas lindjes i vendoset nënës mbi bark, ajo është në gjendje të rrëshqasë deri te gjiri, të gjejë thimthin dhe të fillojë të thithë.
Kur bebja është në përqafim të nënës, ose qëndron pranë saj dhe me faqe prek gjirin, do ta kthejë kokën për të gjetur thimthin. Nuk ka nevojë t’ia fusni thimthin në gojë dhe t’ia ktheni kokën për t’ia futur thimthin në gojë. Vetëm kujdesuni që thimthi të jetë në afërsi, bebja vetë do ta gjejë dhe vetë do ta fusë në gojë.
Për dhënie gji me sukses është me rëndësi që bebja pesë ditët e para të ushqehet me qumësht nëne sa më shpesh dhe do të stimulojë gjëndrat për prodhim qumështi. Çdo ditë qumësht do të ketë gjithnjë e më shumë. Disa nëna frikësohen se nuk do të kenë mjaft qumësht. Kjo nuk është e vërtetë, sepse me rritjen e nevojës për qumësht, bebja do të ketë qumësht gjithnjë e më shumë.
Nëse në pesë ditë e para bebes i jepet ushqimi artificial, do të vërehet që bebja me lehtë pi qumësht nga shishja, e pastaj as që i intereson qumështi nga gjiri. Kjo gjë është normale, sepse shumica e bebeve janë dembele. Më lehtë e kanë të pinë qumësht nga shishja sesa ta thithin.
Nëna e papërvojë, por jo rrallë edhe nëna e cila më parë u ka dhënë gji fëmijëve, mendon se bebja nuk dëshiron të thithë, sepse nuk i pëlqen qumështi, andaj nuk duan të thithin gjirin e zbrazët. Shumë nëna dekurajohen mu atëherë kur qumështi fillon t’u vijë apo disa ditë më pas, sepse mendojnë se nuk kanë mjaft për ta ushqyer beben. Andaj, në fillim bebet humbin në peshë. Kjo është rënie normale fiziologjike e peshës, të cilën bebja do ta kompensojë sapo të stabilizohet dhënia e gjirit. Kjo nuk është arsye për heqje dorë nga ushqimi me gji.
Ato ditë të para është me rëndësi që nëna të pushojë, të hajë dhe të pijë mjaftueshëm dhe sa më shpesh bebes t’ia ofrojë sisën. Është shumë me rëndësi ushqimi me gji natën, sepse mundësojnë stimulim më të mirë dhe rrjedhje më të madhe të qumështit. Në qoftë se pesha e bebes vazhdimisht dhe shumë bie, mjeku do të rekomandojë plotësimin me ushqim të bebes. Jini të sigurta që mjeku nuk do të ngutet nëse konstaton se jeni e gatshme ta ushqeni beben tuaj me gji.
Shtyrja e ushqimit me gji nuk i shkon në favor bebes. Përkundrazi, nëse nëna është e interesuar shpesh ta ushqejë beben me gji, sasia e qumështit do të shtohet, transmeton Telegrafi.
A ka nëna qumësht të mjaftueshëm
Kur nëna pyetet se a ka qumësht të mjaftueshëm, rëndom humb besimin tek vetja. Kjo nuk u ndodh vetëm atyre femrave që janë bërë nëna për herë të parë, por edhe atyre nënave që më parë kanë ushqyer fëmijët e tyre me gji. Në qoftë se humb përkrahja e të afërmve, nëna do ta bindë veten se nuk ka qumësht të mjaftueshëm.
Brengosja e mikeshave, nënave apo edhe e vjehrrave se bebja është e uritur mund t’ju shtojë dyshimin në mundësinë tuaj për ushqim e bebes me gji. Mund t’ju dekurajojnë pyetjet e tyre si p.sh.: është e uritur, shiko sa ka pirë, me thimtha të tilla askush nuk do të mund të ushqente bebe me gji, e pyetje të tjera të ngjashme. Mos e merrni kurrë parasysh skepticizmin e tyre. Mund të jenë ziliqare, por ndoshta mendojnë se ushqimi me gji është diçka tepër e rëndë që nuk mund ta bëjë gjithkush.
Vazhdoni ta ushqeni beben tuaj me gji dhe kurrë mos i merrni seriozisht komentet e tilla. Në qoftë se vërtet dëshirojnë t’ju ndihmojnë, le ta bëjnë atë duke ju ndihmuar rreth punëve të shtëpisë, duke u kujdesur për fëmijët tuaj të tjerë, duke shkuar për të blerë gjëra ushqimore, e jo duke shfaqur skepticizëm.
Përse nënat heqin dorë nga ushqimi me gji?
Ka nëna të cilat me sukses ditë e natë ushqejnë foshnjën e tyre me gji dhe, megjithatë, heqin dorë. Ato janë nëna të cilat nuk kanë besim tek vetja. Ato frikësohen se nuk do të mund të vazhdojnë më shumë dhe vazhdimisht kërkojnë të verifikojnë frikën e tyre. Në qoftë se bebja nganjëherë qan më shumë se zakonisht, mendojnë se nuk kanë qumësht të mjaftueshëm. Në qoftë se bebja ka ngërçe, i dalin puçrra apo ndryshojnë jashtëqitjen, posaçërisht nëse jashtëqitja merr ngjyrë të gjelbër, menjëherë dyshohet tek qumështi i nënës.
Shumë nëna heqin dorë nga ushqimi me gji për shkak të thashethemeve se bebja e cila ushqehet me ushqim artificial fiton peshë më të madhe. Ndonjëherë i luhatin ato që lexojnë se nënat e tjera kanë hequr dorë nga ushqimi me gji pas 2 apo 3 muajve për shkak se nuk kanë pasur qumësht të mjaftueshëm… Krahas kësaj, më afër e kanë shishen me ushqim artificial.
Ndoshta fajin e ka ushqimi artificial?
Kur nëna fillon t’ia plotësojë ushqimin bebes, duke i dhënë disa herë në ditë nga një shishe ushqim artificial, interesimi i bebes për të thithur zvogëlohet. Bebja fillon më pak të thithë gjirin, gjë që u dërgon sinjal gjinjve që të prodhojnë më pak qumësht.
Sasia normale e qumështit që e prodhojnë gjinjtë nuk është përherë e njëjtë. Ajo ndonjë ditë mund të jetë më e vogël, por ditën tjetër më e lartë, varësisht nga ajo sesa kërkon bebja. Duke u rritur, bebja thith gjithnjë e më shumë qumësht, më mirë i zbraz gjinjtë dhe sasia e qumështit shtohet.
Nëse vërtet duhet patjetër t’ia plotësoni ushqimin bebes, jepjani vetëm një shishe në ditë në atë kohë kur më së vështiri e keni për t’i dhënë gji. Gjatë natës është më mirë ta ushqeni me gji, në mënyrë që dallimi kohor të jetë sa më i vogël, pastaj edhe për të pasur më shumë qumësht.
Mënyra më e mirë e plotësimit të ushqimit është që bebes t’ia jepni pasi ta keni ushqyer me gji. Në këtë mënyrë nuk do të bëhet bebe dembele edhe për thithjen tjetër. Nëse jeni e detyruar ta ushqeni beben tuaj me këto dy mënyra, është mirë që të jeni shumë e durueshme, sepse bebja gjysmën e pi, e gjysmën tjetër e hedh.
Nëse keni bindjen se pasi ta keni ushqyer beben me gji ju ka mbetur ende qumësht, nxirreni me dorë apo me pompë. Për këtë arsye gjatë ushqimit tjetër do të keni më tepër qumësht. Kjo nuk do të thotë se patjetër duhet ta nxirrni qumështin. Zakonisht është e mjaftueshme disa herë apo disa ditë, në mënyrë që t’ju vijë më shuamë qumështi.