Connect with us

Raporti i PS për Tahirin, Manja: Prokuroria e lirë të hetojë, nuk i argumentoi dot akuzat

Kuriozitete

Raporti i PS për Tahirin, Manja: Prokuroria e lirë të hetojë, nuk i argumentoi dot akuzat

Raporti i PS për Tahirin, Manja: Prokuroria e lirë të hetojë, nuk i argumentoi dot akuzat

Deputeti socialist Ulsi Manja i ka paraqitur Kuvendit, raportin e mazhorancës ku nuk pranohet arrestimi i deputetit Saimir Tahiri, por vetëm hetimi i tij. Ai për këtë çështje ka dhënë dhe disa argumenta. Sipas tij organi i akuzës është i lirë të hetojë çdo deputet.

“Organi i akuzës është i lirë të hetojë këdo. Raporti jonë e trajton kërkesën e Prokurorisë duke iu referuar strikt ligjit. Prokuroria thotë: Unë kam regjistruar tre procedime penale. Por Prokuroria e ka regjistruar procedimin penal pas publikimit në media të përgjimeve, ku përmendej emri i ish-ministrit", tha Manja.

Në raportin tyre prej rreth 11 faqe deputetët e mazhorancës në Këshillin për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin, shprehen se nga analiza e dispozitave dhe nga shqyrtimi i kërkesës së organit të akuzës, relacionit përkatës dhe provave të paraqitura, shpjegimeve të dhëna gjatë mbledhjeve që realizoi Këshilli, rezultoi qartësisht se nuk ekzistojnë dyshime të arsyeshme dhe të bazuara për të përligjur dhënien e autorizimit për masën e arrestit ndaj deputetit Saimir Tahiri.

Sipas tyre, në materialin prej më pak se 5 faqe, por edhe gjatë sqarimeve të dhëna në mbledhjet e Këshillit, organi i akuzës nuk mundi të argumentojë përfshirjen e deputetit Tahiri në veprimtari kundërligjshmërie dhe nuk paraqiti asnjë indicie, fillim prove apo provë që të krijonte bindjen se ka dyshime të arsyeshme dhe të bazuara për të autorizuar vijimin e procedurave për masën ekstreme të arrestit ndaj deputetit Tahiri.

Më tej ata theksojnë se veprat për të cilat është regjistruar procedimi penal në ngarkim të Tahirit janë nga më të rëndat që përmban Kodi Penal, por për të cilat ata theksojnë se Prokuroria nuk ka bërë asnjë ditë hetim, por vetëm iu është referuar materialeve të procedimit penal të kryer nga organet e shtetit italian.

Duke u ndalur te çështja e debatuar më gjatë në Këshill, deputetët e mazhorancës në raportin e tyre shprehen se dokumentet që mbështesnin relacionin e organit të akuzës, të paraqitura nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë, nuk përbëjnë provë në kuptimin e provave që kërkon neni 149 dhe neni 198 i Kodit të Procedurës Penale në Republikën e Shqipërisë.

“Përgjimet janë mjete për të kërkuar provën”, thuhet në raportin e përfaqësuesve të majtë.

Ndaj sipas tyre në këto kushte kërkesa e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë deputetit Saimir Tahiri nuk plotëson aspektin procedural, pasi nuk u shoqërua me prova që të përligjnin dyshimin e arsyeshëm e të bazuar për krijimin e mundësisë së dhënies së një mase ekstreme që kufizon lirinë e personit.

Madje ata kanë dalë në përfundimin se “mungesa e provave, nxitimi i organit të akuzës për të kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri, dy ditë pasi ka regjistruar procedimin penal dhe emrin e tij në regjistrin e çështjeve penale, krijon bindjen se në këtë stad të hetimeve që ka kryer Prokuroria kërkesa ka sfond politik”.b.l/noa.al/

www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top