Kuriozitete
INFO-ANALIZË/ Çfarë po ndodh me Saimir Tahirin?
INFO-ANALIZË/ Çfarë po ndodh me Saimir Tahirin?
Njeriu që deri një vit më parë konsiderohej si “i përkëdheluri i Ramës”, sot ndodhet në qendër të një zjarri të kryqëzuar. Me një ndihmë të zbehtë nga ish-drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali dhe me gjithë të tjerët kundër.
Lulzim Basha kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm. Për LSI-në nuk mjafton, kërkon edhe “kokën” e Ramës.
Në të vërtetë, goditjet ndaj Tahirit kanë filluar që një vit më parë. Ai ishte i pari ministër i shkarkuar për të zbutur opozitën, përpara zgjedhjeve të 25 qershorit.
Më herët akoma, rreth 10 tonë kanabis u kapën në zonën e menaxhuar nga vëllezërit Habilaj.
I ngjitur në kabinet përmes Ramës, por me një lidhje të fortë me strukturat e Partisë Socialiste, Saimir Tahiri nuk mund të konsiderohet një “i katapultuar”, sikurse e llogarisin rivalin e tij të Mjaft-it, Erion Veliajn. Një rivalitet për numrin dy dhe pasardhësin e Kryeministrit Rama që nuk ka qenë ndonjëherë sekret.
Por Veliaj nuk ka qenë i vetmi “armik” i madh i Saimir Tahirit. LSI e ka sulmuar në vazhdimësi, ndoshta edhe më fort se Partia Demokratike. Në mënyrë indirekte, kur ishin në koalicion, dhe haptazi, pasi u prish marrëveshja Rama-Meta.
Kryeministri Rama nuk e promovoi më Saimir Tahirin në kabinetin e tij të dytë, ndonëse deri në fillim të vitit e konsideronte “ministrin më të suksesshëm”. Ndërsa u distancua pas publikimit të përgjimeve ku përmendej emri i tij.
“Qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam”, shkruan Kryeministri Rama.
A është ky një distancim nga “qeveria e vjetër” që drejtohej po nga Rama dhe ku Saimir Tahiri ishte ministër i Brendshëm?
Ndryshimet e ministrave ndodhin, por precedentët kur është kërkuar arrestimi janë të rrallë. Edhe kur ndryshimet e ministrave janë shoqëruar me ndryshime të linjave të trafiqeve.
Një ditë para plasjes së “bombës Habilaj”, Rama lëshoi një mesazh për LSI-në.
“Falënderoj posaçërisht përfaqësuesit e LSI dhe nuk është sekret që do të dëshironim shumë që me të njëjtën gatishmëri, sens të interesit të përbashkët… të kishim këtu edhe përfaqësuesit e opozitës së PD”, – tha Rama.
Një mesazh që mund të interpretohet edhe si një “shkelje syri” për njerëzit e Presidentit.
Nëse ky është një flirt i ri, për këtë mund të sakrifikohet edhe Tahiri. Në fund të fundit, me një palë pranga mund t’u bëhet qejfi të gjithëve…
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.