Kuriozitete
‘Unë jam ku**ë! Vajza tregon pa dorashka çfarë i ndodhi pas kërkoi të ndahej nga i fejuari
Deri një javë më parë, përpara se të shpërthente lajmi i ndarjes sonë në të gjithë fisin dhe shoqërinë, unë kisha emër dhe mbiemër. Kisha një familje dhe një diplomë. Kisha një punë që më paguante shumë mirë dhe ja kisha dalë vetë mbanë, duke paguar gjysmën e qerasë dhe të shpenzimeve të shtëpisë që ndaja me ish-partnerin.
Por sapo e morën vesh që unë kisha kërkuar vetë të ndahesha e t’i jepja fund fejesës, papritur i humba të gjitha këto. Humba prestigjin, suksesin, mençurinë, dhembshurinë, humba ambicien, humba madje edhe emrin tim të plotë dhe tani më njohin thjesht si “Ajo kurva!”
E çuditshme se nuk e kisha menduar asnjëherë që do të më vinte edhe mua dita të përkufizohesha si “Kurvë”!
E kam urryer këtë konotacion që shpesh i përvishet një femre dhe nuk e kam përdorur kurrë. Megjithatë gjithmonë kam lënë një hapësirë për ato vajza e gra që qëllimisht kërkonin t’u bënin keq mikeshave të tyre dhe me pak sforcim, por ato mund t’i quaja “Kurvë”.
Nga ana tjetër, isha shumë e vetëdijshme, që në Shqipëri damka “kurvë” u vihet pa asnjë përjashtim çdo gruaje që tradhton partnerin, kryen seks në këmbim të lekëve, vesh veshje të cilat ekspozojnë pak më shumë lëkurë sesa norma e shkollave katolike apo kalon numrin E Shenjtë prej 3 të dashurish në jetë (sipas librit moralist të kujtdreqinsedi). Në këtë kategori, të mos harrojmë edhe “Atë tjetrën”, pra dashnoren që shkon me një burrë të martuar.
Por në historinë time unë nuk isha “Kurva” sipas asnjë lloj standarti të mësipërm. Unë nuk kisha dëmtuar ndonjë mikeshë qëllimisht. Nuk kisha tradhtuar, për t’u veshur vishem më konservative se vetë motrat e Nënë Terezës (është në stilin tim), nuk ja kam dhënë trupin askujt në këmbim të lekëve dhe madje-madje edhe në numrin e partnerëve seksualë, isha brenda rregullave, sepse ish-partneri im ishte i dyti që unë kam pasur në të gjithë jetën time 28-vjeçare.
Atëherë duke bërë një përllogaritje tjetër, dola që unë qënkam një lloj tjetër KURVE! Unë jam Kurvë sepse kam marrë një vendim për të mirën e lirisë dhe ambicieve të mia personale!
Sipas mikeshave të mia të ngushta që më furnizonin edhe me thashethemet që bëheshin vërdallë, askush nuk po e kapërdinte faktin që unë kisha braktisur një njeri që më ka dashur shumë, duke i shkaktuar atij vuajtje të tmerrshme!
Është e vërtetë! Ai më donte pa masë. Gjatë gjithë viteve që ishim bashkë, ai ma shprehte çdo ditë se sa shumë më dashuronte dhe se si donte të kishte një familje me mua! Shtoji edhe faktin që ai nuk më tradhtonte asnjëherë (duke marrë parasysh që përpara meje ai kishte pasur me dhjetëra histori tradhtie) dhe E. vërtet për sytë e jashtëm, përbënte mashkullin ideal. Ashtu siç ishte edhe për mua gjatë periudhës kur isha studente e në fillimet e mia të karrierës.
Por a mjafton dashuria?
Ai kërkonte të ndërtonte një familje me mua dhe gjatë gjithë këtyre viteve unë nuk ndihesha gati. Në përfytyrimin tim, ndoshta frymëzuar edhe nga familja ime, partneri i jetës nuk të mban vetëm me dashuri, por ai duhet të jetë bashkë-udhëtar, duhet të rritet me ty dhe siç ti e pranon me ato çfarë ka edhe nuk ka, edhe ai duhet të bëjë të njëjtën gjë.
Kur mua m’u propozua një vend pune ëndrrash, njeriu i parë që mora në telefon, ishte ai. “Po ça tani, I bie që të shtohen përgjegjësitë e do të rrish më shumë në punë?” u përgjigj ai ftohtë.
“Është puna që dua. E kam në dorë nëse dua të punoj jashtë orarit, por sa më shumë të punoj, aq më shumë do të më japë dorë që të ecë përpara.”
“Më qafsh ku do të shkosh? Pse ta kanë lënë ty që të shpëtosh këtë vend?”
Nuk fola. E justifikova me tipin e tij. Ndërkohë që ai vetë ishte i lumtur me disa të ardhura nga pronat e familjes dhe një punë në shtet që i garantonte fundjavat pushim dhe pasditet e lira për shokët e tij. Kaq donte dhe nëse i propozoja ndonjë vend pune sfidues dhe me të ardhura më të larta se në shtet më thoshte gjithmonë: “Aman se në privat të vonojnë rrogat!” ose “Nuk punoj unë për ata katunarët. Kur u bënë dhe ata milionerë”.
Kur nisa të udhëtoja jashtë me punën, ai gjithmonë më priste turivarur në makinë dhe nëse do të përmendja qoftë edhe një emër mashkulli që ishte pjesë e udhëtimit, do të plaste sherri.
“Nëse unë udhëtoj me punën, nuk do të thotë që domosdoshmërisht do të bëj seks me çdo mashkull që takoj në avion!” i thoja shpesh dhe u bë aq e bezdisshme, saqë kohët e fundit nuk e njoftoja fare që do të vija, por gjithmonë merrja taksi për në shtëpi.
Një herë i thashë se shefi i projektit (I huaj) më kishte veçuar ndër të tjera për arritjet në punë. Reagimi i tij: “Po atij kokëlopës ja paska qejfi me ty?”.
Sa më shumë unë kërkoja nga vetja, aq më shumë ai përpiqej të më tërhiqte drejt një stili jetese që për momentin nuk mund ta bëja dot, duke më kujtuar se në fund të ditës unë kam ardhur në këtë botë për të gatuar dhe lindur fëmijë. Kjo e fundit u bë aq e lodhshme, sa jam e sigurt që stresi ndikoi në dështimin e përpjekjeve tona disamujore dy vjet më parë, për të bërë fëmijë.
Unë nuk jam nga ato që nuk dua fëmijë apo urrej martesën. Nuk jam as nga ato, që filozofoj shumë për detyrat dhe liritë e femrës në raport me mashkullin. Unë di vetëm se çfarë më bën të ndihem mirë dhe çfarë jo dhe kur mendoja që do të sillja në jetë një fëmijë në një atmosferë që nuk më bindte, zmbrapsesha.
Një herë, tek po diskutonim për fëmijët, i them E. se do të na duhej të kërkonim ndihmë. Ai më nguli sytë i habitur. “Ndihmë?! Për të mbajtur fëmijët e tu?!
– Po sepse unë edhe punoj, në rast se nuk e ke vënë re!
– Ok pra, punove! E pamë që je e shkëlqyer në punë, tani kalamajtë tanë s’do t’i rrisë bota.
– Ok, por përgjegjësitë do t’i ndajmë të dy. Ti ke më shumë orë të lira se mua.
– Po unë s’jam gruaja zogu! Unë t’i vesh e t’i ushqej kalamajtë!Mos do të vë dhe ndonjë vaginë aty poshtë!
Këto dialogje që shpeshtoheshin gjithmonë e më shumë, natyrisht i dëgjoja vetëm unë dhe i vuaja po unë. Aq sa vuaja edhe mospërfshirjen e tij në pasionet e mia. Një herë i kërkova të vinte me mua në një darkë me shefat e huaj të kompanisë dhe ai pranoi. Kur u kthyem, nisi të më ligjëronte me orë të tëra se sa “k*ra” ishin ata dhe sa naivë dhe se ç’idiotësh vijnë në Shqipëri e si ka mundësi që unë punoj për ta. U mundova të bëja një “rewind” të të gjithë bisedës atë darkë me vete, por nuk kuptova se në ç’moment ishin treguar ata “k*ra dhe naivë” përveçse gjatë gjithë kohës mundoheshin të tregoheshin të sjellshëm, të dëgjonin dhe herë pas here ndanin rrëfimet e tyre nga udhëtime nëpër botë dhe habinë për tradita shqiptare që (jo për faj të tyre) ishin shumë ndryshe nga traditat e vendit të tyre.
Ai nuk ishte i dhunshëm, përkundrazi më mbulonte me puthje çdo mëngjes. Herë pas here më bënte edhe surpriza e më sillte lule në zyrë ose në punë. Nuk harronte ditëlindjen dhe gjithmonë eksitohej fizikisht nga unë. Por ai nuk dëgjonte. Për atë mjaftonte që unë të isha me të, të mos e tradhtoja kurrë dhe sa më shpejt të bëja një fëmijë! Aq shumë e mendonte këtë sa edhe seksin e bëri qëllim në vetvete, për të më lënë shtatzënë. E niste si i joshur nga trupi im dhe i gjithë akti ishte një përpjekje e sforcuar për të shtyrë atë spermatozoidin e mallkuar drejt vezës sime.
Ai krenohej me mua tek të tjerët. Më hidhte dorën në qafë dhe e përsëriste me krenari që unë “Isha gruaja e tij!” Sa bukur tingëllon kjo kur je adoleshente. Ose kur unë isha në universitet. Por me kalimin e kohës, e kuptova që edhe në mburrjet e tij tek të tjerët, unë përfytyrohesha si një “Kupë”. Unë nuk isha “Gruaja e tij” e përkthyer në mikeshën, bashkëshorten, bashkudhëtaren e tij. Por isha KUPA e tij e fitores. Unë isha vajza me familje të mirë, e suksesshme, e përkushtuar ndaj tij, me veshje dhe pamje të thjeshtë, pa historira “kurvllëku” si “dashnoret e shokëve të tij”, unë isha një objekt në qendër të dhomës së pritjes dhe herë pas here mendoja se sa i lumtur do të ishte sikur vërtet të isha e tillë! Thjesht një Objekt! Sepse së fundmi, nuk po mbaronim dot as edhe një dialog bashkë! Sepse çdo dëshirë e imja, qoftë edhe për një udhëtim deri në Sarandë përfundonte me “Ta paska qejfi hë? S’të rri b*tha rehat!”.
Sepse një muhabet pune për kolegët e mi përfundonte në: “Aman mos ma çaj t*apin me ata idiotët!”. Sepse një dëshirë për të dalë diku me mikeshat e mia të pamartuara, merrte përgjigjen : “Po ato dalin për k*r! Ti ç’lidhje ke me to? E ke burrin!”
Ai shoku im, partneri im, njeriu me të cilin unë kisha ëndërruar se do të kaloja gjithë jetën, gjithmonë e më shumë ushtronte trysni kundër meje. Aq shumë më duhej të luftoja me rrymën e tij, saqë nisi të bëhej e lodhshme. Po lodhesha dhe vetë. Po e shihja se si po degradoja në një nevrike, se si po humbja durimin dhe se si gradualisht, po mësoja të gënjeja, edhe për gjënë më të vogël, thjesht për të evituar të gjitha ato “fantazi” të kokës së tij, të pakuptimta.
Ai më donte shumë. Ai nuk më tradhtonte kurrë. Ai më hapte celularin kudo që të ishte dhe flisnim me Facetime, sepse nuk i fshihej asgjëje. Ai ishte king. Për atë shumë vajza do të bënin kryqin dhe shumë u lënduan kur ai vendosi të më kushtohej vetëm mua. Por ai ishte i miri i botës në kurrizin tim.
Ndaj unë vendosa që një ditë t’i jepja fund. Ai nuk e besonte! Ishte e enjte pasdite. Unë sapo kisha marrë vesh lajmin e lumtur se kisha fituar një bursë për të bërë një master në Angli, falë kompanisë ku punoja.
Nuk e kisha menduar kurrë se do të ndahesha. Por ama, nuk e diskutoja në asnjë moment që të mos bëja masterin.
Ai si gjithmonë pasditeve ishte në shtëpi duke luajtur ose në Playstation ose i fiksuar pas ndonjë seriali në Netflix. Kishte porositur një pizza dhe gjysmën ma kishte lënë mbi tavolinë.
“Do të them një lajm!”
“Çfarë ka?”
“Të kujtohet që kur hyra tek kjo puna më thanë që ka edhe mundësi për master?! E fitova! Në Londër!”
Ai as nuk i ktheu sytë nga unë por vazhdoi të shihte “Designated Survivor” në Netflix.
“Hë mo më dëgjove?” e pyes dhe ulem afër tij.
“Çfarë do të të them, që të shkosh?! Ik, se e paske me qejf. Bëj çfarë të duash!?
“Po ja ku është Anglia” I them. “Një vit master është. Vij e iki me avion direkt”
“Po ik mi! Se na cave trapin më këtë punën tënde! Do të ikësh? Ik! Shko bëj shkollë, pallohu, bëj ç’të duash!
Aq ishte! Atë moment e kuptova që po sforcohesha kot, në një gjë që nuk e shihja më. Doja ta shihja, doja ta ruaja për hir të një të kaluare, për hir të një dashurie, por nuk kishte më asnjë shans. Dhe jo sepse tha atë që tha. Por sepse prej vitesh, çdo gjë që kishte lidhje me mua dhe me ato çfarë unë doja, bastardoheshin duke u njehsuar me nënkuptime për qejfe seksuale. E kush unë!? Që gjëja e fundit që kam menduar në gjithë përpjekjen time për të çarë përpara, ishte seksi! Madje fatkeqësisht, as më shkonte mendja për seks, kur ajo çfarë doja ishte të kapja mundësinë për veten time dhe një ditë, për të mirën e familjes sime.
Ndoshta në një situatë tjetër edhe mund ta kisha anuluar atë master. Kisha karrierën që doja dhe mund të bëja edhe pa të. Ndoshta, nëse ai do të më mbështeste në gjithë rrugëtimin tim profesional. Ndoshta në një situatë tjetër unë do të isha e lumtur edhe të zgjidhja të bëhesha nënë e të punoja me orë të shkurtuara. Nuk kam gjykuar asnjë grua qoftë atë që vendos të rrijë në shtëpi, qoftë atë që kërkon të avancojë në karrierë.
Por unë vendosa të ikja, sepse e kisha kuptuar, që që në fillimet tona, që në këtë histori kam qenë e vetme. Prej tij kisha vetëm dashurinë. Ose më saktë obsesionin, e asgjë tjetër. Ai as u rrit me mua, as ndau me mua dhe as u bë kurrë shoku im. Donte të ishte vetëm q*rësi im ekskluziv dhe babai i fëmijëve të mi! Por dreqi e mori, midis një seksi 5-minutësh dhe momentit kur do të sillja në jetë një fëmijë (e pas saj) ka me qindra-mijëra minuta të tjera që ai nuk llogariti asnjëherë. Thjesht më la.
Gjithsesi, kjo është historia ime. Për botën, isha unë qe e lashë! Kur unë ika të nesërmen nga shtëpia bashkë me rrobat e mia dhe u zhvendosa tek mami, ai më erdhi poshtë shtëpisë duke qarë dhe betohej që do të ishte gjithçka ndryshe! Por as vetë nuk e dinte se si! Unë e kisha marrë tashmë vendimin.
Nga qarjet, siç ndodh rëndom në një ndarje të fortë, ai kaloi në fyerje dhe ofendime që natyrisht përfshinë edhe fjalën “kurvë!”. Nga ai e prisja, sepse “seksi im me meshkujt e tjerë, siç ai fantazonte se shtroheshin tapet sapo unë dilja nga shtëpia” ishte një mendim i përditshëm në trurin e tij. Por nuk e prita nga të tjerë. As nga motra e tij, as nga e ëma dhe madje as nga shumë vajza e gra që njihja e që e urryen aq shumë faktin që unë mora një vendim për veten time, saqë më quajtën thjesht “Kurva!”.
E nëse sot marr frymë e lirë dhe e di më në fund se çfarë dua nga vetja dhe nga një partner potencial, qofsha kjo lloj Kurve gjithmonë!