Kuriozitete
Varrosi gjithë burrat e shtëpisë, flet nëna e përvëluar: Zoti të ma marrë shpirtin, dua drejtësi
Familjes Berisha nga Kosuriqi i Pejës nuk iu ndanë vrasjet gjatë tri dekadave me radhë. Në vitet ’90-a Shake Berishës i ishte vrarë bashkëshorti.
Para 11 vjetësh asaj i ishin vrarë edhe dy djemtë e saj të mëdhenj. Kurse para disa ditësh ajo varrosi edhe dy djemtë e saj të vetëm, duke ia mbyllur derën familjes
Dy gra janë të vetmet anëtare të familjes Berisha në fshatin Kosuriq të Pejës, që presin për ngushëllime farefisin që hyn e del në shtëpinë e tyre, pas vrasjes së dy djemve të kësaj familjeje tri ditë më parë.
Katër vëllezër të familjes Berisha janë vrarë brenda 11 vjetësh. Derisa nëna e mbetur pa asnjë fëmijë, Shake Berisha, po vuante afrimin e datës kur dy djemtë e saj të parë në gusht do t’i mbushin 11 vjet prej se janë vrarë, në këtë fshat, në një pritë, asaj iu vranë të premten në mbrëmje edhe dy djemtë e tjerë, Arsim Berisha, që ishte 32 vjeç, ndërsa vëllai i tij Ramizi, 27 vjeç. Edhe kryefamiljari mësohet se ishte vrarë në vitet ’90-a.
Në një rrëfim për “Zërin”, ajo thotë se sikur të përfillej ligji nuk do t’i humbte katër djem. “Do të shkoj gjykatë më gjykatë në Kosovë e në Evropë dhe drejtësinë e fundit do ta kërkoj për fëmijët e mi që m’i fikën dorasit, vrasësit, pa hak e pa hile, as djemtë e parë nuk më kanë pasur hak, as hile dhe as të fundit. Derisa Zoti të ma marr shpirtin nuk do ndalem së kërkuari drejtësi”, thotë ajo.