Kuriozitete
Brenda historisë së burgut
Mesazhe dashurie e vuajtjeje janë skalitur në muret tashmë të braktisura të burgut të Gjilanit.
Burgu i cili ua kufizoi lirinë aktivistëve politikë të viteve ‘90-ta, e të dënuarve për krime të pasluftës, sot ka mbetur i braktisur.
Me një investim qeveritar, Gjilani ka ndërtuar një qendër moderne të paraburgimit ndërsa burgu i zymtë brenda qytetit tashmë është vetëm atraksion për qytetarët dhe për ata që vuajtën në të.
Burgu i ndërtuar në vitin 1957 kishte pak hapësira për rekreacion dhe lëvizje e dhoma të ngushta me nga gjashtë shtretër.
Në kapacitetin maksimal burgu strehonte 94 persona ndërsa vetëm pas luftës në këtë qendër qëndruan 18.213 persona.
Në muret e burgut qëndrojnë të gdhendura shumë kujtime të gravuara nga ata që për kohë të gjatë e populluan ndërtesën. “Është e çuditshme se si një botë me 7 milardë njerëz mund të duket bosh, kur të mungon një person i vetëm“, shkruhet në njërin prej grafiteve.
Të tjerët kishin kaluar kohën duke parë fotografitë e VIP-ve dhe sportistëve të varura në mure.
Ditët e netët e gjata duket se janë gravuar në shumë prej dhomave. Dikush ka vendosur t’i numërojë ato duke i gravuar apo duke pikturuar.
Qendra e Paraburgimit në Gjilan nuk ishte edhe shumë atraktive për të burgosurit. Me hapësirat e saj nuk garantonte shumë. Një sallë e fitnesit dhe një shëtitore e vogël u garantonin një aktivitet të vogël fizik të burgosurve.
Atraksionet e objektit të burgut do të qëndrojnë të hapura për vizitorët deri në muajin tetor, për t’iu përshtatur më pas nevojave të komunës së Gjilanit.
Një prej të burgosurve të këtij burgu ishte edhe kryetari aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri.