Showbiz
Në 25-vjetorin e Çiljetës…ja si kanë qenë vipat shqiptar 7 vjet më parë! (Foto)
Në lajmet “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” të Gazetë Shqiptare publikohen lajme të viteve të ndryshme nga suplementi “Bluetooth”.
Çiljeta festoi dy ditë më parë në një nga pub-et e Tiranës 25- vjetorin. Anëtarja më e re e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike kishte ftuar në këtë ditëlindje pothuajse gjithë këngëtarët, të cilët deri në mesnatë mund të pinin gratis pafund, pasi më pas secili paguante me lekët e veta. Por, në fund të fundit kjo do të thotë: Çilin e duan të gjithë. Madje, mbrëmja që filloi në orën 21:00 dhe zgjati deri vonë pas mesnate, është shoqëruar përherë e më shumë me batuta e shpërthime emocionesh dhe këngësh nga vetë këngëtarët e ftuar. Çiljetës, në këtë mbrëmje nuk i mungoi as Romeo, për të cilin u fol se kishte pasur edhe shkëputje. Në fakt, sherret në çift i pranon edhe vetë Çiljeta, por duket se Romi e respektoi mirë për 25-vjetor. Por ja që për anëtaren më të re të KK së PD-së kishte edhe surpriza.
Vetë Doktor Flori nuk harroi të merrte mikrofonin: “Edhe pse Çili është një shoqe e mirë dhe sot mbush 25 vjeç, unë prapë them, ‘Hapni kutitë’!” – tha DR.Flori, duke e bërë sallën të ushtonte nga duartrokitjet. Nuk pritej gjë tjetër, përveçse Flori të këndonte këngën “Çohu, çohu, çohu…!”, ndërsa Çili, majë banakut të pub-it, me dy gishtat lart të këndonte “Shqipëria po ndryshon”. Por, rivalitetit të dy këngëtarëve, sigurisht u dhanë fund dy vëllezërit korçarë, të cilët me një “Serenatë” korçare i ulën paksa tonet e asaj që mund të ndodhte aty, e sigurisht jo për sherr. Ditëlindja për Çilin ka qenë perfekte, madje dhe vetë Çili, e cila kishte shtuar së tepërmi qerpikët, duke u prezantuar me një look tërësisht të ri. Por, ç’ndodhi në ditëlindjen VIP të Çilit? Na ndiqni me thashethemet…
Shkelzen Berisha, i ftuari special në ditëlindjen e Çiljetës
Ai nuk është aspak njeri mediatik. I pëlqen të rrijë në hije. Madje, edhe kur i lakohet emri nga politika, nuk preferon aspak të justifikohet. Edhe pse është djali i kryeministrit të vendit, Shkëlzen Berisha është një njeri krejt indiferent. Nuk i pëlqen pompoziteti e aq më tepër të zgjedhë vende për të rënë në sy. Kështu ka ndodhur edhe në ditëlindjen e këngëtares Çiljeta Xhilaga, anëtares më të re të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Shkëlzeni ka qenë i ftuari special i kësaj nate, por ai nuk ka marrë as meritat dhe as ka kërkuar të zgjedhë ndonjë vend pompoz. Përkundrazi! Si një njeri krejt i thjeshtë, pa bashkëshorten Sadijen me vete, me një çift miqsh të tij, ai ka qëndruar tek banaku i barit fare pranë derës së lokalit. Pakkush e ka vënë re, kjo edhe për faktin se të gjithë ishin të përqendruar tek Çili, por edhe për arsyen se Shkëlzeni ka qëndruar me kurriz nga njerëzit. Kjo, sigurisht për t’iu përshtatur natyrës së tij dhe jo për ndonjë motiv të veçantë. Në ditëlindjen e këngëtares Xhilaga kanë qenë edhe anëtarë të tjerë të Partisë Demokratike, por sigurisht, prezenca e djalit të Kryeministrit të vendit, ka qenë një shenjë respekti dhe konsiderate që Berisha ka ndaj më të resë në partinë e tij.