Kuriozitete
24 orë nga dita e një nëne të papunë!
Une jam thjesht Jona Kuke. Mam I dy femijeve . Pas nje karriere te gjate televizive gati 15 vjeçare me disa shkeputje studimesh ndermjet, vendosa të lë median, për një karrierë të re, në mëmësi me kohë të plotë.
Mes vorbullës së një përditshmërie ku në epiqendër janë Dante dhe Aria, ‘gërmova’ kohën, cepin e qetë dhe dëshirën për të shkruar ditarin e tim. Që mund të jetë edhe ‘fleta’ e një dite si jotja, mam e harruar në jetën e fëmijëve të tu, por grua e bukur përvojash, kujtimesh, por edhe ëndrrash e dëshirash që nuk mund të përkunden vetëm nën teshat që presin lavatriçen, apo përcjelljet e të vegjëlve nga një kurs në tjetrin pas-shkollor.
Unë jetoj me bashkëshortin dhe dy fëmijët e mi, djalin 6 dhe vajzën 4 vjeç. Me ne jeton edhe kunata ime, motra e vogël e bashkëshortit tim. Unë nuk mendoj se jam kunatë e përsosur, por besoj se duke ditur të respektoj lirinë e tjetrit dhe në të njëjtën kohë duke e marrë këtë liri mbrapsht po njësoj brenda një hapsirë të përbashkët, them se ia kemi dalë mbanë të jëtojmë në harmoni. Madje kur ajo (kunata) mungon në shtëpi, ndihet shumë mungesa e saj sidomos tek fëmijët.
Dita ime si mam i dy fëmijëve nis zhurmshëm e rrëmujshëm me pregatitjen e tyre për kopësht ku gati-gati në vrap e sipër, ndonjëherë harroj dhe vesh prapë të njëjtën bluzë që kisha veshur një ditë më parë. E vogla imë ma vë re gjithmonë dhe në dalje e sipër më thotë : O mam, prapë këtë bluzën?
Oh jo as që bëhet fjalë të kthehem…! “ Ikim zemër” – i them. ”Ja kam xhupin nuk duket!”- justifikohem unë….” Por ndërsa jam duke mbyllur derën, i dëgjoj zërin e hollë dhe të ëmbël që sado përpiqet të jetë qortues bëhet edhe më mjaltë kur thotë : “Po edhe xhupi i njëjtë është ..!”
Ah fëmijët e sotëm!!! S’di pse kur krahasoj veten me fëmijët e mij, këta më duken më të mençur. Mëmësia e justifikon këtë konkluzion patjetër. Edhe mamit tim me siguri kështu do i jem dukur 40 vite më parë!!!
Kopshti është afër shtëpisë ndaj ecim për të shkuar deri aty, nuk kemi nevojë për makinë. Teksa nxitojmë përmes një rruge plot gropa, ujë e baltë me ndonjë copë asfalt të mbetur aty-këtu që nga fushata elektorale e fundit (të mendosh që jetojmë në zemër të kryeqytetit)
– Kujdes, kujdes bir i mamit – i them djalit. Baltaaaa…. gropaaa… makina…
– Hajde këtu bir, të lutem më jep dorën.
Puthemi dhe ndahemi pasi u kam dorëzuar gjënë time më të shtrenjtë edukatoreve, të cilat vërtet i kam shumë të mira. Ah se mos harroj edhe me premtimin djalit se do e marr shpejt…!
Gjithçka si për çudi qetësohet e merr tjetër pamje sapo mbyll pas vetes derën e kopështit. Ja ku jam tani vetem, unë me qytetin tim, që e njoh me rrënjë e me aromë stinësh, qe e dua në kujtime të paçmuara, që e urreva deri në braktisje disa herë dhe që po aq herë ju riktheva me më shumë dashuri.
Këtu nuk jetohet! Këtu nuk shtyhet! Këtu është bërë të ikësh natën! Ky është bërë refreni i kohës… Nejse, më duhet një kafe pikë së pari. Vendi është përgjithësisht i njëjti, ndërsa personat ndryshojnë në varësi të angazhimeve të ditës së gjithësecilit.
Tek e fundit e papuna jam unë…
Kafja e bën efektin sapo i ndjej aromën por kur rrufis të parën gllënkë idetë qartësohen dhe gjithçka merr qëndrim tjetër. E çfarë pastaj së kam të njëjtën bluzë, sot jam me Bujanën, dje isha me Albanën, s’ka problem pra, përpiqem akoma t’i mbush mendjen vetes.
Shoh Bujanën akoma beqare që po vjen shend e verë, sapo ka mbaruar yoga-n me siguri. Takat jo më pak se 10 cm që kërcasin parketit të lokalit, flokët e krehur e të sapo lyer shkëlqejnë si mëndafsh, pellushi që i rrethon qafën si për ti përkëdhelur dekoltenë e lehtë ku bizhutë nuk mungojnë asnjëherë e natyrisht veshja është e denjë për pozicionin që ajo mban si përfaqësuese e një kompanie prestigjioze distribucioni kozmetikësh me brende globalë. Vjen erë të mirë e teksa puthemi aty më bie ndërmend se as parfum nuk kam vënë … Eh ok Bujana më njeh mirë, s’ka problem!
Biseda rrjedh natyrshëm mes dilemave, halleve, përditshmërisë, thashethemeve, politikës udhëtimeve e plot të tjera.
Flasim pastaj për gocat; Bela po na ikën në Gjermani do mbetemi 3 tani, unë, Bujana dhe Manjola nga grupi i famshëm i Gocave “Cool” të kohës, siç na etiketonin e njihnin të gjithë. Kur ditë-nata na dukej 48 orëshe dhe prapë nuk na mjaftonte, kur dypunësimi që bënim në rastin më të keq, prapë nuk mjaftonte për të përmbushur egon profesionale e për të testuar veten dhe aftësitë tona. Mos flas pastaj për udhëtimet nëpër botë të cilat ishin shqetësimi i fundjavës.
Po jeta e natës?!
E si mund të mungonim aty….
Ufff çfarë netësh na zbardhnin në çast!
Shoqëria e “Living të vjetër” tashmë me shumicën e tyre takohem nëpër ditëlindje kalamajsh….
Historia ime me Mondin (bashkëshortin) më vjen furishëm ndër kujtime….
Sa shumë dashuri, sa lot, sa stres, sa keqkuptime, sa ditë të mrekullueshme, çfarë udhëtimesh të paharrueshme, sa “ndarje ” e ribashkime magjike….!
Në fund e mora se plasa !
Me Bujanën koha fluturon, pa kuptuar kanë kaluar 2 orë , ndahemi, Bujana duhet të iki e unë gjithashtu. Ajo drejt një takimi më biznesmenë për çështje pune, unë për një takim me fshatarët tek tregu i fruta-perimeve.
Sërish në shtëpi, kam vetëm 2 orë kohë për të sistemuar blerjet, pastruar shtëpinë, sistemuar teshat, mbushur lavatriçen, palosur rrobat nga tharësja e për ti bërë gati ato për ti hekurosur. Drekën e kam në mendje sot, nuk më duhet shumë kohë. I di thuajse përmendësh veprimet.
Në 2 orë shtëpia shkëlqen, dreka është gati, vetëm hekuri mbeti për në darkë. Tani është ora 14:00, duhet të marr fëmijët nga kopështi. Nisem, por kësaj here marr makinën, sepse kemi bërë plane. Tani jam shofere në dispozicion.
Ora 18:30 na gjen prapë në shtëpi. Fëmijët kanë vetëm 1 orë kohë për tableta, filma vizatimorë, apo për të luajtur më babin, kohë e mjaftueshme për mua për të pregatitur darken, të cilën e hamë gjithmonë bashkë të katërt, është kusht. Më shijon kaq shumë kjo darkë sa nuk do ta konkuronte asnjë darkë shefi Michelin.
Banja e përnatëshme është detyra e babit.Ndërsa ora e gjumit na gjen përqafuar të treve në krevatin e madh timin ku pasi lexojmë përrallëzat e preferuara gjumi i zë si zogj në krahët e mi. Sytë më mbyllen nga një lodhje e ëmbël e ashtu përhumbur nis rrugëtimin im ëndrrimtar që në të gjitha rastet nuk është më i bukur sesa ai më sy hapur.
Po bëje dhe ti një punë!! – ma thonë shpesh njerëz të ndryshëm. S’kam fjalë e as dëshirë t’ju përgjigjem, se në fakt kjo është pikërisht puna që kam bërë më me shumë dëshirë dhe dashuri gjatë gjithë jetës sime. Natën e mirë