Kuriozitete
Veliaj në Serbi: Tirana, vendi ideal për investime të huaja
Veliaj në Serbi: Tirana, vendi ideal për investime të huaja
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë një ditore në Serbi, me ftesë të kryebashkiakut të Beogradit, Sinisa Mali, për të marrë pjesë në forumin “Ditët e Investimeve në Beograd”.
Në fjalën e mbajtur në forum përpara kryebashkiakëve të rajonit, diplomatëve dhe investitorëve të rëndësishëm nga e gjithë bota, kryebashkiaku Veliaj prezantoi projektet transformuese të Tiranës, potencialet e saj për tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe të bashkëpunimit rajonal, për të mundësuar realizimin e projekteve të përbashkëta.
Ai e cilësoi prezantimin e Tiranës në këtë forum si një mundësi fantastike për promovimin e kryeqytetit, si dhe avantazhet shumë herë më konkurruese krahasuar me qytetet e tjera të rajonit.
“Sot, në fakt, Tirana është i vetmi qytet që po rritet. Shumica e qyteteve në Ballkan po tkurren edhe për efekt të moshës. Do të thotë që, shumë prej kompanive që investojnë në Ballkan dhe që ishin në këtë forum, janë duke kërkuar një vend ku ka mjaftueshëm talent në moshë të re që mund të punojë, që di gjuhë të huaja dhe që ka aftësitë kryesore për të punuar në një kompani multinacionale”, tha ai.
Duke e cilësuar Tiranën si qytetin ideal të investimeve në Ballkan, kryebashkiaku Veliaj theksoi se qyteti ofron shumë mundësi për kompanitë e huaja që duan të zhvillojnë biznesin e tyre në Shqipëri.
“Besoj se Tirana me mundësitë e reja që po ofron, me taksat e ulëta, ndoshta më të ulëtat sot në rajon nga secili prej kryeqyteteve të pranishëm, është vendi ideal për të investuar. Mesazhi që japim në këtë forum ballkanik të investimeve është që sot Tirana listohet për të gjitha këto arsye, duke nisur nga moti, tek mosha, tek taksat dhe tek talenti i njerëzve që duan të punojnë, si vendi ideal i investimeve në Ballkan”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se Tirana është e hapur për të mirëpritur investime në zonën e re ekonomike të kryeqytetit, ku bizneset do të kenë mjaft lehtësira, duke shmangur edhe burokracitë e panevojshme.
“Po përgatisim të bëjmë një aplikim në qeverinë shqiptare për të na dhënë statusin e zonës ekonomike, e cila do të na bënte konkurrues bashkë me kryeqytetet e tjera të cilat i kanë krijuar këto hapësira, për të ftuar biznese të cilat nuk duan kokëçarjet e negociatave me dhjetëra pronarë apo pretendues të pronës, por duan që në një pronë tashmë të sqaruar nga qeveria apo Bashkia, të vendosin menjëherë një kapanon ku mund të kryejnë më pas biznesin e tyre dhe të fillojnë menjëherë prodhimin”, deklaroi ai.
Ndryshimet që ka pësuar qyteti falë investimeve të Bashkisë, duke rritur ndjeshëm edhe vlerën e pronës, si dhe duke gjeneruar mundësi të reja për të kryer biznes, kanë ngjallur interesin e mjaft kompanive të huaja, të cilat dëshirojnë që të shtrijnë aktivitetin e tyre edhe në vendin tonë.
“Me rritjen e vlerës së pronës, që sot kemi pasur interes nga shumë prej kompanive që duan të vijnë, të blejnë dhe të investojnë një pronë në Tiranë apo të fusin industrinë e hotelerisë, ku Tirana ka pasur një rritje të turizmit me 2.5 herë në vitet e fundit.
Projekti “1 miliard” i qeverisë “Rama” për të ftuar kompani nga e gjithë bota, të cilat i financojnë projektet dhe i marrin pagesat në kohë, ashtu siç po bën qeveria me rrugët apo Bashkia me shkollat, ishte gjithashtu një temë tjetër me shumë interes dhe mirëpresim edhe garues të huaj dhe gjithë investitorët e Ballkanit që të jenë të pranishëm në Tiranë”, theksoi Veliaj.
Forumi “Ditët e Investimeve në Beograd” është një platformë e jashtëzakonshme sa i përket bashkëpunimit ekonomik që mbledh bashkë përfaqësues të trupit diplomatik, ministrive, investitorëve, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare, banka e kompani të huaja dhe vendase, përfaqësues të Fondeve, Dhomave të Tregtisë, nga Evropa Juglindore, Qendrore dhe Jugperëndimore, Rusia, Pellgu Kaspik, Kina dhe Lindja e Mesme.
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.