Kuriozitete
Si ta hiqni mykun nga muret e shtëpisë
Myku është një shqetësim i madh për banesat e shumë familjeve.
Për këtë fakt, ne sot kemi menduar t’ju sjellim disa këshilla se si t’i pastroni muret e shtëpisë tuaj nga myku, me metoda natyrale, të pakushtueshme dhe me rezultate të shkëlqyera:
Uthulla e bardhë
Një ilaç natyral vërtet efikas, për të eliminuar mykun në shtëpi, është uthulla e bardhë. Mjafton të përzieni dy filxhanë me uthull të bardhë në një shishe me ujë të nxehtë dhe me të, të spërkasni sipërfaqet me myk. Nëse dëshironi ta pastroni deri në thellësi, atëherë përgatisni një përzierje me uthull dhe sodë buke. Hidheni atë në një furçë të vjetër dhe filloni të fshini pjesët e mykut në muret e shtëpisë suaj, apo gjetkë.
Ekstrakti i farave të qitros
Nëse myku është i vështirë për t’u hequr, atëherë ju mund të përdorni ekstraktin e farave të qitros. Mjafton të përzieni njëzet pika të këtij ekstrakti me pak ujë dhe më pas ta hidhni atë në një shishe me spruco. Këtë përzierje duhet ta tundni mirë përpara çdo përdorimi. Nëse është e nevojshme, ju mund të përdorni për të njëjtën sipërfaqe muri me myk, si uthullën e bardhë, ashtu dhe ekstraktin e farave të qitros, duke proceduar një herë me njërën dhe një herë me tjetrën.
Soda e bukës
Soda e bukës është një baktericid natyral shumë efikas për të eliminuar mykun nga muret. Mjafton të holloni dy lugë gjelle sodë buke në një shishe të vogël me ujë dhe më pas t’i shtoni edhe dy lugë të tjera me kripë. Të gjithë përzierjen hidheni në një shishe të posaçme për spërkatje. Pasi të keni bërë këtë veprim shtojini edhe dy lugë me ujë të oksigjenuar 40 vëllimshme. Ky spraj natyral do të kthehet në aleatin tuaj më të besuar për të hequr mykun nga sipërfaqe të ndryshme.
Alkooli i denatyruar
Për të hequr mykun nga rrobat e sidomos nga tapiceria, ilaçi më i mirë është përzierja e gjysmë litri alkool të denatyruar me një filxhan çaji me ujë. Mjafton që në këtë përzierje të ngjyeni një leckë dhe më pas me të, të fërkoni pjesët e rrobave, të perdeve, apo të tapeteve, ku myku i ka pushtuar ato.
Vaji i pemës së çajit
Vaji i pemës së çajit mund të jetë shumë i dobishëm për të eliminuar mykun nga muret e shtëpisë. Është e mjaftueshme të hidhni dy lugë prej këtij vaji në një enë me dy filxhanë ujë, e më pas ta përdorni atë për të pastruar mykun në mure. Avantazhi i vajit të pemës së çajit, është se ai mund të ruhet për një kohë të gjatë. Ndërkohë që juve nuk do t’ju duhet t’i shpëlani sipërfaqet ku keni përdorur këtë lloj vaji.
Por çfarë është myku?
Termi myk përfshin familjen e kërpudhave, të cilat rriten në ushqime dhe ambiente me lagështi. Myku mund të jetë me ngjyra të ndryshme, i bardhë, i zi apo në çfarëdolloj ngjyre tjetër. Ai ka pamje nga më të ndryshmet dhe ka erën e tij karakteristike. Për t’u zhvilluar, mykut i duhet një ambient i përshtatshëm dhe natyrisht lagështia. Kur zhvillohet, ai fillon të lëshojë në ajër “sporet”, të cilat janë shumë të vogla, aq sa mund të thithen lehtësisht me frymëmarrjen e njeriut. Thithja në sasi të mëdha e sporeve të mykut është shumë e dëmshme për shëndetin. Vendet me myk identifikohen lehtësisht me shikim, por ato më të zakonshmet janë parvazet e brendshme të dritareve, apo ballkonit, këndet e paajrosura të dhomave, muret (zakonisht muret e banesës në kontakt me jashtë), tapetet, anekset e gatimit, sipërfaqet në ambientet e dushit, pjesët e brendshme nën lavamanë, apo ku ka tubacione dhe shkarkime hidraulike, etj.