Kuriozitete
Takimi i Ramës me ambasadorët, Basha: Sjellja e investitorëve të huaj, mision i pamundur
Takimi i Ramës me ambasadorët, Basha: Sjellja e investitorëve të huaj, mision i pamundur
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagon ashpër pas takimit që kreu i qeverisë Edi Rama pati paraditen e së dielës, me ambasadorët e Shqipërisë në botë, ku fokusi ishte thithja e investimeve të huaja.
Basha thotë se është mision i pamundur që ambasadorët të sjellin investitorë të huaj në Shqipëri.
Ai shton se Rama e di shumë mirë këtë, sepse është ai përgjegjësi për krijimin e një klime armiqësore për biznesin vendas dhe të huaj.
Kreu i opozitës deklaron se Kryeministri i pashpresë dhe i korruptuar deri në rrënjë, e di se në Shqipëri mund të investojnë apo marrin tendera vetëm ata që pranojnë të dorëzojnë kapar 30- 50% të fitimit tek ai, përmes sejmenëve të tij të kapur në përgjime.
“Ambasadorët e kanë mision të pamundur sjelljen e investitorëve të huaj, sepse në 4 vitet e fundit raportet ndërkombëtare flasin vetëm për përkeqësimin e klimës së biznesit, për rritjen e taksave, për korrupsionin e përhapur në çdo nivel të qeverisjes. Sepse tenderat dhe koncesionet përfundojnë në xhepat e 10 klientëve të Kryeministrit dhe investitorët e huaj gjymtohen nga kriminelët e lidhur me Ramën dhe Dakot e tij për t’u përzënë nga Shqipëria”, shprehet Basha.
Gjatë qeverisjes tashmë të vdekur të Ramës, në Shqipëri nuk erdhi asnjë investim serioz i huaj, thotë lideri demokrat, duke nënvizuar se po të mos ishin dy projektet e mëdha energjetike, gazsjellësi Trans Adriatik dhe Kaskada e Devollit, niveli i investimeve do të ishte në minimum historik, duke e kthyer vendin 15 vite prapa.
Në këtë linjë thotë se ambasadorët e Shqipërisë e kanë mision të pamundur sjelljen e investitorëve të huaj, sepse për shkak të keqqeverisjes së Ramës vendi është në depresion ekonomik dhe social.
Basha deklaron se rreth 300 mijë shqiptarë të larguar në katër vjet nga Shqipëria janë prova ulëritëse e këtij realiteti dëshpërues.
Po ashtu thotë se investitorët e huaj do të vijnë në Shqipëri, kur vendi të ketë një qeveri që lufton krimin, hap vende pune dhe ju jep mundësi të gjithëve.
“Por kjo nuk do të ndodhë përsa kohë vendin ta drejtojë Kryeministri i kapur nga krimi dhe i zhytur në krim, që ktheu Shqipërinë në hambar droge dhe buxhetin e shqiptarëve në lavatriçe për Pastrimin e Parave të Pista”, deklaron në mbyllje lideri i demokratëve. /a.y/noa.al
Rama: Shërbimi i jashtëm në funksion të zhvillimit ekonomik, diaspora burim i pashfrytëzuar
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.