Kuriozitete
Përurohet kopshti nr. 60 në Tiranë, Veliaj: Me buxhetin e ri, më shumë investime
Përurohet kopshti nr. 60 në Tiranë, Veliaj: Me buxhetin e ri, më shumë investime
Në Ditën Botërore të Fëmijëve, kopshti nr. 60 në kryeqytet hapi dyert për të mirëpritur disa nga më të vegjlit e Njësisë 3.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar dhe kryetari i qarkut, Aldrin Dalipi, inspektoi përfundimin e punimeve për transformimin e kopshtit dhe ftoi prindërit që të regjistrojnë fëmijët e tyre.
“Ky kopësht sjell një çlirim të fluksit për njësinë 3. Dua të ftoj prindërit që janë të interesuar, të vrapojnë të regjistrohen dhe nga 1 janari do të kemi mundësinë që të ofrojmë edhe shtretërit që janë gati, edhe kuzhinën që është gati. Kopshti do të jetë një kopsht me drekë”, deklaroiVeliaj.
Duke falenderuar ambasadën turke për kontributin e dhënë, Veliaj ftoi edhe ambasadat e tjera që t’i bashkohen nismave të bashkisë për rikonstruktimin e institucioneve arsimore.
“Ky kopësht ka pasur probleme të qenësishme me infrastrukturën, ndërtesën, me themelet, me lagështirën, me kullimin, me gjithë rrënimin që kemi gjetur këtu. Para disa javësh bëmë një kënd lodrash me Ambasadën Çeke, sot një kopsht me Ambasadën Turke dhe duam të ftojmë të gjithë ata që janë miq, që të kenë mundësinë ta tregojnë praktikisht miqësinë dhe mënyrë më të mirë se sa një kopësht fëmijësh, që janë e ardhmja e këtij qyteti, nuk ka”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku bëri me dije se financimet për ndërtimin dhe rikonstruksionin e kopshteve dhe të çerdheve do të vijojnë edhe për vitin e ardhshëm, ku në sajë të buxhetit të Bashkisë së Tiranës 15% më të lartë, fokusi do të jetë për ndërtimin dhe rehabilitimin e kopshteve dhe të çerdheve në zonat periferike.
“Ftoj edhe Këshillin Bashkiak ta miratojmë buxhetin e ri, i cili do jetë 15% më i madh dhe do të na mundësojë që të bëjmë akoma më shumë subvencionime në çerdhe e kopshte. Do të thotë që të hapim kopshte e çerdhe të reja në një Tiranë që sa vjen e rritet. Fokusi në dy vitet e ardhshme, edhe me buxhetin e ri, do të jetë për kopshtet e çerdhet në zonat periferike. Na duhet që të ofrojmë këto shërbime edhe në Tiranën periferike, që të mos kemi dyndje”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se një pjesë e mirë e buxhetit të bashkisë shkon për të subvencionuar shërbimet bashkiake në të mirë të komunitetit.
Ndaj, ai ftoi qytetarët që të tregohen të rregullt në shlyerjen e detyrimeve, ndërsa theksoi se nuk do të ketë asnjë rritje taksash për vitin e ardhshëm.
“Duke nisur nga kostoja e çerdhes dhe kopshteve, e deri te kostoja e mirëmbajtjes së varrezave, çdo gjë subvencionohet. Prindërit paguajnë vetëm 1/7 apo 1/8 e kostos reale dhe shumica e shërbimeve të bashkisë shkon për të subvencionuar që çmimet të jenë sa më të ulëta dhe sot kemi çmimet më të ulëta në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Duam t’i mbajmë të tilla, por për këtë do të thotë që duhet të paguajmë edhe taksat. Kompanitë, bizneset, sipërmarrësit e mëdhenj, pra ata që fitojnë më shumë do të duhet të paguajnë edhe më shumë. Ne nuk parashikojmë të kemi asnjë rritje taksash, ama për t’i mbledhur do i mbledhim të gjitha”, u shpreh Veliaj. /a.y/noa.al
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.