Kuriozitete
Vangjush Dako- Bashës: Gati të ballafaqohem, ja çfarë nuk mund të bëj dot për PD
Vangjush Dako- Bashës: Gati të ballafaqohem, ja çfarë nuk mund të bëj dot për PD
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka reaguar pas akuzave nga kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili tha se ekzistojnë prova se zyrtari vendor i PS ka blerë vota. Basha e ka akuzuar Dakon për përfshirje në veprimtari kriminale.
Pas këtyre akuzave, ka reaguar kryebashakiaku përmes një postimi në rrjetet sociale. Dako shkruan se me Bashën është i gatshëm të ballafaqohet kudo. Po ashtu, ai shkruan se problemi i Bashës dhe PD është humbja e thellë në Durrës.
“Me Lulzim Bashën jam i gatshëm të ballafaqohem në çdo studio apo shesh publik, për të gjitha ato që ai dhe altoparlantët e tij bërtasin për mua prej vitesh tashmë!
E vetmja gjë që nuk bëj dot për Lulzimin dhe partinë e tij është të fitojnë Durrësin, të cilin e kanë humbur thellë dhe më thellë, duke rënë poshtë dhe më poshtë në gropën që janë munduar të më hapin mua.
Gjithë të tjerat me këtë lloj soji janë humbje kohe. Keqardhje për gjithë ata që dëgjojnë akoma Lulin dhe këtë opozitë pulash të lagura që bëjnë sikur janë ujq të tërbuar”, shkruan Dako.
Më herët Basha në një deklaratë për mediat tha se kryebashkiaku i Durrësit është nën hetim pasi ekzistojnë përgjime të tij dhe kriminelëve që u ofron tenderë në këmbim të votave në zgjedhjet e 25 qershorit.
Basha tha gjithashtu se për të mbrojtur Dakon, Rama largoi prokurorin Anton Martini që po merrej me çështjen duke e dërguar atë në Shkodër "me shpresën për të shpëtuar Gjushin nga prangat".
Kreu i PD-së i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë nëse lëvizja e Martinit është bërë nën presionin e Ramës. /b.l/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.