Kuriozitete
Përgjaken rrugët, dy persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit
Përgjaken rrugët, dy persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit
As masat e marra nga policia duket se nuk po funksionojnë për të ulur numrin e aksidenteve në vendin tonë.
Pak ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, folën për masa të reja shtrënguese, por sërish aksidentet vijojnë të marrin jetë njerëzish.
Në vetëm 24 orët e fundit kanë ndodhur 5 aksidente me dy viktima dhe disa të plagosur.
Kështu, në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë, 31-vjeçari me iniciale K.Xh ka humbur drejtimin e motorit duke dalë nga rruga. Ai ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të rënda.
Një tjetër e re humbi jetën në rrugë si pasojë e një aksidenti në aksin Fushë Milot-Thumanë, ku një automjet i cili drejtohej nga një 30-vjeçar nga Kosova, përplasi për vdekje 23-vjeçaren me inicialet, D.D.
Sa i përket ngjarjeve të tjera, ato janë mbyllur pa pasoja të rënda. Në autostradën Tiranë-Durrës, makina përplasi një motorçiklist duke e plagosur lehtë, ndërsa në rrugën “Kastriotët”, një motor përplasi një vajzë 8-vjeçare dhe më pas u largua nga vendngjarja.
Edhe aksidenti në Gostimë të Elbasanit, nuk regjistroi viktima. /k.k/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.