Kuriozitete
Kontrata e fshehtë e PD me lobistin, Balla: Prokuroria të hetojë. Ku i gjeti Basha 1 milion dollarë
Kontrata e fshehtë e PD me lobistin, Balla: Prokuroria të hetojë. Ku i gjeti Basha 1 milion dollarë
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka hedhur akuza të forta ndaj Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj Lulzim Basha, lidhur me investigimin e BIRN se PD ka paguar 1 milionë dollarë kompaninë “offshore” për lobim në SHBA gjatë fushatës elektorale.
Në një konferencë për mediat Balla e cilësoi këtë një skandal të rëndë financiar për të cilin Prokuroria duhet të nisë sa më parë hetimin.
Sipas Ballës, ky është një akt i pastër i shkeljes së ligjit, duke qenë se këto para nuk janë bërë publike nga PD në raportin për shpenzimet në fushatë, që çdo parti i ka dorëzuar KQZ-së.
Ai thotë se asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Po ashtu shprehet se në këtë raport të depozituar në KQZ, gjithçka u citua më sipër nuk është parë e deklaruar.
"Kjo rëndon tërësisht pozicionin ligjor dhe krijon bazë të qëndrueshme për akuzë për sa i përket fshehjes së deklarimeve të detyrueshme që Partia Demokratike dhe personi përgjegjës Lulzim Basha kanë kundrejt ligjit. Për transparencë të publikut, shpenzimet e Partisë Demokratike për fushatën zgjedhore të 25 qershorit raportohen vetëm 500 mijë dollarë. Ndërkohë shpenzimet e përmendura më sipër, pra 500 mijë dollarë që janë kryer në çdo cep të Shqipërisë, në çdo takim elektoral, në çdo miting, në çdo media, janë mesatarisht dy herë më pak sesa shpenzimet e kryera nga Partia Demokratike përmes një kompanie offshore në transferta tek disa kompani lobingu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Balla
Lidhur me këto akuza Balla i kërkoi Prokurorisë të nisë sa më parë hetimin.
“Në mënyrë të menjëhershme, Prokuroria nuk duhet të vonohet por të fillojë menjëherë hetimin, sapo ky fakt është bërë publik nga rrjeti i Reporterëve Investigativë të Ballkanit. Jemi përpara një skandali të rëndë financiar me burime shumë të dyshimta parash, nga të cilat është financuar Lulzim Basha dhe Partia Demokratike”, përfundoi kreu i grupit parlamentar të PS (e.c/noa.al)
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.