Kuriozitete
Ish-ambasadori Arvizu: Akuzat ndaj Tahirit janë serioze
Ish-ambasadori Arvizu: Akuzat ndaj Tahirit janë serioze
"Akuzat ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri janë serioze." Deklarata ka ardhur nga ish-ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë Aleksandër Arvizu në një intervistë për Politiko.al
Lidhur me çështjen më të nxehtë të politikës shqiptare, ish-ambasadori Arvizu thotë se e ka ndjekur çështjen nga larg lidhur me raportimet e bëra publike.
Por shton se edhe pse akuzat janë serioze, do të jetë gjykata që do të përcaktojë nëse Tahiri është apo jo i implikuar në trafikun e drogës.
"I kam lexuar disa prej akuzave kundër tij dhe ato janë serioze. Dhe nuk e di se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Nëse ka bërë diçka të gabuar, dhe kjo mund të provohet në gjykatë, atëherë ai patjetër që duhet të përballet me pasojat. Por, siç e thashë, nuk e di nëse ai është fajtor." thotë Arvizu
Sa i përket kritikave për emërimin e Ilir Metës si President, ish-ambasadori Arvizu ka një mendim ndryshe duke e vlerësuar figurën e kreut të shtetit dhe duke e cilësuar atë si një zgjedhje të mirë.
"Kam shumë respekt për z. Meta. Po, ne jemi në kontakt, megjithëse ai është gjithnjë një person i zënë me punë si Kryetar Shteti, dhe unë e kam parasysh këtë. Për shkak të staturës së tij politike, z. Meta nuk është peng i asnjërës prej partive politike kryesore, dhe kjo është një gjë e mirë. Po, mendoj se ai është një zgjedhje e mirë si President" tha ish-ambasadori
Të njëjtin vlerësim ai shprehu edhe për Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi pavarësisht kritikave që ka nga opozita.
"E kam takuar Ruçin disa herë kur isha Ambasador. Bisedat tona ishin gjithnjë produktive dhe të sjellshme. Socialistët kanë shumicën, kështu që është e natyrshme që një ligjvënës veteran i socialistëve të bëhej kryetar Kuvendi." përfundoi ish-ambasadori amerikan (e.c/noa.al)
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.