Kuriozitete
Sulmi në Egjipt, Meta: Mizor dhe barbar, synojnë të kërcënojnë sigurinë
Sulmi në Egjipt, Meta: Mizor dhe barbar, synojnë të kërcënojnë sigurinë
Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut egjiptian Abdel Fattah Al Sisi për sulmet terroriste në Sinai të Egjiptit.
Në mesazhin e tij ngushëllues Meta ka dënuar me forcë këto akte barbare që sipas tij synojnë të frikësojnë shoqërinë dhe të kërcënojnë sigurinë e Egjiptit.
“I nderuar Zoti President. Jam shumë i tronditur nga sulmet e sotme mizore terroriste që goditën një prej Xhamive të Sinait e ku humbën jetën qindra besimtarë të pafajshëm e dhjetra të tjerë u lënduan.
Më lejoni që përmes Jush, t’i shpreh ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjarëve e të dashurve të viktimave, ndërsa të lënduarve t’i uroj shërim të shpejtë e kthim sa më parë në jetën normale.
I dënoj me forcë këto akte barbare terroriste, që synojnë të frikësojnë shoqërinë egjiptiane dhe të kërcënojnë sigurinë e Egjiptit e të rajonit.
Ju siguroj se, në këto momente të vështira e të dhimbshme, si dhe në luftën kundër terrorizmit e ekstremizmit të dhunshëm, unë dhe populli shqiptar jemi me Ju dhe popullin egjiptian”, shkruan Meta. /b.l/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.