Connect with us

“Java e Fëmijëve Jetimë”, Veliaj: Jo paragjykimeve, kanë të drejtë të rriten të gjithë njësoj

Kuriozitete

“Java e Fëmijëve Jetimë”, Veliaj: Jo paragjykimeve, kanë të drejtë të rriten të gjithë njësoj

“Java e Fëmijëve Jetimë”, Veliaj: Jo paragjykimeve, kanë të drejtë të rriten të gjithë njësoj

Në vijim të “Javës së Fëmijëve Jetimë”, që mbahet në 100 vjetorin e Themelimit të “Strehës së parë Vorfnore” në Shqipëri, institucioni i Presidencës çeli dyert për të mirëpritur fëmijët e Shtëpisë “Zyber Hallulli” dhe fëmijë të shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit.

Sot nismës iu bashkua edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shprehu solidarizimin e përkrahjen e tij për fëmijët pa kujdes prindëror.

Ai falenderoi Presidentin e Republikës për hapjen e dyerve të institucionit për ata fëmijë, të cilët jeta i ka përballur me vështirësi dhe që kanë nevojë për mbështetjen e shoqërisë.

“Për shumë kohë Presidenca ka qenë një mjedis hermetik, ku vinin vetëm disa burra të mërzitshëm për t’u marrë me demek me punë të mëdha, ndërkohë që kjo është një godinë, një ndërtesë, një institucion i gjithë popullit dhe mbi të gjitha, edhe i fëmijëve. Më vjen mirë që më në fund edhe Presidenca është hapur ndaj publikut, sidomos ndaj fëmijëve. Kështu që, sot meqë është ditë me shi, ditë me erë, kemi marrë atë super këndin e lojërave aty jashtë dhe e kemi sjellë këtu. Shumë faleminderit Presidentit, këshilltarëve dhe gjithë stafit”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai u shpreh se fakti që një pjesë e fëmijëve për shkak të një fatkeqësie në jetë, sot nuk kanë një apo të dy prindërit, nuk duhet të jetë diçka që t’i pengojë ata të rriten njësoj si bashkëmoshatarët e tyre dhe të bëhen njësoj të vlefshëm në jetë.

“Unë besoj se shumë prej fëmijëve që janë rritur në situata të vështira, vetëm me një nga prindërit, ose në një nga institucionet e përkujdesit dhe që i kanë kaluar me sukses këto sfida në moshë të vogël, kur rriten bëhen të mrekullueshëm dhe në fakt i kuptojnë më mirë njerëzit e tjerë në vështirësi, kur kanë kaluar edhe vetë vështirësi”, tha Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku shtoi se është detyrim i institucioneve shtetërore, por edhe e shoqërisë, që t’i krijojë kushte dhe mjedis miqësor këtyre fëmijëve, që ata të mos ndjehen të diferencuar, por të barabartë me gjithë të tjerët. “Askush nuk duhet lejuar t’i thotë dikujt se ky është jetim, ndaj ta trajtojmë si gjynah, sikur i ka ndodhur diçka që nuk e rikuperon dot. Po, jeta ka sfida, por unë besoj se kush i kalon mirë këto sfida, kush i kalon me guxim, me optimizëm, bëhet fantastik dhe i dobishëm, edhe i mençur, edhe i zgjuar”, deklaroi Veliaj.

Ai solli në vëmendje se sot ekzistojnë të gjitha mundësinë në të gjitha institucionet sociale, por edhe në shkolla, që të gjithë fëmijët të rriten njësoj dhe të mos ndjejnë asnjë lloj paragjykimi. “Sot kemi një shërbim shumë herë më dinjitoz në shtëpitë e fëmijës apo në shkollë. Edhe mësuesit, kujdestarët, psikologët janë shumë herë më të dobishëm për të na ndihmuar se si ta kalojmë këtë fazë të vështirësisë në jetë. Por, pastaj të gjithë e dimë që jeta kjo është, disa herë ulemi dhe disa herë ngrihemi. Pyetja nuk është: a do kemi vështirësi në jetë, por a do ngrihemi menjëherë në këmbë sapo të rrëzohemi?”, tha ai.

Kreu i Bashkisë së Tiranës shtoi se përveç angazhimit të institucioneve për të qenë bashkë në përballimin e kësaj sfide, edhe shoqëria ka filluar të ndërgjegjësohet dhe të ofrojë kontributin e vet për të gjithë ata që janë të pamundur apo që jeta i ka sjellë një situatë jo të mirë. Fëmijët dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës patën mundësi të ndjekin një program të gjerë argëtues nga animatorët, ndërsa në fund u dhuruan edhe bluza të përfaqësueses Kombëtare të Futbollit Shqiptar. /a.y/noa.al

www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top