Kuriozitete
Festimet për 105-vjetorin në Tiranë, vendosen kurora me lule te Monumenti i Pavarësisë
Festimet për 105-vjetorin në Tiranë, vendosen kurora me lule te Monumenti i Pavarësisë
Tirana përkujton sot 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, datë kur Ismail Qemali dhe udhëheqësit e tjerë nga të gjitha vendbanimet shqiptare ngritën flamurin duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, i shoqëruar nga prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, kreu i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi, anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfaqësues të komuniteteve fetare, dhe qytetarë të Tiranës, vendosën kurora me lule në Monumentin e Pavarësisë.
Me rastin e Festave Kombëtare, kryeqyteti është stolisur si kurrë më parë me flamuj kuq e zi, ku rrugët dhe institucionet kryesore janë mbuluar nga simbolet kombëtare.
Që në orët e para të mëngjesit, Kryebashkiaku Veliaj uroi shqiptarët Ditën e Flamurit, ndërsa i ftoi që t’i bashkohen aktiviteteve të shumta që ka organizuar Bashkia e Tiranës me këtë rast për të gjitha grupmoshat.
“Tirana stolisur si kurrë më parë për Festat e Nëntorit. Koha xham, merr familjen e na u bashko në shesh sot!”, shkruan Veliaj.
Ndërkohë, në orën 11:00, Kryetari i Bashkisë së Tiranës do të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit që do të organizohet në Sheshin “Skënderbej”. /b.l/noa.al/
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.