Kuriozitete
Principata e Libofshës, Egla Harxhi dhe i dashuri i saj kallëzohen në Prokurori
Principata e Libofshës, Egla Harxhi dhe i dashuri i saj kallëzohen në Prokurori
Egla Harxhi, ish-missi shqiptar, bëri bujë kur doli në studion e “Zonë e lirë” dhe deklaroi
se së bashku me partnerin e saj francez, Jarl Alexandre Alé de Basseville do të ndërtonin Principatën e Libofshës. Madje ata organizuan mbledhje me banorët e zonës për t'ju prezantuar planin e tyre.
Pasi çështja u bë virale dhe më serioze seç u mendua fillimisht, gjërat marrin një kthesë
të re. Analisti i njohur Kastriot Myftaraj ka bërë një kallëzim penal për Eglën dhe partnerin e saj në Prokurorinë e Fierit, dhe pavarësisht se si nisi kjo çështje, tashmë do të ndiqet në rrugë ligjore. Egla Harxhi dhe Jarl Alexandre Alé de Basseville akuzohen për veprat penale:
-Marrëveshje për dorëzim territori -Provokim të luftës Më poshtë është kallzimi penal i cili është siguruar nga CityNews.
KALLËZIM PENAL
Kallëzues:
Kastriot Myftaraj, i dtl. 1966, vendlindja Korçë, vendbanimi Tiranë
Të kallëzuar:
1)Jarl Alexandre Alé de Basseville, i dtl. 8. 7. 1970, vendlindja Bordeaux (Bordo), Francë, shtetësia: franceze.
2)Egla Harxhi, e bija e Ilirit dhe e Anilës, e dtl. 29.7. 1991, vendlindja Tiranë, shtetësia
dhe kombësia: shqiptare.
OBJEKTI:
Fillimi i procedimit penal ndaj këtyre shtetasve për veprat penale të mëposhtme:
1)”Marrëveshje për dorëzim territori”, parashikuar nga neni 210 i Kodit Penal
2)”Provokimi i luftës”, parashikuar nga neni 211 i Kodit Penal
Baza Ligjore
Neni 283 i Kodit të Procedurës Penale
Nenet 210, 211 të Kodit Penal
Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier
I nderuar z. Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier!
Të nderuar zotërinj, Prokuror i linjës, Prokuror i çështjes dhe Oficer i policisë gjyqësore i
çështjes
Në datën 8 shtator 2017, në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan ishte e pranishme shtetasja shqiptare Egla Harxhi e cila tha se personi me të cilin bashkëjeton, shtetasi francez Jarl Alexandre Alé de Basseville po punon për të shpallur një principatë sovrane
dhe të pavarur në territorin e Republikës së Shqipërisë, në zonën e Libofshës, duke
marrë sovranitetin mbi këtë territor. Nga mënyra si foli kjo shtetase u kuptua qartë se ajo
është bashkëpunëtore e z. de Basseville. Ajo e mbrojti projektin duke bërë një krahasim
me Principatën e Monakos në Francë si dhe duke spekuluar për të mirat që do të sjellë
për banorët e zonës.
Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë, ashtu si në çdo shtet është një parim kushtetues
i mbrojtur posaçërisht nga ligjet e prejardhura nga Kushtetuta, përkatësisht Kodi Penal.
Elementët përbërës të sovranitetit kanë mbrojtje të posaçme në nenin 3 të Kushtetutës
që i përcakton si bazat e shtetit.
Edhe veç me shpalljen e projektit të tyre këta dy shtetas kanë kryer veprat penale të
përmendura më lart, të cilat ligjvenësi i ka artikuluar juridikisht në atë mënyre që për to
nuk kërkohet ardhja e pasojës kriminale që të quhen të kryera.
1. Jarl Alexandre Alé de Basseville me dinakëri e ka lënë bashkëjetuesen e vet që të
shpallë projektin e tij, në mënyrë që të shohë se si do të reagojë shteti shqiptar
Nga ato që u thanë në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, në 8 shtator 2017, lind
dyshimi i arsyeshëm se ka një marrëveshje për dorëzim të territorit të Shqipërisë te fuqi
të huaja, me qëllim cënimin e pavarësisë dhe integritetit të shtetit shqiptar. Këtu dua të
bëj saktësimin juridik se ligjvënësi ka parashikuar si subjekte te të cilët bëhet dorëzimi
eventual i territorit jo veç shtete, por edhe fuqi të huaja. Me fjalën “fuqi” kuptohen në
këtë rast subjekte joshtetërore.
Këtu nuk e kam fjalën për shtetet anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB, siç tha Egla
Harxhi në emision, por për shtete dhe fuqi të tjera, që do të dalin nga hetimi.
I tërheqë vëmendjen Prokurorisë së Shtetit Shqiptar, se zona e përzgjedhur për këtë
projekt është teper delikate. Atje në vitin 1924 është vendosur një bashkësi refugjatësh
nga Sanxhaku i Serbisë që kërkuarn strehim në Shqipëri për shkak të përndjekjes nga
autoritetet e kohës të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (e njohur më pas si Jugosllavi).
Në atë kohë këta njerëz që në fakt ishin boshnjakë muslimanë, u deklaruan si shqiptarë
për të siguruar strehim në vendin tonë. Por pas vitit 1990 këta njerëz janë deklaruar si
serbë në censusin (regjistrimin) e fundit të popullsisë në Shqipëri, duke keqpërdorur
mikpritjen shqiptare.
Shpallja e një prinicipate sovrane dhe të pavarur në një territor ku banon një bashkësi e
konsiderueshme serbe, ka ndërlikime ndërkombëtare që shkojnë shumë përtej një
“shakaje” të një tipi ekcentrik në dukje.
Unë kam qenë i pranishëm në emisionin “Zonë e Lirë” në 12 dhjetor 2016 së bashku me
z. de Basseville dhe zonjën Harxhi (në këtë rast nuk e shpallën këtë projekt) dhe gjatë
kohës që ishim në dhomën e grimit, kam pararë me sytë e mij se ai mbante një
medalion me simbolin kombëtar serb, Kryqin e Shën Savës (kryqin me katër “C”), të cilin
e fshehu në emision. Sigurisht është e drejta e tij të mbajë simbolet që dëshiron, por kur
vjen në Shqipëri me një projekt të tillë, kjo simbolikë fiton një kuptim tjetër.
Nëse shpallet një principatë sovrane dhe e pavarur në një pjesë të territorit të Republikës
së Shqipërisë, ku jeton një bashkësi minoritare që ka lidhje me një shtet afër nesh
(Serbia), atëherë duke pasur parasysh se shteti shqiptar do të jetë i detyruar që të
reagojë detyrimisht pas faktit të kryer, kemi të bëjmë me një akt që synon të provokojë
luftë duke e vënë Republikën e Shqipërisë para rrezikut të ndërhyrjes së fuqive të huaja.
Sepse Serbia do ta quajë këtë një dhunë ndaj bashkëkombasve të saj. Krahasimi me
Monakon është krejt pa vend pasi Monako nuk është një shtet i krijuar në kohën kur mbi
atë territor ekzistonin ligjet në fuqi që mbronin sovranitetin dhe integritetin e Francës. Në
rastin e Principatës së Libofshës bëhet fjalë për një shtet që krijohet në një territory ku
ekzistojnë ligje në fuqi që mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit ekzistues,
Republikës së Shqipërisë.
Do të ishte një papërgjegjshmëri e madhe nëse sa më sipër, pra provokimi i luftës për
shkak të një akti të tillë, quhet një skenar fantastik, që nuk mund të ndodhë. Meqënëse
ligjvënësi i ka parashikuar këto vepra penale, atëherë organet ligjzbatuese kanë detyrim
të veprojnë kur verifikohen situata që kanë të bëjnë me to.
Pikësëpari, Prokuroria, si institucioni kushtetues i ngarkuar me hetimet dhe ndjekjen
penale, ka detyrim që të kryejë hetime në linjën që kam thënë më lart.
Nëse nuk veprojnë autoritetet shtetërore ashtu si e kanë detyrim ligjor, atëherë të
heshtin kur të ndërmerren veprimet e nevojshme ndaj këtyre dhunuesve të sovranitetit
dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë.
Me respekt
Kastriot Myftaraj
Djalin do ta quajnë Luçifer, Egla Harxhi rrëfen lidhjen treshe në Libofshë
www.noa.al – Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, pjesë e NOA-InfoMedia. Viti i njëmbëdhjetë i transmetimit.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2007-2017 Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.