Connect with us

Histori nga Jeta: Nuk zë dot shoqe se jam e shëmtuar dhe e shëndoshë

Kuriozitete

Histori nga Jeta: Nuk zë dot shoqe se jam e shëmtuar dhe e shëndoshë

Punoj në një ministri në Tiranë. Këtu kam lindur e jam rritur, mes bollëkut, sepse pata fatkeqësinë të mbetem fëmija i vetëm i prindërve të mi. Kur isha nëntë vjeçe, vëllai im në atë kohë shtatë vjeç, vdiq nga një sëmundje e rëndë. Dhimbjen e prindërve të mi nuk kam fjalë ta përshkruaj, por nëse ata e tregonin dhimbjen me lot që nuk shternin, unë në pamje të parë dukesha e qetë. Mbaj mend që kur më vdiq vëllai, edhe shoqet e shokët e klasës më flisnin e më mbanin afër, me sa duket, me porosinë e mësueses. Pas vdekjes së tij, gjithë vëmendja e prindërve të mi u kthye mbi mua. Veç kësaj, prindërit pasi u sëmur vëllai, më kanë bërë ekzaminime të pafund, për të parë mos kisha edhe unë të njëjtën sëmundje, por jo, unë isha mirë.

Mbeta drita e vetme e syrit të tyre dhe im atë më përcillte në mëngjes në shkollë dhe më merrte mami, kur kthehej nga puna. Ajo ikte në punë më herët e kthehej më herët. Të dy prindërit janë shumë punëtorë, por jam e sigurt se ata punojnë më shumë për të harruar dhimbjen shpirtërore sesa për anën ekonomike. Janë të dy me shkollë të lartë kështu që kanë patur gjithmonë punëra e rroga të mira dhe kanë miq gjithandej ku kanë punuar.

Në pallatin tonë janë të njëjtët banorë që kanë qenë që në fillim të ndërtimit të tij dhe të gjithë më duket sikur i kam kushërinj, por pothuajse nuk kam shoqe fëmijërie. Sapo iu afrova moshës së adoleshencës mora një shëndet që në fillim më thonin “do kalojë”, por mami, duke qenë e djegur nga humbja e vëllait, më ushqente si të isha e sëmurë dhe unë vetëm merrja kile. Nga ato kile, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare dukesha si grua me fëmijë. Megjithëse mjekët e shoqet i thoshin mamasë se nuk ishte normale të më ushqente ashtu, ajo vazhdonte, por edhe unë kisha një oreks të paparë. Përveç shëndetit të tepruar që mora në atë moshë, edhe fytyra m’u mbush me puçrra dhe ju betohem që e shihja veten në pasqyrë vetëm një herë në javë. Tashmë isha adoleshente dhe shoqëria e shkollës nuk më mbanin mbi pekule për humbjen e vëllait, kështu që filluan të krijonin edhe barcaleta për tulet e mia.

Asnjë vajzë nuk pranonte të ulej në bankë me mua, veç në rastet kur kishim provim, sepse unë isha nxënëse e mirë dhe i dija pothuajse të gjitha pyetjet. Lëre pastaj djemtë, as që bëhej fjalë të më flisnin apo të uleshin në bankë me mua, përveçse kur donin të tregonin ndonjë nga ato barcaletat e tyre ku personi që tallej isha unë. Në këtë gjendje, me prindër që më mbikëqyrnin nga frika e sëmundjeve, me shoqëri që nuk më donte përveçse për interes si dhe me problemet e adoleshencës, unë fillova të mbyllesha në vetvete. Kishte raste që të vetmet fjalë në një javë të tërë ishin përshëndetjet “mirëmëngjes”, “mirëdita” apo “natën e mirë” me prindërit dhe ndonjëherë, në shkollë.

Prindërit nuk e vinin re këtë, por shoqja e mamasë time e kishte vënë re kur vinte e pinte kafenë me mamanë time. Ajo e pa që unë vetëm u përshëndeta me të dhe kapa librat. Në fillim më përgëzonte me këtë vullnet për të mësuar, por më pas, duke e parë që mezi flisja, e pa që unë po vuaja nga ndonjë sëmundje psikologjike. Ajo e bindi mamanë të më vizitonte.

Sigurisht, ime më, e sprovuar me spitalet, e gjeti një mjek psikolog dhe qysh me vizitën e parë mjeku e kuptoi depresionin e rëndë ku kisha rënë. Fillova menjëherë terapinë me psikologun, por nuk e mora vesh se nga doli fjala në shkollë dhe përveç fyerjeve për peshën apo për puçrrat e mia, filluan të më fyenin edhe si e çmendur, që shkoj e vizitohem te psikologu. Kisha dy vite që i duroja fyerjet e tyre dhe një ditë shpërtheva. Një djalë i klasës, më thërriste vazhdimisht “lopë” dhe atë ditë kur u ktheva nga tualeti, ai më priti para tabelës së zezë ku ishte shkruar emri im përkrah epitetit që më vinte ai. Sapo lexova ç’ishte shkruar, iu hodha sipër si luaneshë dhe e qëllova me grushta e shkelma me sa fuqi kisha. Asnjë nga nxënësit e tjerë nuk u afrua të na ndante se më kishin frikë mua, por dikur erdhi mësuesi të fillonte mësimin. Fatmirësisht, se do ta kisha vrarë atë djalë atë ditë. Mësuesi ma nxori nga duart atë, ndërkohë që edhe vetë hëngri nja dy grushte. Ai më çoi në drejtori, ndërkohë që nxënësve u tha të kujdeseshin për shokun e klasës. Atij i kisha thyer krahun dhe tri brinjë. Ndërkohë që drejtori, nëndrejtoresha dhe mësuesja kujdestare u thirrën menjëherë dhe më morën në pyetje jo vetëm mua, por edhe disa nga nxënësit e klasës sime. Të gjithë dhamë të njëjtën përgjigje që mua më fyente gjithë kohën jo vetëm ai, por shumica e nxënësve të gjimnazit. Pas dy ditësh, drejtori thirri prindërit e mi për t’u komunikuar atyre vendimin që kishin marrë.

– Pas asaj që ndodhi, nuk dua të fajësoj vajzën tuaj për sjelljen e dhunshme, as të mbroj nxënësit për sjellje aspak qytetare, as të mbroj veten apo kolegët e mi për neglizhencë në kryerjen e plotë të detyrave të tyre funksionale. Nëse secili prej nesh, përfshirë këtu edhe ju si prindër, do të kishim mbajtur qëndrim ndaj nxënësve, kjo situatë do të shmangej. Duke ditur problemet që ju kanë shoqëruar, unë ju këshilloj të bëni një kërkesë me shkrim për transferim të vajzës suaj në një shkollë tjetër po në Tiranë.

– Po si do të mbyllet kjo katrahura këtu? – pyeti mamaja ime.

– Kam një shok në Drejtorinë Arsimore dhe ia kam shpjeguar që problemi nuk është individual, është i gjithë shoqërisë, janë pasoja të viteve të izolimit, kështu që vajzës tuaj të mos i vritet sedra akoma më shumë sepse ajo është nxënëse e shkëlqyer, nuk do t’i ulim notë në sjellje dhe thjesht transferojeni për arsye familjare në një shkollë tjetër.

Dhe kështu u bë, por dihet, në Shqipëri thashethemi qarkullon si rrymat e ajrit. Edhe në shkollën ku u regjistrova, shkoi fjala që kisha rrahur një djalë dhe më shihnin sikur të isha ufo. Terapia me psikologun nuk po jepte efektet që priteshin. Atë vit e ndërpreva shkollën dhe ndenja në shtëpi. Një herë tentova të vrisja veten dhe preva damarët, por babai atë ditë erdhi në shtëpi se i kishte rënë gripi e kur më gjeti ashtu më çoi në spital dhe shpëtova.

Atëherë ime më, pasi ndenja një javë në shtëpi vetëm në krevat, më tha:

– Dua të dal për vrap. Do vish të dalim bashkë?

– E ku vrapon dot një balenë moj mama, ç’thua? – i thashë, ndërkohë që u ktheva në anën tjetër të krevatit.

– Epo, do gjejmë një mënyrë që kjo balena o të vrapojë, o të notojë dhe nuk do të rrijë duarkryq në shtëpi.

– E ç’rëndësi ka, – i thashë, – në vrapon apo noton? Ajo trembet edhe nga pamja e vet në pasqyrë, – e lotët më rrodhën çurg sa u detyrova të ktheja jastëkun në anën tjetër se u lag.

Mamaja ime priti sa pushova së qari dhe më tha:

– Bija ime, djalin e humba se nuk kishte ç’të bënte as mjekësia, as unë, por ty nuk do të të humb për asgjë në botë, – dhe u çua e doli. Nuk e mora vesh ku shkoi, por pas një ore kur u kthye në shtëpi, e kuptova se ku kishte qenë.

Kishte blerë solucion larës për fytyrën në farmaci, kishte blerë kremra e sende të ndryshme tualeti për mua. Ajo vetë nuk kishte përdorur asgjë qysh nga vdekja e vëllait.

– Tani do të çohesh e do të fillojmë me larjen e fytyrës me këtë gjënë që më dha farmacistja. Më tha që është më e mira dhe i jep efektet për dy-tri ditë.

– O ma, unë nuk besoj te mrekullitë, më lër se dua të fle, – i thashë e mbulova kokën me batanije.

– Jo, do çohesh menjëherë! – më tha e më zbuloi. Për të mos e mërzitur u çova dhe bëra siç më tha ajo me larësin dhe me kremin e fytyrës. Atë ditë nuk dolëm për vrap, por në darkë kisha në pjatë vetëm zarzavate të ziera. Nga ajo ditë, ime më dhe im atë mbajtën dietë të rreptë së bashku me mua. Dilnin për vrap një ditë njëri e një ditë tjetri me mua dhe unë dalëngadalë fillova të ndryshoja. Edhe trajtimi i fytyrës bëri punën e vet. Deri kur erdhi koha për të filluar viti i ri shkollor, unë kisha rënë goxha në peshë. Nuk isha elegante sa bashkëmoshataret e mia, por dukesha më mirë. Edhe fytyra më ishte çelur jo vetëm nga trajtimi estetik, por edhe sepse ndihesha më mirë me veten.

Atëherë prindërit më thanë se do të ishte mirë të rifilloja shkollën aty ku kisha qenë, sigurisht, jo në të njëjtën klasë. Kështu, unë e rifillova shkollën me nxënësit që ishin një vit më të vegjël se unë. Askush nuk tallej më me mua, a ngaqë unë kisha ndryshuar nga një vit më parë apo se më kishin frikë se mos i rrihja, këtë s’e mora vesh asnjëherë. Gjithsesi, edhe psikologu i cili më ndoqi derisa mbarova shkollën e mesme, më ndihmoi po aq sa trajtimi estetik i trupit dhe i fytyrës. Edhe unë ndoqa hapat e tim eti në shkollë, mbarova Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Në fakultet, njolla e rrahjes do më përndiqte, por më pak, sigurisht, sepse shumica e studentëve e morën vesh si thashethem. Nuk arrita asnjëherë të zë shumë shoqe apo shokë, të shkoj e të ulem në një tavolinë pa kompleksin e inferioritetit, edhe pse isha studentja më e mirë.

Jo se shokët e fakultetit më thoshin fjalë fyese, por e shihja se kur dilnin për kafe, ata bënin me shenja për të ikur pa e marrë vesh unë, se nuk më donin me vete. Ky kompleks vazhdon të më përndjekë edhe sot e kësaj dite, edhe pse tashmë jam grua e martuar me dy fëmijë dhe jam në punë. Qëkur mbarova fakultetin, një mik i babait më ndihmoi të futesha në punë në një ministri (s’po e them emrin) dhe vazhdoj akoma aty.

Im shoq më thotë vazhdimisht që thjesht e kam të fiksuar në tru që nuk më duan, se nuk është e vërtetë.

– Unë i dëgjoj dhe i shoh kolegët e tu që të përshëndesin gjithë mirësjellje, i mbaj mend shokët e kursit tënd në fakultet. Je ti vetë ajo që ke ato mendime për pamjen tënde.

– Pastaj, o ma ti nuk je e shëmtuar, – më thonë djali e vajza…

– Po nëse ti e quan veten të shëmtuar, si mendon ti që jam unë që të kam ngjarë ty, e shëmtuar? – më tha vajza një ditë.

Qysh nga ajo ditë nuk e shpreh më me zë frikën time që askush nuk më do se unë jam e shëmtuar dhe jo elegante, që mos të ketë të njëjtin problem edhe ime bijë, por ju siguroj që deri në varr do më përndjekë ky mendim që u ngulit aq thellë në ndërgjegjen time kur isha adoleshente.

Lexo Me Shume
Dicka qe mund te ju pelqej..
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

More in Kuriozitete

Me te lexuarat

Te ndryshme

Facebook

To Top